Lajme

KEDS zë deri 10 mijë raste të vjedhjes së rrymës në vit


Publikuar më:


Energjia elektrike në Kosovë po vazhdon të keqpërdoret nga qytetarët. Për të zvogëluar shumën e energjisë elektrike që mund të vijë në fund të muajit, ka më mijëra raste ku vidhet përmes kyçeve ilegale në linjat e energjisë. Sipas KEDS-it që furnizon konsumatorët me energji elektrike, ata zënë deri në 10 mijë raste në vit që keqpërdoret energjia.KEDS ka bërë të ditur se janë mbi 25 mijë raste të dërguara në gjykata deri tash. “KEDS zë deri në 10,000 raste në vit duke e keqpërdorur energjinë elektrike. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, ato të cilat vlerësohet se përbëjnë precedente penale dërgohen në Gjykatë. Janë mbi 25,000 raste të dërguara në gjykata deri tash. Fatkeqësisht, në një mesatare nuk shqyrtohen më tepër se 1000 raste nga to brenda vitit nga sistemi i drejtësisë. Kjo po e vë në pozitë shumë të vështirë KEDS-in, pasi afekton direkt operimet e kompanisë. Fatkeqësisht, problem më madhor janë lëndët të cilat janë dorëzuar që nga viti 2013 dhe mos marrja e vendimeve me kohë ka bërë që një pjesë e tyre të parashkruhen, duke e dëmtuar kompaninë në masë të madhe, gjithashtu nuk është arritur qëllimi juridik pasi shumica e konsumatorëve e kanë përsëritur veprën pa pasur ndëshkime ligjore sipas dispozitave ligjore të ligjeve të aplikueshme në republikën e Kosovës”, ka thënë për Indeksonline zëdhënësit i kësaj kompanie, Viktor Buzhala. Ai ka theksuar se nëse vazhdohet me vonesa të trajtimit të lëndëve me një trend të tillë, do të ketë motivim për të përsëritur keqpërdorimet. “Nëse do të vazhdohet me trend të tillë të trajtimit të lëndëve të KEDS-it do të ketë pasoja të parikuperueshme në aspektin financiar, ndërsa për keqbërësit kjo formë e veprimit është shpërblim, dhe motivim për të përsëritur keqpërdorimet”, thuhet në përgjigjen e tyre. Për të ndaluar rastet e keqpërdorimeve me energji, janë angazhuar ekipe në terren të cilat përmes pajisjeve po detektojnë vjedhjet e energjisë. “Ne po bëjmë maksimumin që t’a luftojmë maksimalisht këtë dukuri negative. Kemi të angazhuara gjatë 24 orëve, 7 ditë të javës ekipet në terren, të cilat posedojnë pajisjet më profesionale që detektojnë çdo keqpërdorim të energjisë eletrike. KEDS përmes ekipeve të veta ka arritur t’i zbulojë edhe format më të sofistikuara të vjedhjeve të energjisë elektrike. Pra, nuk ka formë që nuk mund të zbulohet nga ana e KEDS-it”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e tij. Sipas tij, humbjet nga viti 2013 kanë nisur të bien për shkak të qytetarëve dhe ekipeve që po zbulojnë rastet e vjedhjeve të energjisë. “Të njëjtën kohë, KEDS ka bërë edhe fushata të ndryshme për vetëdijësim, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve në luftimin e kësaj dukurie. KEDS u ka garantuar dhe vazhdon t’u garantojë diskrecion të plotë të gjithë atyre që raportojnë rastet. Bashkëpunimi me qytetarë të ndershëm ka rezultuar shumë i frytshëm dhe ka bërë që ekipet tona t’i zbulojnë shumë raste të keqpërdorimeve. Kjo ka rezultuar në zvogëlim të vazhdueshëm të humbjeve dhe nga viti 2013, kur ishin trashëguar humbje në nivelin 32 për qind, ato kanë rënë në 24 per qind dhe rënia është nga viti në vit”, ka thënë mes të tjerash Buzhala. Ndryshe, Departamenti për Energji në MTI ka theksuar se nga 24 përqind humbje të cilat çdo vit raportohen të zyra e rregullatorit, mbi 50 përqind e tyre janë vjedhje e energjisë.
To Top