25,04,2024

Kosova vend i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e Serbisë

Must Read

ivica-dacic_1458493441-1037515

Fushata parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë, të cilat mbahen më 24 prill, ka përfshirë edhe mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Në këtë fushatë, tashmë disa herë është shënuar pjesëmarrja e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët vijnë nga radhët e komunitetit serb, përkatësisht nga Lista Serbe.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, shqiptarë dhe serbë, vlerësojnë se kjo pjesëmarrje e tyre edhe një herë ka shpërfaqur faktin se ata më shumëi janë besnik shtetit serb sesa shtetit të Kosovës, në të cilin janë pjesë e ekzekutivit dhe kjo paraqet paradoks politik.

Të shtunën, gjatë një përurimi të një ure në Lapnasellë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe, ka shoqëruar shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, si dhe ka kërkuar votat e qytetarëve të pranishëm për Partinë Progresiste Serbe dhe liderin saj Aleksandar Vuçiq, aktualisht kryeministër i Serbisë.

“Më 24 prill, e di se kujt do t’ia ofrojmë besimin, e di për kë do të përcaktohemi. Vetëm për njërin, për Aleksandar Vuçiqin, i cili është i vetmi që gjatë këtyre viteve ka qenë sinqerisht me neve dhe i vetmi që ka mbijetuar me ne”, ka thënë zëvendëskryeministri Stojanoviq.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se pjesëmarrja e zyrtarëve të institucioneve të larta të Kosovës në fushatën elektorale të zgjedhjeve të Serbisë, vë në pikëpyetje lojalitetin e tyre ndaj vendit ku jetojnë.

Petar Miletiq, ish- nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të japë një përgjigje se pse tolerohen veprimet e tilla të anëtarëve të saj serbë, të cilët, sipas tij, kryesisht janë pjesëtarë të Partisë Progresiste Serbe të Vuçiqit.
“Kjo po tolerohet nga ana e Qeverisë së Kosovës gjatë gjithë kohës. Kjo nuk ka nisur tash, në fushatë zgjedhore, por deri më tash ka pasur mjaft deklarata, nëpërmjet të cilave Branimir Stojanoviq, e kritikon Prishtinën, të themi për mospërmbushjen e një pjesë të marrëveshjeve të Brukselit. Ai në disa raste ka pasur të drejtë”.

“Por, sidoqoftë, ai është pjesë e Prishtinës. Duke marrë parasysh që deri më tash atij askush nuk ia ka tërhequr vërejtjen, se ai po sillet si përfaqësues i Beogradit dhe jo i Prishtinës, ai ka vazhduar të sillet ashtu. Tashmë është e parëndësishme që t’i tërhiqet vërejtja se kjo është mosbesnikëri”, thotë Miletiq.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ditë më parë kanë theksuar se prania e politikanëve të Serbisë në Kosovë, dhe zhvillimi i fushatës parazgjedhore, nuk paraqet pengesë për ta, për faktin se” në këtë mënyrë po respektohet dyshtetësia e qytetarëve serbë të Kosovës dhe e drejta e tyre që të marrin pjesë në proceset zgjedhore të Serbisë”.

Por, ata nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se cili është qëndrimi i tyre lidhur me pjesëmarrjen e zyrtarëve serbë të Qeverisë së Kosovës në këto fushata zgjedhore.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar nga serbët e Kosovës, të inkuadruar në institucionet legale të vendit, besnikëri ndaj shtetit, rendit të tij ligjor, kushtetues dhe simbolik, por një gjë e tillë u është lënë në ndërgjegje këtyre politikanëve.

Ai thotë se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në institucionet e larta, duhet ta kuptojnë se është e pamundur që të jesh besnik njëkohësisht ndaj dy rendeve kushtetuese apo dy shteteve sovrane.

“Sigurisht që Qeveria e zotit (Isa) Mustafa duhet të reagojë që të kërkojë përgjegjësi për secilën fjalë dhe secilin veprim nga kabineti i tij qeverisës, pa marrë parasysh që në këtë rast kemi të bëjmë me një pjesëtar të komunitetit serb”.

“Edhe nëse ndonjë pjesëtar i komunitetit shumicë, shqiptar, i cili do të lobonte ose do të bënte fushatë për një parti të regjistruar në një shtet tjetër, nuk do të ishte e hijshme. Prandaj, do të duhet që edhe nga ai të kërkohej përgjegjësi, përkatësisht, llogari”, vlerëson Matoshi.

Miletiq thotë se gjatë veprimtarisë së tij politike ka qenë ithtar dhe i angazhuar për një politikë që nuk e përjashton bashkëpunimin me Beogradin, por që ajo të jetë autonome dhe autoktone e serbëve të Kosovës. Ai kritikon ministrat e tanishëm serbë në Qeverinë e Kosovës.

“Unë, thjesht, nuk do të sillesha kështu dhe as nuk jam sjellë kështu. Por, përfaqësuesit e tanishëm të serbëve në Kosovë, gati se e gjithë lista, gati të gjithë, po e marrin fuqinë dhe energjinë e tyre politike pikërisht nga Beogradi”.

“Pra, asnjë nga ta nuk do të ishte në atë vend sikur të mos ishte mbështetja e Marko Gjuriqit dhe Aleksandar Vuçiqit. Atë mbështetje, ata po e kthejnë. Është logjike sjellja e tyre. A është kjo besnikëri ndaj Prishtinës? E pse do të ishin besnikë kur ata nuk janë vendosur aty as nga Prishtina, e as nga votuesit. Ata janë vendosur aty nga Beogradi”, thekson Miletiq.

Të dy njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se sjelljet e përfaqësuesve serbë të institucioneve të Kosovës, po dërgojnë sinjale të fuqishme dhe negative te serbët e rëndomtë, qytetarë të Kosovës, nëpërmjet të cilave u japin të nënkuptojnë se mund të mos i ofrojnë besnikëri shtetit të Kosovës dhe të vazhdojnë ta mbajnë shikimin kah Beogradi.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img