19,04,2024

Ky është gjuetari i eshtrave të Srebrenicës (Foto)

Must Read

Duke ecur çdo ditë nëpër shtigjet e pyllit në zonën e Bratunacit, ku me mijëra viktima nga Srebrenica u vranë në korrik të vitit 1995, Ramiz Nukiq ka gjetur eshtrat e më shumë se 200 personave.

“Dal të eci çdo ditë. Sa herë që jam i lirë dhe s’kam punë në shtëpi, dal të eci”, thotë Nukiq.

Ramiz Nukiq, i cili është nga fshati Buljim, pranë Bratunacit, thotë se ai ende gjen të paktën një asht njeriu çdo ditë, edhe pse tashmë kanë kaluar 21 vite nga gjenocidi në Srebrenicë.

“Ndonjëherë bëj 30-40 km në ditë derisa gjej diçka. Nuk lodhem kurrë kur vjen puna për këtë gjë”, thotë Nukiq për BIRN.

Kërkimi i tij i palodhshëm frymëzohet nga vetë humbja e tij. Babai dhe vëllai i tij ishin ndër 7,000 burrat dhe djemtë nga Srebrenica që u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995.

Kur trupat serbe sulmuan Srebrenicën, një grup prej disa mijëra burrash u arratisën përmes pyllit, në përpjekje për të gjetur siguri në territorin nën kontrollin e Ushtrisë Boshnjake. Nukiq, babai dhe vëllezërit e tij ishin ndër ta.

Por kur vargu i burrave nga Srebrenica u bombardua dhe burrat i shpërndan në panik, Nukiq u nda nga vëllezërit dhe babai i tij dhe s’i ka parë më që atëherë.

“Tre skelete ishin nën këmbët e mia”

Katër vjet më vonë, Nukiq u kthye në fshatin e tij të lindjes dhe filloi të kërkonte eshtrat e babait dhe vëllezërve të tij. Ai tha se ato që gjeti në kodrën ku ata ishin vrarë “i ngriu gjakun” në venat e tij.

“Kur pashë rroba dhe këpucë të shpërndara sa këtej andej, diçka brenda meje vdiq. Tre skelete ndodheshin nën këmbët e mia. Kisha edhe pak frikë, sepse nuk e dija ku ishin minat tokësore, por e kapërceva frikën. Pas kësaj, diçka më tërhoqi tek ato eshtra”, risjell në mendje Nukiq.

Eshtrat e para që ai gjeti nuk i përkisnin të afërmve të tij. As qindra eshtrat e tjera që ai ka gjetur që atëherë.

Babai dhe vëllezërit e Nukiqit u gjetën në Zvornik vitin e kaluar, 20 vjet pas gjenocidit. Ata ishin varrosur në varrezën myslimane në Potocari, pranë Srebrenicës.

Ai tha se për shkak se u ndje shumë i lumtur kur i gjeti ata, nuk do ta ndalë kurrë kërkimin e tij për eshtra, në mënyrë që çdo familje të përjetojë të njëjtën ndjesi.

“Mbledh edhe eshtrat më të vogla. Nuk ka rëndësi nëse ato do të varrosen apo jo në një varr kolektiv. Gjëja më e rëndësishme është t’i mbledh”, shpjegoi ai.

Disa kanë shprehur mosbesim në misionin që Nukiq po kryen i vetëm.

“Të afërmit e mi më kanë thënë: “Ti je budalla. Pse sillesh rrotull kot? Për kë?” tha ai.

“Po, por nuk mund t’i lë këto eshtra të kalben në fund të ndonjë përroi, ndërkohë që nëna ose motra e dikujt po qan dhe kërkon pa pushim. Të gjithë janë të lumtur të gjejnë njerëzit e tyre, ashtu siç u gëzova unë që gjeta vëllezërit dhe babanë tim”, shtoi ai.

“Kjo është një kofshë, këto janë brinjë”

Në ditët e sotme pjesën më të madhe të eshtrave ai i gjen pranë përrenjve thellë në pyll. Falë përpjekjeve dhe këmbënguljes së tij, Instituti për Personat e Zhdukur në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur të identifikojë më shumë se 200 viktima nga Srebrenica.

Duke ecur përmes shkurreve dhe pyllit, Nukiq, i cili mban një shkop në dorë, shënon çdo vend ku ai ka gjetur eshtra në sipërfaqe dhe i bën grumbull aty eshtrat.

Duke ia treguar një grumbull të tillë një gazetari të BIRN, ai tha se tashmë ka mësuar të njohë pjesët e eshtrave.

“Shiko këtu! Kjo është një këmbë, një kofshë. Këto janë eshtra krahu. Kjo është pjesë kafke. Këto janë brinjë dhe vertebra. Këto janë këmbë që i kam gjetur bashkë me çorape”, shpjegoi ai.

“Kur nuk kam ndonjë kuti, i fus nëpër xhepa. I mbledhë dhe i mbaj me vete,” shtoi ai.

Ai tha se dështimi në gjetjen qoftë edhe të një eshtre gjatë kërkimit të një dite të tërë është gjëja më e vështirë për të.

“Nëse nuk arrij të gjej qoftë edhe një eshtër, kur kthehem në shtëpi më duket sikur më kanë rrahur, ndihem i shkatërruar. Aq i trishtuar jam. Por kur gjej një eshtër, jam i lumtur gjithë ditën. Edhe nëse është thjesht një eshtër, të paktën e gjeta”, tha ai.

Nukiq jeton në varfëri në Buljim. Ai nuk ka një punë dhe e mban familjen duke kultivuar luleshtrydhe. Por kërkimi i tij për eshtra do të vazhdojë.

Do të kërkoj derisa atje jashtë të ketë ende eshtra për të gjetur. Instituti për Personat e Zhdukur donte ta mbyllte këtë vend para dy vjetër. Ata thanë se s’kishte më eshtra”, rikujton ai.

“Unë i thashë të mos e mbyllnin. Për aq kohë sa jam unë këtu për të mbledhur ato eshtra, nuk do ta mbyllni këtë vend. Kur të ndaloj së kërkuari unë, atëherë do ta kuptoni që këtu s’ka më eshtra”, tha ai.

Njëzetë e një vjet më vonë, më shumë se 7,000 viktima nga Srebrenica janë gjetur në Bratunac, Zvornik dhe Srebrenicë.

Kërkimi për më shumë se 1,000 të tjerë vazhdon ende. /BIRN/

nukic11

nukic22-780x439

nukic33

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img