19,04,2024

Marjan Dema: Politika nuk do të jetë pjesë e UP-së

Must Read
Marjan Dema, rektor i UP-së

Derisa fëmijët e veteranëve, invalidëve të luftës e kategorive të tjera do të kenë status të barabartë me të gjithë studentët e tjerë të UP-së.

Për këtë kategori kësaj radhe nuk do të ketë asnjë privilegj nga ana e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema.

“Për shkaqe humane, legjitime dhe kombëtare, Universiteti sivjet ka pranuar vetëm fëmijët e dëshmorëve si kategori e dalur nga lufta. Kësisoj neve kemi caktuar kuotën prej 2% të numrit të përgjithshëm të pranuarve ne Universitet, vetëm për fëmijët e dëshmorëve”, ka thënë në një intervistë për Gazetën Express i pari i UP-së.

Dema zotohet se do ta mbajë politikën larg nga UP-ja.  Madje ai thotë se në këta muaj të mandatit të tij nuk ka pasur as edhe një tendencë për ndërhyrje nga ana e politikës në UP, pavarësisht asaj se në Universitetin që Dema e drejton ka profesorë që janë të inkuadruar në politikë.

“Është interesante dhe lajm i gëzueshëm qe përpos ‘trumbetimit të pabazuar nga jashtë’, në UP nuk ka pasur asnjë tendencë për ndërhyrje nga politika. Unë dua te besoj se i njëjti ritëm do te vazhdoj edhe në të ardhmen në mënyre qe Universiteti të vazhdoj rrugën e vet dhe te ecën përpara drejt misionit të vet të dijes”, thotë ai.

Kreu i UP-së, në intervistën dhënë Gazetës Express. po ashtu flet edhe për profesorët e politizuar, plagjiaturën në UP, si dhe për premtimet e tij të dhëna në fillim të mandatit.

Gazeta Express: Si do ta gjej ky vit i ri akademik Universitetin e Prishtinës

Marjan Dema: Ky vit UP-në do e gjej me përgatitjet e gjithanshme për një vit të mbarë. Siç e dini, në tashmë kemi përfunduar afatin e parë të regjistrimeve dhe se këto ditë jemi duke proceduar me afatin e dytë të regjistrimit të studenteve, në të tri ciklet e studimeve. Në të njëjtën kohë, po procedojmë edhe me angazhimin e stafit të jashtëm në mënyrë që të jemi të kompletuar dhe që me 1 tetor të shënojmë fillimin e vitit te Ri akademik në të tri nivelet e studimit.

Keni thënë se njiheni si rektor që e mbani fjalën, a e keni mbajte fjalën për nënshkrimin e diplomave?

Marjan Dema: Po, e vërtetë që kam thënë prandaj më lejoni të rithem edhe njëherë. Nuk jam këtu për agjenda të tjera pos asaj të UP-së prandaj në rrugën time për ngritjen e punës, nivelit dhe studimeve në UP, do e mbaj fjalën. Të gjitha diplomat në UP janë të nënshkruara.

Gjatë këtyre muajve të udhëheqjes suaj, a ka pasur tendencë për ndërhyrje nga politika?

Marjan Dema: Është interesante dhe lajm i gëzueshëm që përpos “trumbetimit të pabazuar nga jashtë”, në UP nuk ka pasur asnjë tendencë për ndërhyrje nga politika. Unë dua të besoj se i njëjti ritëm do të vazhdoj edhe në të ardhmen në mënyrë që Universiteti të vazhdoj rrugën e vet dhe te ecën përpara drejt misionit të vet të dijes.

A jeni ju njëri ndër rektorët e politizuar?

Majran Dema: Unë jam dhe do mbetem njëri ndër rektorët e papolitizuar. Kam marr mbi vete misionin e vetëm të udhëheqjes me UP-në, i tillë do mbetem vet dhe do të jem pengesë kundrejt çfarëdo përpjekjeje për politizim.

Cilat kanë qenë kriteret për pranim në UP të fëmijëve të e kategorive të dala nga lufta?

Marjan Dema: Mendojmë se kjo çështje gradualisht po mbyllet. Për shkaqe humane, legjitime dhe kombëtare, Universiteti sivjet ka pranuar vetëm fëmijët e dëshmorëve si kategori e dal nga lufta. Normalisht, përkulemi para veprës së secilit që ka ndihmuar për lirinë e vendit porse kemi synuar dhe synojmë qe vizionin e kontribuesve të luftës do e vazhdojmë vetëm në ato raste kur promovojmë vlera. Kësisoj neve kemi caktuar kuotën prej 2% të numrit të përgjithshëm të pranuarve në Universitet, vetëm për fëmijët e dëshmoreve.

A kanë pasur përparësi për pranim në UP?

Marjan Dema: Fëmijët e dëshmorëve kanë pasur përparësi në kuotën e tyre dhe në pragun e kalueshmërisë prej 30%, ndryshe nga kategoria tjetër që ishte 40%.

A e keni mbajtur fjalën për renditjen e UP-së në ranglistën botërore?

Marjan Dema: Gjithsesi. Kjo, siç e kam thënë, me tepër se deklarim i momentit, është një proces që pashmangshëm do e shpie UP-në më lartë në ranglista botërore. Por, siç e thashë më lartë, ky është proces dhe ne tanimë jemi duke e trasuar rrugën, duke përcaktuar standarde dhe norma, duke krijuar infrastrukturën e platformën e duhur, realizimi i te cilave do të na shpinte më lartë që është edhe qëllimi final imi si rektor i UP-së.

Cilat janë problemet e tanishme të UP-së?

Marjan Dema: Siç e dini, UP viteve të fundit ka kaluar nëpër turbulenca jo të lehta të cilat pashmangshëm kanë lëne vrragët e veta. Numri i madh i studentëve dhe numri i vogël i personelit, kushtet joadekuate të studimit në aspektin infrastrukturor, përgatitja më e duhur e stafit për sfidat e punës me studentë, hapja dhe ndërkombëtarizimi i UP-së, gërshetimit dhe orientimi kah industria etj. janë disa nga problemet e UP-së aktualisht, probleme të cilat ne po provojmë t’i konvertojmë në objektiva të punës sonë dhe të cilat synojmë ti zgjidhim në muajt e vitet e ardhshme.

Pse duhet që politikanët të jenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, a po e politizojnë ata UP-në?

Majran Dema: Politikanët nuk duhet dhe nuk do të jenë pjesë e Universitetit. Nuk kemi ndërhyrje dhe ardhje te politikes ne Universitet. E kundërta mund të ndodh, në kuptimin e kalimit të stafit tonë, që sipas bindjeve të tyre mund të lëvizin tek njëri respektivisht tjetri subjekt. Zaten kjo edhe nuk mund të u mohohet në shtete demokratike dhe në demokracinë pluraliste.

A keni arritur që ta ndalni plagjiaturën në UP?

Marjan Dema: E mira e punës është që këto vitet e fundit plagjiaturat kanë qenë në qendër të vëmendjes se publikut dhe institucionet kanë qenë të drejtuar kah UP-ja respektivisht plagjiaturat. Bashkë me infrastrukturën ligjore kjo ka ndihmuar në evitimin e kësaj dukurie që konsiderohet si krim akademik. Ne do vazhdojmë të mbajmë trendin pengues, denoncues po do të marrim edhe masa kundër kësaj dukurie që shëmton punën akademike në veçanti dhe universitetin në përgjithësi.

A ka mungesë të stafit akademik në Universitetin e Prishtinës?

Marjan Dema: Në raport me numrin e studentëve kemi mungesë stafi dhe hapësire. Situata aktuale është larg standardeve europiane, megjithatë do provojmë që të kemi trend rritjeje dhe përmirësimi.

Për çfarë synoni të mbaheni mend në fund të mandatit tuaj?

Marjan Dema: Si rektor që jam udhëhequr nga parimi i transparencës, i zgjidhjeve, i rendit dhe rregullit në Universitet dhe i rikthimit dhe avancimit të UP-së në familjen e universiteteve prestigjioze. /gazetaexpress

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img