29,03,2024

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi: Gjendja në Ferizaj e qetë dhe stabile

Must Read

U mblodh Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi ku u diskutua fushata për legalizimin e armëve pa leje dhe gjendja e sigurisë në Ferizaj

Paraditen e sotme, në ambientet e Komunës së Ferizajt, u mbajt mbledhja e parë në vitin 2019 e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, mekanizmi më i lartë ky i sigurisë në nivel lokal. Në këtë mbledhje ku të pranishëm ishin edhe një delegacion nga Ministria e Punëve të Brendshme e kryesuar nga zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka, u diskutua veçanërisht për fushatën e legalizimit të armëve pa leje, si dhe gjendjen e përgjithshme të sigurisë në territorin e Ferizajt.

Para kësaj mbledhje, numrin dy të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e priti në një takim edhe i pari i Ferizajt, Agim Aliu i cili e njohu për së afërmi me arritjet në Komunën e Ferizajt në fushën e sigurisë publike si dhe i konfirmoi gatishmërinë që qeverisja lokale të marr përsipër të gjitha obligimet që dalin nga fushata për legalizimin e armëve pa leje.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, para të pranishmëve, anëtarë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi dhe nikoqirit të këtij takimi, nënkryetarit të Komunës, Naim Ferati, paraqiti angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë fushatë vetëdijësuese, që do të vendoste një sistem kontrolli të armëve në duart e qytetarëve, duke i legalizuar ato dhe kontrolluar kushtet e lejeve përkatëse. Më shumë hollësi për këtë proces, që ka derivuar nga miratimi i ligjit përkatës dhe vendimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, dha edhe Udhëheqësi i Divizionit për Armë dhe Municion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Destan Mustafa. Ai para anëtarëve të KKSB-së bëri të ditura gjitha fazat procedurale që duhet të ndiqen dhe llojet e armëve që përfshihen në procesin e legalizimit. Po kështu, pyetjeve në interes të të pranishmëve i dha përgjigje edhe zyrtarja nga UNDP në procesin e fushatës për legalizimin e armëve, Jeta Tela.

Sipas të dhënave nga organet e sigurisë dhe monitorues të ndryshëm vendor e të huaj, në vendin tonë qarkullojnë diku afro 200,000 armë pa leje në duart e qytetarëve dhe ky proces, pra i legalizimit synon që të zvogëloj këtë hendek si dhe përfundimisht të vë kontroll të tyre.
Fushata e lansuar më 17 dhjetor 2018 e që do të zgjas deri më 17 qershor 2019, synon që të ndërgjegjësoj qytetarët e vendit që për armët e tyre të aplikojnë në procesin e legalizimit dhe pas kalimit të filtrave të nevojshëm të kontrollit të posedojnë këtë të fundit, sipas standardeve të kërkuara ligjore, në ndërkohë, pas kësaj periudhe kohore të fushatës, u paralajmërua se edhe masat ndëshkimore për armëmbajtësit pa leje do të ashpërsohen.

Anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi parashtruan pyetje të ndryshme për procedurat e legalizimit të armëve që mëton MPB t’i zbatoj në këtë proces. Vërejtje kryesisht pati për kostot e legalizimit, gjegjësisht aplikimit dhe gjithë dokumentacionit që duhet të grumbullohet për aplikim, mirëpo për të cilat zyrtarët e MPB-së deklaruan se janë në harmoni me parashikimet ligjore të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës. Kërkesë nga kjo pikë e rendit të ditës, doli të jetë vetëdijesimi më i gjerë i qytetarëve posedues të armëve që të futen në proces legalizimi të tyre.

Pikë tjetër e rendit të ditës, në mbledhjen e drejtuar nga nënkryetari i Komunës, Naim Ferati ishte edhe gjendja e përgjithshme e sigurisë në territorin e Ferizajt. Komandanti i Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara njoftoi të pranishmit se përjashtimisht rasteve të grabitjeve të armatosura të evidentuara së fundmi e për të cilat janë marr të gjitha veprimet e nevojshme të sigurisë, rastet e tjera janë të një shkalle rrezikshmërie më të ulët që derivojnë konstatimin se gjendja e sigurisë në Ferizaj është përgjithësisht e qetë dhe stabile.

Në këtë mbledhje u raportua edhe për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të borës, për të cilat nga të pranishmit u konstatua se është bërë një punë e lavdërueshme në mirëmbajtjen e rrugëve nga qeverisja lokale, duke mundësuar qarkullimin më të lehtë të qytetarëve. 
Pika të diskutimit në këtë mbledhje ishin edhe paraqitja e raportit të punës së KKSB-së për vitin 2018 në Kuvendin e Komunës dhe hartimi i Planit të Punës, për të cilat u mor vendim që muajin vijues të jetë të gatshme për prezantim para anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img