Lajme

Krishtlindja te shqiptarët në Zvicër: Le të na bashkojë e mira e përbashkët!


Publikuar më:


Qindra besimtarë katolikë shqiptarë u mblodhën në mesnatën e Krishtlindjeve në katedralen e “Pfarrei Gerliswil” në Emmenbrucke të kantonit të Luzernit, për të kremtuar këtë moment të rëndësishëm në kalendarin kristian.

Duke u lutur për paqe dhe qetësi, dashuri dhe gëzim, besimtarët kanë kryer ritet fetare në një atmosferë festive. Mesha në përkujtim të lindjes së Jezu Krishtit nisi me një program që kishin përgatitur fëmijët, për të vazhduar më pas me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla.

Po e fillojmë këtë meshë duke e lutur zotin që ai të jetë paqja dhe bekimi ynë. Ju ftoj të gjithëve që duku ju lutur zotit t‘i kërkojmë të na falë gabimet, lëshimet në mënyrë që të kremtojmë këtë natë të shenjtë me zemra të pastra, u është drejtuar besimtareve në hyrje të meshës Don Agim Qerkini.

“Kremtimi i festës së Krishtlindjes në gjuhën shqipe, na bën të ndjejmë një pjesë të atdheut edhe këtu në Zvicër. Jemi bashkuar në këtë natë për të kremtuar lindjen e Jezu Krishtit, natë në të cilën shndriti drita e amshuar, sepse filloi të konkretizohet në kohë dhe hapësirë në kushtet njerëzore vepra e madhe hyjnore e shërbimit të mbarë botës”, u shpreh ai më tutje.

Viti 2016, vit i madh për shqiptarët

Festa e Krishtlindjes është festë e jetës, sepse zoti është zot i jetës ka thënë meshtari Don Qerkimi. Ai me tej ka thënë se edhe në momente të vështira dhe përkundër kushteve me të cilat shpeshherë është përballur populli ynë, ai që beson te zoti dhe është besnik, tejkalon vështirësitë dhe qëndron kryelartë. Për ne si popull, vitin që po e lëmë pas, ishte vit i ynë, vit i shqiptarëve, vit i kishës sonë, duke përmendur dy ngjarje të rëndësishme siç është shenjtërimi i Nënës Terezë dhe lumturimi i martireve që na bëjnë krenarë.

Festa e Lindjes së Krishtit, është porosi për prindërit ta duan jetën t`i pranojnë fëmijët si urata të zotit dhe në këtë mënyrë në këtë festë të gëzueshme të përtërihemi të gjithë sepse me lindjen e Krishtit, duhet të rilindë jeta e secilit prej nesh.

Le të bëhen shtëpitë tona familjet tona Betlehem në të cilin do të banojë paqja e bekimi i zotit. Secili prej nesh duhet të kontribuojë

që kjo paqe e Krishtit në familjet tona të jetë e përhershme. Që në popullin tonë të vazhdojë të ruhet ajo vlerë e mirëkuptimit, pavarësisht se cilit besim i përkasim. Mbi te gjitha le të na bashkojë e mira e përbashkët dhe një zot i vetëm, kanë qenë këto mesazhet drejtuar besimtareve nga meshtari Don Agim Qerkini.

Pas përfundimit të ceremonisë së kremtes së lindjes së Krishtit, besimtarët e krishterë kanë uruar njeri tjetrin me urimin për paqe dhe dashuri, duke u lutur për një vit edhe më të mbarë.

Të rinjtë e pëlqejnë Krishtlindjen: Një ndjesi e veçantë

Kola Tanushi, ka thënë për albinfo.ch se kjo festë është një përjetim i jashtëzakonshëm, përkundër faktit se këtë festë e feston larg vendlindjes së tij, ai ndjehet mjaft mirë. Ai është shprehur se nuk ka shumë dallim nga mënyra e festimi mes shqiptareve dhe vendësve.

Për Leonard Velajn, festa është një ndjesi e veçantë, kremtimi i së cilës bëhet në rrethin familjar. Ai ka thënë se kjo festë ka një dallim në mënyrën se si festohet te ne, në krahasim me atë si festohet te zviceranët. Ne kryesisht e festojmë me familjarë duke u mbledhur për te kremtuar jo vetëm në natën e lindjes se Krishtit, por duke vazhduar festën edhe ditëve të tjera, ka thënë Velaj për albinfo.ch.

Ndërsa për çiftin Engjull Dedaj dhe Vusa Dedaj, kremtimi i Krishtlindjes është një ditë që i shërben paqes, mirëkuptimit, mirëqenies dhe dashurisë në mes të gjithë njerëzve, festë e begatshme për familje. Edhe për ta kremtimi i kësaj feste bëhet në mënyrë më tradicionale, duke u mbledhur bashkërisht me familjare për të festuar, për të vazhduar edhe ditëve të tjera me vizita tek familjar dhe miq.

Për të rejën, Daniela Prendrecaj, kremtimi i Krishtlindjes është festë e madhe. Kurse për Donika Bisakin, kjo është një festë që mundëson që të mblidhemi gjithë familja për të festuar dhe kaluar çaste të këndshme.

Për Arben Kajtazin, kremtimi i festës së Krishtlindjes larg vendit të tij e zbeh pak këtë kremte, por megjithatë ai thotë kjo festë bëhet kryesisht në ambiente familjare dhe se për të kjo është një festë për të gjithë. /albinfo.ch

.

Comments
To Top