Ferizaj

Kastrioti në luftë me sllovakët, kërkojnë të përsëritet ndeshja!


Publikuar më:


Trajtimi jonjerëzor në Sala të Sllovakisë, ka shtyrë klubin me renome Kastriotin nga Ferizaj (meshkujt), që të marrë hapa tjerë dhe të kërkojë drejtësi në Federatën e Hendbollit Evropian (EHF).

Kastrioti ka parashtruar ankesë në EHF dhe kërkon që ndeshja të përsëritet dhe t’i kompensohet edhe dëmi material që iu është bërë nga vendasit.

Ferizajasit presin përgjigje pozitive nga Komisionet përkatëse të EHF-it në lidhje me atë çfarë përjetuan në Sala.

Sipas tyre, të gjitha rrethanat i ka të njohura edhe delegati i ndeshjes, Ilmars Kazinieks nga Letonia. Të dy ndeshjet Kastrioti i kishte zhvilluar në Sala, me HKM Sala dhe me marrëveshje reciproke. Kështu që, ndeshjen e parë e humbi me 31:29 dhe të dytën me 29:22.

Megjithatë, mikpritësi nuk iu kishte qëndruar në fjalë, sepse diku tjetër kanë ngrënë ushqimin, diku tjetër kanë fjetur dhe aq më keq i kanë nxjerrë nga hoteli shtatë orë para fillimit të ndeshjes, për çka e kanë njoftuar edhe EHF-in.

Kryetari i klubit ferizajas, Gëzim Kokollari, tha se do të luftojnë me të gjitha faktet që kanë, që ndeshja të përsëritet dhe t’i kompensohet i gjithë dëmi qoftë moral, psikik dhe material.

“Ne kemi bërë ankesë në EHF, dhe shpresojmë në një përgjigje pozitive. Në këtë ankesë kemi bërë dy kërkesa minimale: 1. Përsëritja e ndeshjes së dytë, dhe 2. Kompensimi material për shkak të dëmeve që na i shkaktuan. Ne presim që EHF të reflektoj dhe gjithsesi të plotësohen kërkesat tona, të cilat janë minimale”, tha Kokollari për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A keni qenë jashtë hotelit? “Po, kemi qenë jashtë hotelit fiks 7 orë para zhvillimit të ndeshjes. Në ora 11.00 na kanë nxjerr nga hoteli, ndërsa në ora 18.00 është zhvilluar ndeshja”, tha Kokollari. Ai tregon se maltretimi tjetër ka qenë rruga (shkuarje e ardhje) 30 kilometra, ku udhëtuan nga hoteli për në restorant, për të ngrënë drekë dhe darkë! Ferizajasit vlerësojnë se trajtimi ka qenë jonjerëzor dhe jo sipas standardeve që kërkojnë mekanizmat ndërkombëtar të hendbollit.

Comments
To Top