27,04,2024

Klubi letrar “De Rada” nderon kryetarin e parë të tij Hajro Ulqinakun

Must Read

Dje, në ambientet e Qendrës së Kulturës në Ferizaj, Klubi Letrar “De Rada” promovoi librin më të ri të autorit të mirënjohur Hajro Ulqinaku “Libri për detin”. Për këtë libër, i cili në të vërtetë është një përmbledhje e gjashtë veprave të autorit, folën Sylejman Dërmaku, redaktor dhe Zyrafete Shala, recensuese e librit, të cilët e çmuan lart krijimtarinë e këtij autori. Në anën tjetër, kryetari i klubit, Gazmend Bytyçi, shpalosi një historik të shkurtër të themelimit të De Radës, nga viti 1971, kur Hajro Ulqinaku ishte emëruar kryetar i parë i tij. Për fund, klubi kishte përgatitur një befasi për mysafirin, të cilit iu dha një mirënjohje për kontributin e tij dhe titulli i Kryetarit të Nderit të Klubit Letrar “De Rada”.

Autori i librit, Hajro Ulqinaku, u shpreh i lumtur dhe tepër i emocionuar për nderin e madh që i bën “vendlindja e tij e dytë”- siç e quajti Ferizajn, pas më shumë se 60 vitesh, kur për herë të parë erdhi të punojë dhe jetojë në qytetin tonë. Ai pasi i dorëzoi kryetarit të tashëm të klubit disa dokumente dhe libra të klubit, që datonin nga themelimi i tij në fillim të viteve shtatëdhjetë, u shpreh se sot ndjehej edhe një herë një djalosh i ri, pasi që kthehej përsëri në vendin dhe familjen e tij. “Sot, pos tjerash, është një ndër ditët më të lumtura të jetës time, ndjehem tepër i emocionuar nga ky nder i madh që më bëhet”- tha ai.

Ky promovim libri, i cili njëherësh shënonte edhe 80 vjetorin e lindjes së autorit të librit dhe Kryetarit të parë të Klubit Letrar “De Rada”, Hajro Ulqinaku, u përcoll me lexim të disa poezive të zgjedhura nga libri, nga Edona Salihu dhe Bleona Mustafa, ndërsa u ndoq nga shumë qytetarë, në mesin e tyre edhe shumë fëmijë, nxënës të shkollave fillore të qytetit tonë, që kishin ardhur ta takonin autorin e tyre të preferuar.

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img