25,04,2024

Hashim Thaçi: Asnjë kompleks për lidhje vëllazërore me Shqipërinë

Must Read

hashim-thaci09-780x439

Presidenti i ri i Kosovës ka folur për sfidat e mandatit, marrëdhëniet me Tiranën, gjendja në Ballkan dhe vlerësimi për vizitën e Ramës në SHBA.

Ai ka folur edhe rreth asaj se si do të veprojë për zgjidhjen e krizës politike dhe ka dhënë një përgjigje për Albin Kurtin.

Zoti President, urime për zgjedhjen në krye të shtetit të Kosovës dhe faleminderit për këtë intervistë të parë prej nisjes së detyrës. Doja ta filloja këtë bisedë me një përjetim personal. Kur shikoni pas karrierën dhe jetën tuaj, si ndjehet Hashim Thaçi tashmë President i Kosovës?

Detyra e presidentit përbën një kapitull të ri angazhimi politik në karrierën time prej tri dekadash dhe e konsideroj një sfidë të re të madhe për mua. Unë besoj se gjithë këto vite përvojë të miat në role të ndryshme të jetës publike do të më ndihmojnë ta përballoj siç duhet këtë detyrë. Kur reflektoj për të kaluarën, unë nuk mund të bëj gjë tjetër përveçse të ndihem krenar për popullin tim heroik, për kalvarin e mundimshëm që ka kaluar për të mbërritur në ditët e sotshme. Kosova ia ka dalë mbarë që fillimisht nëpërmjet rezistencës paqësore fisnike e mandej nëpërmjet luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të fitojë lirinë dhe mandej brenda një kohe të shkurtë të sigurojë pavarësinë dhe të ndërtojë një shtet të ri me dinjitet në zemër të Evropës. Kur shoh këto vështirësi të mëdha që kemi kaluar dhe hapat e mëdhenj që kemi përshkuar, përveçse krenar me vendin tim, unë ndihem edhe shpresëplotë, sepse jam i bindur për potencialin dhe vullnetin që ka populli i Kosovës për të kapërcyer me sukses të gjitha vështirësitë dhe proceset që na presin përpara.

Cila është sfida e parë e Presidentit të ri të Kosovës?

Sfida ime e parë ka të bëjë padyshim me Kushtetutën dhe sundimin e ligjit dhe rregullave e procedurave demokratike. Në sistemin tonë demokratik, presidenti është gardian i Kushtetutës që garanton funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Konstitucionalizmi ka të bëjë me garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, duke mundësuar një siguri juridike për qytetarin, si dhe nënkupton një qeverisje të kufizuar, të kontrolluar dhe llogaridhënëse, që rregullohet nga ligjet e Kushtetutës. Vetëm pak ditë më parë ne festuam përvjetorin e 8-të të Kushtetutës së Kosovës dhe unë përfitova nga rasti i shënimit të kësaj ngjarje për të bërë një thirrje për të ndërmarrë hapa e reforma energjike për të garantuar maksimalisht sundimin e ligjit në vendin tonë. Garantimi i sundimit të ligjit është një ndër kriteret e Kopenhagës që duhen përmbushur për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian dhe unë kam për të ndërmarrë të gjithë ato hapa që duhen bërë për të përshpejtuar integrimin euro-atlantik. Unë mendoj se nisja e një reforme përditësuese të Kodit tonë Penal është më se e nevojshme që të adresojmë boshllëqet dhe mbivendosjet ligjore që janë vënë re në rrjedhën e viteve. Reformimi i sistemit tonë të drejtësisë dhe konsolidimi i sundimi të ligjit në vend është gjithashtu një ndër parakushtet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Vendi ynë nuk mund të ecë përpara në ekonomi po qe se nuk siguron një sistem të drejtësisë efikas dhe me integritet që garanton zbatimin e kontratës, mbrojtjen e pronës private dhe konkurrencën e ndershme.

A do të investoheni ju si President në ndërtimin e një faqeje të re për politikën e Prishtinës, pas shumë muajsh të trazuar? Si keni menduar ta përballoni këtë sfidë jo të lehtë?

Në detyrën e presidentit dhe me përgjegjësinë e madhe ligjore që kam, unë do të veproj i udhëhequr nga parimi i kushtetutshmërisë dhe neutralitetit politik, duke ofruar një agjendë dialogu aktiv në mes përfaqësuesve të popullit të të gjitha ngjyrave partiake. Sistemi ynë i liberaldemokracisë ka në themel të tij pluralizmin, që do të thotë se gjithmonë do të ketë mospërputhje apo mospajtime për ide, bindje, qëndrime apo interesa. Është detyra ime që të përpiqem që këto divergjenca të zgjidhen apo konkurrojnë në rrugën institucionale, në frymën e dialogut, tolerancës, bashkëpunimit dhe në respekt të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Gjithashtu si përfaqësues i unitetit të popullit të Kosovës kam për detyrë që të nxis frymën e dialogut me komunitetet jo-shumicë në vend, të angazhohem që të konsolidoj bashkëjetesën në harmoni mes grupeve të ndryshme fetare, si dhe të bëj të mundur që interesat e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë të mos neglizhohen, por zëri i tyre të mund të dëgjohet.

Është e vërtetë që këto zhvillimet e tensionuara politike të muajve të kaluar kanë cenuar parimet dhe vlerat që sapo përmenda, si dhe kanë lënë në hije shumë nevoja, probleme dhe interesa të rëndësishme për vendin dhe popullin tonë. Prandaj, përveç angazhimit konkret për të ndërtuar ura komunikimi e bashkëpunimi mes palëve të ndryshme politike, unë do të bëj çmos që debati publik e ligjërimi politik gradualisht të fokusohet në nevojat dhe sfidat konkrete të vendit tonë që janë përshpejtimi i integrimit euro-atlantik dhe rritja ekonomike. Ne duhet të lëmë pas hatërmbetjet e vjetra dhe ambiciet personale të liderëve të ndryshëm politik dhe të përqendrojmë të gjitha burimet dhe energjitë në të mirën e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur, historia e kaluar është e treguar tejet e padrejtë me ne për faj të të tjerëve, duke na lënë prapa popujve të tjerë, të cilët barrën e rindërtimit të pasluftës, pavarësimit e shtet-ndërtimit e kanë kaluar shumë kohë para nesh. Mirëpo ne tanimë jetojmë në liri dhe pavarësi dhe në vijim e kemi vetë në dorë ta shkruajmë historinë tonë. Unë brenda kompetencave dhe hapësirës që kam si president do ta ngre zërin sa të mundem për të folur për një axhendë ekonomike që trajton me seriozitet problemet e sotshme dhe vizionin zhvillimor për të ardhmen. Rritja ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e kostos së jetës, tërheqja e investitorëve, shtimi i prodhimit të brendshëm, nxitja e eksporteve, përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve publike, këto janë shqetësimet që qytetarët presin të adresohen nga elita politike.

Me Hashim Thaçin si President, si do të jenë marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë?

Padyshim që unë do të angazhohem që këto marrëdhënie do të vijnë duke u thelluar e intensifikuar. Ky proces i konsolidimit të integrimit mes nesh është i natyrshëm dhe i pandalshëm dhe shkon për shtat, jo vetëm me lidhjen tonë shpirtërore dhe emocionale, por edhe me aspiratën tonë të përbashkët të orientimit drejt Brukselit. Prandaj ne nuk duhet të kemi asnjë kompleks apo ndroje për lidhje të ngushtë vëllazërore mes nesh. Faktikisht integrimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë konsideruar parakushte të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Kosova e ka dëshmuar që është një shtet paqedashës që ka ndjekur një politikë aktive të fqinjësisë së mirë, duke u përpjekur që të zgjidh problemet e së kaluarës nëpërmjet dialogut dhe mirëkuptimit.

Çfarë duhet ndryshuar në Ballkan për të larguar hijet e krizave dhe konflikteve, që shfaqen herë pas here?

Për të shmangur këto rreziqe neve në gjithë Ballkanin ne duhet të shpërfillim divergjencat apo interesat e politikës ditore dhe të përqendrohemi tek parimet universale që janë si paqja, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut. Këtu nuk bëhet fjalë për eksperiment por për një formulë të garantuar qeverisje. Tanimë është empirikisht e dëshmuar se përqafimi dhe vënia në jetë e këtyre parimeve në pjesë të tjera të botës ka sjellë e garantuar lumturi, begati, siguri e cilësi të lartë jete. Shumë prej krizave dhe përplasjet që rishfaqjen vijnë për shkak të delegjitimimit të sistemit të demokracisë dhe lirisë në sytë e publikut si pasojë të ecurisë së ngadalshme të shumë proceseve zhvillimore, por ndonjëherë edhe si rezultat i pritshmërive të ekzagjeruara e jorealiste. Prandaj këto vlera nuk duhet t’i marrim të mirëqena, por duhet të përpiqemi sa herë që mundemi që t’i kultivojmë dhe edukojmë në shoqëri në mënyrë që qytetarët të mos bien lehtë pre e aktorëve apo tezave populiste. Mbarë globi është ende duke e marrë veten nga një prej krizave më të mëdha ekonomike të njerëzimit dhe ky është terren tejet fertil për liderë populistë e autokratë që frustrimin apo padurimin e njerëzve ta kanalizojnë drejt ringjalljes së hijeve të së kaluarës duke kultivuar urrejtje, hakmarrje dhe dhunë. Prandaj kura është forcimi i vlerave të lirisë e demokracisë dhe angazhimi serioz në një axhendë zhvillimore që lufton varfërinë dhe papunësinë.

Kryeministri Rama, pas vizitës në Shtëpinë e Bardhë, është shprehur se edhe ju do të jeni për një vizitë në Uashington. Kur është parashikuar një vizitë e tillë?

Unë e përshëndes kryeministrin Rama për vizitën e tij të suksesshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kultivimi i marrëdhënieve të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një ndër prioritetet e mia kryesore si president i vendit. Ne ngelemi përjetë mirënjohës ndaj SHBA-ve, të cilat kanë luajtur një rol kyç në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit tonë dhe po na ndihmojnë fuqimisht në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë së vendit tonë. Ne jemi krenar që së bashku me Shqipërinë gjendemi përkrah Shteteve të Bashkuara në të njëjtin front në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit dhe presim me padurim ditën kur të bëhemi anëtarë me të drejta të plota të të njëjtës aleance. Ne kemi një orientim gjeostrategjik të palëkundur drejt SHBA-ve dhe Perëndimit dhe askush nuk do mund ta ndryshoj këtë orientim, sado që të përpiqet me populizëm e dhunë.

Si e komentoni deklaratën e Albin Kurtit për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara?

Unë e kam dëgjuar me shumë keqardhje atë koment, pasi jo vetëm që është diametralisht kundër opinionit dërrmues të popullit shqiptar, i cili është shumë mirënjohës dhe dashamir ndaj shteteve të Bashkuara të Amerikës, por shkon ndesh edhe me orientimin gjeostrategjik të Kosovës dhe me sistemin liberal demokratik, të cilit i përket Kosova dhe Evropa sot. Për sa i përket pro-amerikanizmit dhe lidhjes së ngushtë të popullit shqiptar besoj se nuk kam nevojë të flas gjatë, sepse ajo është historike dhe nis prej konfirmimit të pavarësisë së Shqipërisë pas Luftës së Parë kulmon tek çlirimi i Kosovës dhe vazhdon dita ditës sot me përkrahjen bujare që na jepet sot. Po ashtu duket qartë që Kosova nuk ka alternativë gjeopolitike përveç Aleancës së Atlantikut Verior.

Si mendoni se do të jetë Kosova, që sot ka edhe shumë probleme ekonomike, pas përfundimit të mandatit tuaj presidencial?

Unë jam shumë optimist për të ardhmen e vendit tim e jam i sigurtë se Kosova do të jetë një vend më demokratik, me një sundim më të konsoliduar të ligjit, me ekonomi tregu më të zhvilluar dhe do të gjendet shumë më pranë NATO-s dhe BE-së. E them me siguri që s’ka kthim prapa, mbase do të hasim shumë vështirësi por e them pa kurrfarë dyshimi që jemi në rrugën e duhur, duhet vetëm pak më shumë përpjekje e punë, pak më shumë besim në sistemin e liberal demokracisë dhe pak më shumë durim në pritje të vjeljes së fryteve të punës që po bëjmë.

Hashim Thaçi – Biografi

Hashim Thaçi është president i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës. Para se të bëhej president, Thaçi ka qenë një vit zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme (2014-2015), si dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës në dy mandate (2007-2014). Thaçi ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe është rizgjedhur vazhdimisht kryetar i partisë, deri më dorëheqjen e tij më 26 shkurt 2016, para se të votohej për President të Kosovës. Hashim Thaçi ka shpallur Kosovën shtet të pavarur më 17 shkurt 2008, ka udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet në Rambuje në shkurt 1999 dhe ka qenë udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të luftës 1997 – 1999. Thaçi ishte lideri politik më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit 2014.

Si Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëhequr dialogun politik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, që më 19 prill 2013, rezultoi me nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për angazhimin e tij për paqe dhe stabilitet, në vitin 2014, Hashim Thaçi është nominuar për Çmimin “Nobel për Paqe” nga kongresmenë dhe senatorë amerikan, si dhe nga përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Karriera politike

Karriera politike e Hashim Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe, ndërsa Universiteti i Prishtinës filloi të vepronte jashtë sistemit institucional. Më 1991, Thaçi zgjidhet prorektor-student i Universitetit të Prishtinës, ku jep kontribut në strukturimin dhe zhvillimin e procesit paralel mësimor universitar. Është njëri ndër themeluesit e organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Nga viti 1997, Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë cilësi, ai kryesoi delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambouillet të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.

Pas luftës, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000. Hashim Thaçi ka qenë anëtar i Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), strukturë kjo e përbashkët qeverisëse e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) dhe klasës politike kosovare, deri më 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e pasluftës.

Në tetor të vitit 1999, Hashim Thaçi ishte ndër themeluesit e Partisë së Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK). Në kuvendin e parë zgjedhor të partisë, në vitin 2000, partia e ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh kryetar i saj, post të cilin e mbajti deri më 26 shkurt 2016. Ai ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisari, që negocioi statusin politik të Kosovës, 2005 – 2007. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Kurse, më 17 shkurt 2008, kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpalli Kosovën shtet të pavarur. Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Përvoja akademike

Hashim Thaçi është diplomuar në Degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës. Studimet post-diplomike në fushën e Historisë së Evropës Juglindore dhe Shkencave Politike i ka bërë në Universitetin e Zyrihut në Zvicër (1996 – 1998).

Të dhëna personale

Thaçi flet gjuhën angleze dhe gjuhën gjermane. Është i lindur më 24 prill 1968 në fshatin Burojë të Skënderajt. Jeton në Prishtinë, Kosovë, me gruan Lumnijen dhe djalin Endritin. /Shekulli/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img