Lajme

Kosova në konferencën e Policisë Evropiane


Publikuar më:


Në takimin e policisë së kryeqyteteve evropiane mori pjesë edhe drejtori rajonal i Policisë së Prishtinës nënkoloneli Rexhep Sijarina.

Sipas një komunikate të Policisë së Kosovës në kryeqytetin e Hungarisë u mblodhën drejtues të 35 policive të kryeqyteteve të shteteve evropiane dhe agjencive të tjera të përfshira në zbatimin e ligjit në konferencën e 38-të të tyre.

“Gjatë kësaj konference u prezantuan ngjarje të cilat kanë ndodhur në disa kryeqytete te Evropës si Moska, Madridi, Brukseli, Londra, Parisi, Ankaraja etj., ku pjesëmarrësit patën rastin të njoftohen më për së afërmi me rolin e rëndësishëm të policisë në këto ngjarje,” thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Konferenca kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit në luftimin e terrorizmit dhe kriminalitetit.

“U diskutua për gjetjen  e mjeteve dhe metodave si dhe ndërmarrjen e masave të cilat do të ishin në funksion të koordinimit dhe ngritjes së kualitetit të bashkëpunimit në mes policive te kryeqyteteve evropiane në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative si dhe kriminalitetin me theks të veçantë terrorizmin,” shpjegon komunikata.

Edhe sot policia do të zhvillojë një konferencë në Prishtinë ku do të flitet për kërcënimet nga krimet e rënda dhe krimi i organizuar.

Comments
To Top