25,04,2024

Krerë politik e fetarë i urojnë besimtarët katolik për Krishtlindje

Must Read

Për të uruar besimtarët katolik për festën e Krishtlindjes, kisha katolike  “Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, u vizitua nga udhëheqës të institucioneve lokale, të bashkësive fetare dhe nga përfaqësues të partive politike në këtë qytet.

“Një festë që na ka bashkuar gjithmonë, sepse kombi ynë, në mënyrë të veçantë Ferizaj, ka qenë dhe mbetet shembull i tolerancës, shembull i respektimit të këyre vlerave dhe në këtë kuadër erdhëm që të dëshmojmë edhe një herë se jemi po të njëjtit dhe çdoherë do të jemi po të njëjtit dhe çdoherë kombi ynë do të jetë i bashkuar. Sigurisht se mesazhi i Krishtlindjes është mesazh i lindjes së shpresës, mesazh për më shumë dashuri dhe më shumë mirëqenie dhe ne e kemi ofruar atë gjatë këtij vitit që po e lëmë’’, tha Agim Aliu, kryetar i komunës së Ferizajt.

“Unë besoj se bota asnjëherë nuk ka pasur nevojë më shumë për solidaritet, për humanizëm sesa sot dhe besoj që uniteti është ajo që në veçanti na nevojitet neve si një popull i rëndësishëm  i Gadishullit Ballkanik. Jam i lumtur që ne jemi në harmoni me të gjitha komunitetet fetare dhe që kemi një bashkëpunim të frytshëm në të gjitha etapat me komunitetin katolik shqiptar, sidomos në Ferizaj dhe besoj se Ferizaj e ka vendin e merituar në kultivimin e kësaj tradite”, tha Muharrem Svarqa, kryetar i LDK-së në Ferizaj.

“Pavarësisht që pjesa e komunitetit të krishterë në Ferizaj është më e vogël se ai mysliman megjithatë shqiptarët gjithmonë kanë qenë bashkë dhe ajo që i dallon nga popujt e tjerë është se feja asnjëherë nuk i ka ndarë, e kanë respektuar njëri tjetrin pavarësisht feve të ndryshme, ajo që është interesante dhe ajo që thuhet në të gjithë  botën se shqiptarët nuk i ndan feja është e vërtetë, sepse shqiptarët janë vëllezër dhe nuk kanë dallime fetare, festojnë bashkërisht edhe fetë myslimane edhe krishtere edhe ortodokse”, tha Xhavit Zariqi, kryetar i AAK-së në Ferizaj.

“Në këto ditë kur mbizotëron fjala paqe, hare, harmoni dhe sakrificë edhe Lëvizja Vetëvendosje me këtë rast shpreh gjithë konsideratën për komunitetin e krishterë në qytetin e Ferizajt dhe në  gjithë Kosovën dhe me këtë rast jemi së bashku me një pjesë të asamblistëve dhe të aktivistëve të qendrës në Ferizaj që të urojmë komunitetin e kishterë për festën e Krishtlindjes”, tha Enver Haliti, nga  LVV në Ferizaj.

Për paqe dhe harmoni në mes të komuniteteve fetare kanë uruar edhe përfaqësuesit e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj dhe ata të Policisë.

“Pavarësisht besimit që kemi, ajo që na detyron neve është që të punojmë për të ardhmen e vendit tonë, për një shtet të përbashkët, ndërsa besimet dhe praktikat që na urdhëron besimi ne duhet t’i kryejmë ashtu siç obligohemi, ndërsa në çështjen e vendit tonë kemi obligim të përbashkët që pavarësisht besimit ne duhet të jemi bashkë dhe të punojmë për të ardhmen tonë’’, tha Bujar Hasani, kryetar i KBI-së në Ferizaj.

 “Është kënaqësi për neve si Polici e Kosovës me qenë pjesë e gëzimeve dhe pjesë e festave të qytetarëve tanë, në këtë rast edhe pjesë e festës së Krishtlindjeve që besimtarët katolik e festojnë, në emër të Drejtorisë Rajonale të Ferizajt urojmë të gjithë besimtarët katolik gjithë të mirat për familjet  e tyre, dashuri, paqe dhe begati dhe pritshin për shumë mote Krishtlindjet, uroj që gjithmonë të bashkuar të festojmë”, tha Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë në rajonin e Ferizajt.

Për të uruar këtë festë, kisha katolike ”Engjëlli i Rojës” në Ferizaj, ka pritur e përcjellur edhe shumë vizitorë të tjerë.Trasmeton Televizioni Tema

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img