Ferizaj

Mbahet mbledhje komemorative për Ismet Mjakun


Publikuar më:


Me rastin e ndarjes nga jeta të veteranit të sportit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare Ismet Mjaku, njëherësh aktivist i  Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Ferizaj, në shenjë respekti për të,  në teatrin “Adriana” është mbajtur mbledhje komemorative.

Kryetari degës së LDK-së në Ferizaj Muharrem Svarqa duke folur për jetën dhe veprën e Ismet Mjakut, tha se ai ishte i kompletur në të gjitha dimensionet e jetës.

“Ismetin e njoha gjatë aktivitetit politik në Lidhjen Demokratike ku manifestonte idetë progresive rugoviane. I talentuar e i djegur politikisht dhe emocionalisht reflektonte kudo në çdo mes, por shquhej për idetë e tij atdhetare dhe për manifestimin e ndjenjave patriotike, por gjithmonë me një racionalitet dhe drejtësi të pashoq, sepse edhe me profesion ishte jurist”, theksoi Muharrem Svarqa.

Duke vlerësuar lartë veprat e të ndjerit Ismet Mjaku, kujtime evokuan edhe bashkëveprimtarët e tij Fatmir Heda dhe Isuf Musa.

 “Unë Ismetin e kam njohur për së afërmi, isha shoku i tij më i ngushtë. Në shumë aktivitete politike ishim bashkë, në shumë manifestime dhe angazhime shoqërore gjithashtu. Çfarë ishte karakteri i tij në të vërtetë, qëndrueshmëri në punë, vendosmëri në veprim, bujari në mikëpritje, konsistencë në sjellje, mohues i tendencave egoiste, reflektues i shpirtit kolektiv”, tha Fatmir Heda.

“Unë bashkëpunova me bashkëqytetarin tim Ismet Mjaku duke e vlerësuar shumë. Njihej për qëndrimin e tij të prerë e burrëror dhe për besnikërinë në punë e përcaktimin nacional të palëkundur asnjëherë në asnjë rrethanë, pavarësisht situatave e rrjedhave të kohës, ishte i fjalës çdoherë e punëtor e për këtë tek ai nuk ishte mëdyshje, kur merrte një vendim ashtu bëhej sepse nuk kishte mundësi ndryshimi pozicionit ose i varianteve pavarësisht kushteve e ndonjëherë rreziqeve”, tha Isuf Musa.

Ndërkaq, Zymer Mjaku, vëllai i të ndjerit, duke i falënderuar organizatorët për organizimin e kësaj mbledhje komemorative, tha se Ismetin e konsideronte edhe si shok jo vetëm si vëlla.

“Duhet të jemi krenarë për atë që ai ka bërë dhe juve u jam shumë mirënjohës për atë që keni ndërmarrë nga shkaku se ne jemi shpërndarë nëpër botë tash, shumë është e vështirë t’i arrijmë të gjitha ato që njeriu ndoshta shpesh mendon, prandaj një angazhim të tillë që ju keni bërë është për t’u përshëndetur”, tha Zymer Mjaku. Ismet Mjaku ndërroi jetë  më 10 shkurt të këtij viti në Francë në moshën 68 vjeçare, ndërkaq varrimi i tij është bërë sot në varrezat e fshatit Varosh.

To Top