26,04,2024

La Spezia, ishulli kuq e zi në Itali

Must Read

La Spezia është një qytet i vogël buzë detit të Ligurias, në veri të Italisë. Popullsia nuk i kalon të 250 mijë banorët. Qysh në kohët më të hershme, emri i këtij qyteti lidhet me mikpritjen që speziotët u bënin të huajve, peshkatarëve, pelegrinëve, tregtarëve, emigrantëve e turistëve. Zhvillimin më të madh ky qytet e mori në vitet 1200, kur bënte pjesë në Republikën e Xhenovës. Ky zhvillim nuk u ndërpre as në kohën e Napoleonit, kur u projektua e ardhmja e gjirit, si një pikë strategjike ushtarake. Ishte Napoleoni ai që përcaktoi përfundimisht të ardhmen e këtij qyteti. Sipas tij, La Spezia duhej të ishte një qytet detar ushtarak, fizionomi të cilën ky qytet e ruan edhe sot e kësaj dite. Ndërtimi i kantierit ushtarak filloi në vitin 1860. Në këtë vit e më pas, mijëra italianë nga të gjitha viset vërshuan për të punuar mbi ngritjen e kantierit gjigand.

Ekonomia pësoi një bum të vërtetë, ndërkohë që kulturat e të ardhurve filluan të integrohen me njëra-tjetrën. Qyteti i vogël u bë me teatër, opera, shëtitore, dyqane luksoze, hotele, vila e pallate. Porti u zgjerua jo vetëm për anijet ushtarake që vinin nga lindja e perëndimi, por edhe për anijet ushtarake që ndërtoheshin njëra pas tjetrës. Për shkak të arsenalit detar ushtarak, La Spezia u bombardua krejtësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore. U deshën vite për të rifituar shkëlqimin e dikurshëm. Sot La Spezia është jo vetëm një qendër ushtarake detare, por edhe një qytet turistik e detar, në kufi me Cinque Terre-n, zemrën turistike më në zë të Italisë. Ashtu si dikur, La Spezia mbetet një qytet i hapur për të gjithë, i dashur e mikpritës për të huajt. Ndoshta ky është shkaku pse shumë shqiptarë janë stacionuar në këtë cep të Italisë së veriut, gati-gati në kufi me Francën. NJE SINDIKATE SHQIPTARE BRENDA SINDIKATES ITALIANE Të gjithë shqiptarët e La Spezia-s, mbi 2500 të tillë, janë organizuar në shoqatën “At Gjergj Fishta”.

Bordi i kësaj shoqate dhe kryetari i saj, Juljan Topcia, kanë një raport shumë të afërt me bashkinë, kuesturën, prokurorinë, gjykatën dhe gjithë institucionet e tjera të La Spezia-s. Kjo shoqatë ka lidhje reciproke me të gjitha shoqatat e sindikatat që operojnë në rajonin e Liguria-s. Në diferencë me shoqatat e tjera të emigrantëve, të cilat janë më të mbyllura, shoqata “At Gjergj Fishta” është e veçantë. Sipas kryetarit të bashkisë, zotit Xhorxho Pogano, sindikata shqiptare është e gjallë e aktive. “Ajo është e hapur ndaj institucioneve italiane dhe komuniteteve të tjera që kanë emigruar në rajonin tonë”. Me iniciativën e sindikatës italiane CILS, shoqata shqiptare zë fill qysh në vitin 1991, kur në La Spezia erdhën 12 emigrantët e parë. Tani janë bërë 2500 të tillë. Në gjithë Liguria-n, 14000. Ata kanë ardhur kryesisht nga Shkodra, Lezha, Puka, Mirdita e Fushë Arrëzi. 80% e burrave shqiptarë punojnë në ndërtim. Ata janë profesionistë në mjeshtëritë e tyre.

Masiviteti në ndërtim dhe profesionalizmi i bën ata evidentë, të dallueshëm e të spikatur. Për sa u përket grave shqiptare, ato punojnë nëpër familje. Kujdesen për pleqtë dhe ndihmojnë zonjat e moshuara. Theksojmë se në të gjithë Italinë nuk gjejmë një qytet tjetër që të ketë popullsinë më të plakur sesa ajo e La Spezia-s. Pleqtë përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë, kështu që gratë shqiptare e kanë më të lehtë për t‘u punësuar. Në vitin 2000, shqiptarët e ardhur në La Spezia, të cilët tashmë ishin integruar disi në shoqërinë italiane, filluan të organizohen më mirë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Të organizuar në një shoqatë të ligjëruar e të njohur nga autoritetet italiane, me kryesi e kryetar, me vulë e logo identifikuese, të drejtat e bashkatdhetarëve mund të mbrohen më mirë. Pas krijimit të shoqatës, askush nuk do të luftonte më i vetëm, askush nuk do të linte punën për të marrë një firmë apo vulë nga administrata italiane. Këtej e tutje, për çdo individ do të luftonte sindikata e tyre. (INA)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img