Editorial

Lutje psikologëve


Publikuar më:


Shkelzen Marevci

Të nderuar psikolog, të qëndrosh në shtëpinë tënde, së bashku me më të dashurit tuaj, është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë njeriut. Por, të qëndrosh në shtëpinë tënde me qëllim të izolimit të detyruar, siç jemi duke qënderuar,  kjo ndryshon pak ca nga arsyeja e lartcekur. Qëndrimi me qëllim të izolimit të detyruar, masë kjo e marrë me të drejtë nga OBSH e ISHP, padyshim që është i domosdoshëm dhe imediat për kohën të cilën jemi duke e kaluar, ngase ndikon fuqishëm në parandalimin e përhapjes së virusit Korona. Por, izolimi i deryruar mund të bartë pasoja anësore që lidhen me anën psikiqike të njeriut. Pasoja këto që për dikë mund të jenë tejet të rënda. Andaj, për të parandaluar efektin negativ psiqik që mund të ndodh për shkak të izolimit të detyruar, mendoj që do të ishte mirë që t’iu tregoni qytetarëve se, fare mos të merren me lajmet dhe informacionet që lidhen me virusin Korona, por të fokusohen sa më shumë dhe ekskluzivisht në gjëra zhvillimore, atraktive e humoristike brenda familjes së tyre.

E, kush më mirë sesa psikologët mund të na këshilloj se si të veprojmë në situata të tilla? Përgjigjja është askush. Prandaj, psikologët duhet që urgjentisht të merren me shkrime e debate këshilluese, duke i shpërndarë ato sa më shumë që është e mundur, pra, sa më shumë këshillat psikologjike të depërtojnë brenda familjeve të cilat sot po e kalojnë kohën e tyre si kurrë më parë të mbyllur nëpër shtëpitë e tyre.

Më shumë se kurrë qytetarët kanë nevojë për këshillime profesionale nga ju, psikologët. Këshillime të natyrës sesi të sillen qytetarët me veten e tyre, me fëmijët dhe me çdo anëtarë të familjes së tyre në këto ditë të izolimit masiv, janë më se të nevojshme nga ana e tyre.

Prandaj u bëj thirrje psikologëve të nderuar, që të mos hezitojnë. Dhe gjithashtu ta lënë anash komoditetin e tyre familjarë e të jenë sa më aktiv, duke shpenzuar kohë sadopak për të shkruar ndonjë rresht që për dikë mund të bëhet shpëtim nga ndonjë sëmundje mendore që disa prej tyre mund t’i qoj deri në vetëvrasje, Zoti na ruajt. Angazhimi juaj për shumë kë mund të bëhet shpëtim, keni parasysh këtë të vërtetë.

Psikolog të nderuar, mos harroni se, pas mjekëve dhe infermierëve ju jeni ata që mundeni  dhe duhet të jepni më së shumti në këtë situatë pandemie. Madje po u menaxhua ashtu siç duhet frika e paniku, jam më se i bindur që virusi Korona do të jetë më i dobët, sepse duke menaxhuar frikën e panikun, njëkohësisht ruajmë imunitetit e qyetarëve në atë nivel që, shumë më lehtë e kalojnë virusin Korona ata që eventualisht janë të infektuar me këtë virus.

Psikolog të nderuar, në një situatë të tillë, në të cilën më shumë po shkakton dëm frika e paniku sesa virusi Korona, nuk duhet që ju të qëndroni indiferent, por aktivizohuni me tërë potencialin njerëzorë e profesional që t’i dilni në ndihmë popullatës, që pas pandemisë të kemi më pak të prekur nga stresi aktual dhe të parandaloni zhvillimin e stresit  posttraumatik.

Zoti na ndihmoftë!

To Top