Ferizaj

Masat e reja kundër pandemisë, ministrja Nagavci tregon si do të zhvillohet mësimi


Publikuar më:


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Arbërie Nagavci ka deklaruar se pas vendimit të fundit të Qeverisë për masat e reja anti-COVID-19, mësimi në arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë do të mbahet përmes platformave online.

Nagavci në një prononcim për KALLXO.com ka theksuar se mësimi përmes platformave online do të mbahet në javën e ardhshme, pas pushimit pranveror, duke shtuar se kjo formë mësimi vlen për arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.

Kurse në institucionet parashkollore dhe fillore mësimi do të mbahet normalisht, me prani fizike të nxënësve.

“Siç e keni parë në vendim, për klasën 0 dhe 1-5 mësimi do të bëhet me prani fizike të nxënësve, duke respektuar rekomandimet e ekspertëve për distancën, dezinfektim të hapësirave shkollore e të gjitha kërkesat e tjera. Bëhet fjalë për javën e dytë. Këtë javë është pushimi pranveror dhe po flasim vetëm për pesë ditët e mësimit, për datën 12 deri më 16 prill. Ndërkaq, tek pjesa e arsimit të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, tashmë platformat online janë në dispozicion”, ka thënë ajo.

Ministrja ka shtuar se do të kenë një takim me drejtoritë komunale për t’u përgatitur rreth mësimit online.

“Ne nesër kemi një mbledhje me drejtorët e drejtorive komunale dhe në mënyrë që të mos humben ditët e mësimit, do të shohim për mundësinë e organizimit të mësimit në formën online, përmes orëve mësimore që do të transmetohen në kanalin publik të RTK-së dhe me platformat tjera ku mësimdhënësit do të jenë në dispozicion për të ndihmuar nxënësit në pyetjet shtesë, në sqarimet që mund të kenë nevojë”, tha ajo  për KALLXO.com.

Sa i përket arsimit të lartë, Nagavci ka shtuar se do të vazhdojë komplet në mësimin online, përveç provimeve që mund të mbahen fizikisht, duke respektuar masat kundër pandemisë.

Për shkak të numrit të lartë të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë, Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë formën e mbajtjes së aktivitetit mësimor sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

“Institucionet parashkollore dhe fillore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19. Përjashtim nga pika 16, bën mbarëvajtja e provimeve të cilat mund të mbahen fizikisht në të gjitha  institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat, por duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u bërë ndarja në grupe nga 10 persona”, thuhet në vendim.

Një nga vendimet e ekzekutivit është edhe  ai që nga data 7 prill deri më 18 prill ndalohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00.

To Top