Lajme

Llalla: Ambasada e SHBA-së i refuzoi vizën prokurorit të Durrësit


Publikuar më:


adri_5652

Prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, ka konfirmuar refuzimin e vizës nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara për prokurorin e Durrësit, Agron Gjana.

“Në rastin konkret, prokurori i Durrësit ishte parashikuar të ishte pjesë e delegacionit tim këtu në Uashington, viza për të cilin nuk u dha në kohën e duhur nga Ambasada Amerikane, se më pas u dha por u anulua, për shkaqe që tashmë janë bërë publike. Fillimisht ambasada njoftoi se nuk e kishte dhënë vizën pasi dokumentacioni nuk ishte dhënë i plotë dhe njëherazi duke u shprehur se për rastin konkret nuk kishte besimin e plotë nëse prokurori do të kthehej në Shqipëri”, ka deklaruar Llalla.

Numri një i organit të akuzës ka nënvizuar se në dijeninë e tij “nuk ka pasur prokurorë të tjerë që iu është refuzuar viza në ambasada”.

Më tej Llalla ka mohuar lajmet se, atij i janë refuzuar takimet në agjencitë ligjzbatuese amerikane, duke thënë se ndodhej në SHBA për një konferencë. “Këto ditë ndodhem në Uashington për të marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për marrëdhëniet ndërkombëtare në fushën penale”, ka thënë Llalla.

Në vijim të intervistës, i pyetur mbi korrupsionin në organin e akuzës, Lalla ka theksuar se, “kemi kryer hetime dhe në kohë rekord kemi arritur arrestimin e dy prokurorëve të akuzuar për korrupsion”.

“Institucioni ynë është tërësisht i angazhuar për të hetuar në radhë të parë radhët tona dhe pastaj të tjerët”, ka thënë Llalla, duke shprehur bindjen se institucioni i drejtuar prej tij i ka përmbushur detyrat.

“Prokuroria e ka përmbushur në mënyrë korrekte detyrën, ka nisur hetime dhe ka vënë para drejtësisë shumë zyrtarë, përfshirë kryetar bashkish, prokurorë e deri një ish-ministër”, ka shtuar Llalla.

I pyetur për konstatimet e ambasadorit amerikan Donald Lu, për sendet me vlerë të prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, Llalla ka dhënë këtë përgjigje:

“Në Shqipëri është një institucion i posaçëm që merret me verifikimin e pasurive. Nëse një zyrtar i caktuar zotëron pasuri, nuk do të thotë se është shkelës i ligjit. Nuk mbroj zyrtarë të caktuar, por të akuzosh për një unazë, apo një orë… Për të gjitha rastet për të cilat kemi patur informacion, ne kemi nisur hetimet”.

Ndërsa lidhur me reformën në drejtësi, Llalla ka thënë: “Kemi atashuar ekspertët tanë pranë komisionit për reformën në drejtësi. Unë kam pasur sugjerimet dhe vërejtjet e mia, ua kam paraqitur grupit të ekspertëve dhe besoj se është e rëndësishme që të gjitha palët të paraqesin mendimet e tyre dhe në fund të vendoset cili është i drejtë e cili jo”.

 

Comments
To Top