“8 orë punë”, Respekt për punëtorët”, janë komentet e shumta të cilat kanë vërshuar faqen zyrtare të ”Viva Fresh Store”, në postimet e ofertave që ky rrjet i marketeve i ka bërë në llogarinë e tij në facebook. Përmes fushatës e cila pason atë që iu bë përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, pas deklaratës së saj kundër taksës që Kosova ia ka vënë Serbisë, kërkohet respektimi i të drejtave të punëtorëve që janë të punësuar në ”Viva Fresh Store”. Drejtori i marketingut në “Viva Fresh Store” Erton Bega, thotë se kjo fushatë është inicuar nga një portal, të cilin, sipas tij, ky rrjet i marketeve ka refuzuar ta financoj.
“Është një kampanjë e inicuar nga një portal i cili në mungesë të qëllimeve financiare ka filluar të inskenoj situata kinse në kompaninë tonë nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, unë mund të deklaroj se të gjithë punëtorët që ne i kemi janë me kontrata pune sipas ligjit në fuqi dhe për të gjitha angazhimet që marrin qoftë në kuadër të rregullt, qoftë nga orari shtesë ata paguhen ose iu kompensohen me ditë të lira, kështu që deri tani ne nuk kemi asnjë kontest ligjor ku ne kemi bërë ndonjë shkelje apo nuk i kemi respektuar të drejtat që i garanton ligji i punës, por nisma të tilla ndaj korporatave në Kosovë ka shumë nga portalet që janë bërë shumë dhe e kemi të pamundur që t’i mbulojmë të gjitha mediat që ekzistojnë në Kosovë, prandaj janë këto probleme, por ne jemi adaptuar dhe nuk është se i kushtojmë rëndësi shumë”, tha Bega.
Bega këmbëngul se të drejtat e punëtorëve në ”Viva Fresh Store” respektohen ashtu siç parashihet me Ligjin e Punës.
“Vazhdimisht të gjitha politikat tona të cilat lidhen me punësimin dhe rekrutimin dhe mbajtjen e punëtorëve bëhen sipas ligjit në fuqi dhe akteve nënligjore dhe nuk kemi asnjë rast që është kontestuar apo është dokumentuar ndonjë shkelje nga institucionet relevante. Para festave rritet puna dhe ka dy zgjidhje që mbulohen nevojat e shtuara të kompanisë para festave, është përmes shtimit të punëtorëve jo të rregullt që angazhohen në ditë ose rritjes së orarit të punës që kompensohet përmes pagesës ose përmes kompensimit me ditë të lira, sigurisht që para festës orari punës do të zgjatet, por do të bëhet kompensimi siç e parasheh ligji i punës, është çudi të mendohet se një kompani e madhe me kaq shumë dyqane dhe punëtorë mund ta shkel ligjin në këtë formë siç pretendohet nëpër portale të caktuara, por ne nuk kemi çka bëjmë, ndihemi të shantazhuar, nuk funksionon rendi dhe ligji dhe këtu është problem që kushdo mund të shkruaj çka të dojë, por në fund janë konsumatorët ata që vlerësojnë, janë punëtorët dhe familjet e atyre punëtorëve që e dinë se punëtorët paguhen dhe çdo veprim që ne ndërmarrim në raport me punëtorët është i bazuar në ligj”, tha Bega.
Sipas drejtorit të marketingut Erton Bega, në rrjetin e marketeve të ”Viva Fresh Store” në të gjithë Kosovën, janë të punësuar rreth 2 mijë e 500 punëtorë.Treasmeton Televizioni Tema