26,04,2024

Hanah Arendt mbi konceptin e lirisë

Must Read

Duke u mbështetur në esenë e Hannah Arendt për liria, në librin “Ndërmjet të shkuarës dhe të Ardhmes”, do të paraqes mendimin e saj kritik dhe alternativ mbi lirinë, e cila paraqet historikisht mendimet mbi lirinë, duke u nisur nga mendimi shkak-pasojë, metafizik, kritikën e
modernitetit që i bënë mendimit se politika dhe liria janë e njëjta gjë.

Pra, do të paraqes kritikat e saj që i bënë ndaj mendimimeve gjatë historisë për lirinë dhe alternativat e saj për një fushë të
sigurtë për lirinë.


Gjithashtu do të paraqes politiken, të cilën e konsideron si fushë ku së pari është paraqitur si fakt i jetës së përditshme liria, dhe në anën tjetër paraqet vështirësitë për shfaqjen e lirisë si një veprim i lirë në fushën e politikës.


Në këtë ese do të paraqes përpjekjen e Hannah Arendt për nxjerrjen e lirisë nga errësira metafizike e Kantit për ta paraqitur si një veprim, i cili shfaqet në bashkësitë shoqërore dhe krijimin e një fushe publike të siguruar për lirinë.


Sipas Hannah Arendt përpjekja për definimin e lirisë dhe nxjerrjen e një përgjigje të asaj se çka është liria të duket një ndërmarrje e pashpresë, e cila të ngjallë kontradikta dhe antinomi për konceptin e lirisë ose të kundërtën e saj. Përpjekjen për definimin e lirisë e krahason me
përpjekjen për definimin e konceptit të rrethit katror, i cili është i pamundur, që në logjikë konsiderohet si nocion jo valid.


Ajo këtë dilemë për definimin e lirisë e paraqet për faktin se kemi mendime të ndryshme gjatë historisë së konceptimit të lirisë, të cilat të fusin në një antinomi, e cila na pamundëson orientimin në ndonjë mendim lidhur me konceptin e lirisë. Pra, sipas Hannah Arendt e kemi të
vështirë se në cilin “bri” të dilemës të kapemi.


“ Në formën e saj më të thjeshtë, vështirësia mund të përmblidhej si një kontraditë midis ndërgjegjësimit dhe ndërgjegjës sonë, nga njëra anë, e cila na dëshmon se ne jemi të lirë e për rrjedhojë të përgjegjshëm, dhe, nga ana tjetër, përvojës sonë të përditshme në botën që na rrethon, ku ne orientohemi nëpërmjet parimit të lidhjes shkak-pasojë” .

Hannah Arendt ishte kritikuese e mendimit, i cili thotë se liria është pjesë e kauzalitetit, e cila e ka një shkak i cili e përcakton lirinë tonë. Ajo thotë se nëse njihen të gjitha shkaqet e pasojave, është e pamundur që liria të futet në marrëdhëniet shoqërore. Dhe në anën tjetër thekson që është
e pamundur të njihen të gjitha shkaqet, të cilat janë të panumërta, dhe së natyra e njeriut është e fshehur nga njerëzit e tjerë, që është e pamundur të njihen motivet e tij.
Hannah Arendt i jep rëndësi të madhe Kantit, i cili e nxjerrë lirinë nga mendimi se liria është pjesë e kauzalitetit, i cili e bënë dallimin në mes të lirisë praktike dhe teorike, dhe në qendër të tyre e vendosë lirinë, e që e quan “vullneti i lirë”.
Arendt ishte kritikuese ndaj mendimit filozofik të lirisë, ku sipas saj liria si problem ishte lënë nash nga filozofia.
Ajo gjithashtu kritikon edhe mendimin metafizik të Kantit mbi lirinë, i cili siç e shpjeguam më
lartë lirinë e quan si vullnet i lirë. “ Pra, është me rëndësi të mbahet parasysh se elementi i vullnetit të lirë, i cili praktikisht është i gjithërëndësishem, nuk shfaqet kurrë në botën e fenomeneve të natyrës, as në botën e jashtme të kapshme prej pesë shqisave tona dhe as në botën
e shqisave të brendshme nëpërmjet të cilave njeriu ndjenë vetveten”.

Hannah Arendt është kritikuese ndaj mendimit metafizik të lirisë për arsye se liria nuk shfaqet aspak në fushën e mendimit dhe as liria dhe e kundërta e saj nuk ekzistojnë në dialogun në mes unit dhe meje.
Hannah Arendt nuk e pranon mendimin shkak-pasojë dhe as mendimin metafizik të Kantit për lirinë për arsye se ajo mundohet që lirinë ta bëjë të pranishme në mes njerëzve dhe ta bëjë të prekshme.
“ Fusha ku liria është njohur dhe mbajtur kurdoherë parasysh, jo si një problem, le të jemi të
qartë, por si një fakt i jetës së përditshme, është fusha politike” .
Hannah Arendt e merr politiken vetëm si një fushë, e cila të përbashkët me lirinë e ka veprimin, dhe në këtë mënyrë sipas saj liria mund të zbritet në rrafshin e prekshëm.


Arenndt e sheh të vështirë bërjen e një realiteti të prekshëm të lirisë pa një “fushë publike të garantuar” e cila mund të mbijetojë. Pra, sipas saj liria e cila nuk e ka një fushë të garantuar, në të cilën është e lirë të veprojë, jo të kontrollohet, ajo mund të strehohet vetëm në shpirtrat e njerëzve vetëm si dëshirë, por shpirti njerëzor sipas saj është një vend i errët, dhe çfarëdo që të ndodhë në errësirën e tij, nuk mund të quhet fakt i domosdoshëm.


Hannah Arendt paraqet edhe kritikën e modernitetit që i bënë lirisë politike, pikërisht idenë e liberalizmit që thotë se politika e zbeh lirinë e njeriut. Arenndt nuk e mohon mundësinë e veprimit të përbashkët në mes politikës dhe lirisë, mirëpo parqet dilemat dhe vështirësitë që i
dalin lirisë në fushën e politikës.
“ Lindja e totalitarizmit, përpjekja e tij për t’i nënshtruar të gjitha sferat njerëzore ndaj politikës dhe mosnjohja sistematike e të drejtave qytetare e, veçanërisht, mosnjohja e të drejtës së jetës private dhe asaj të lirisë prej politikës, na bënë të dyshojmë jo vetëm rreth përkimit të politikës
me lirinë, por edhe rreth përputhshmërisë midis tyre”.
Pra, Hannah Arenndt duke u mbështetur në disa sisteme politike, veçanërisht totalitarizmin, e fut në dyshim mundësinë që në politikë të ketë liri, për faktin se politika mundohet t’i nënshtrojë njerëzit dhe t’ia merr lirinë. Sipas saj, në një sistem ku veprimi i njerëzve është i kontrolluar, aty nuk ka liri.
Hannah Arenndt, gjithashtu i referohet Monteskejt për të paraqitur mundësinë e bashkëveprimit të politikës me lirinë, i cili thotë se liria politike duhet të identifikohet me politikën. Arenndt, në këtë pikëpamje lirinë e sheh të lidhur me sigurinë, ku politika ka ndërhyrë
vetëm në raste të rrezikut. Pra, sipas saj siguria është ajo e cila i ka mundësuar njerëzve që të ndiejnë vetën të lirë nga sundimi i ligjit.
Hannnah Arenndt paraqet edhe lirinë kristiane, në të cilën individët kanë ikur nga pjesëmarrja në proceset e zgjedhjeve politike se janë frikësuar se do ta humbin lirinë e tyre.

“ Sikundër kemi parë, liria kristiane, për hirë të shpëtimit, është paraprirë prej abstenimit të filozofëve nga politika, gjë që përbënë kushtin për një mënyrë jetese më të lartë dhe më të lirë, të ashtuquajturën vita contemplativa” .
Hannah Arenndt me këtë nënkupton frikën e individit që të bëhet pjesë e proceseve, të cilat do
t’ia marrin lirinë e veprimit, ku për këtë arsye ai ikë nga politika.
Pavarësisht të gjitha këtyre kritikave dhe problemeve lidhur me veprimin e politikës së bashku me lirinë, Arenndt paraqet mundësinë që liria dhe politika të përputhen me njëra-tjetrën.

Ajo e konsideron si një truizëm të lashtë mendimin se politika është e ndarë nga liria, duke u mbështetur në sistemin totalitar, i cili e ngulfat veprimin e qytetarëve.” Arsye e ekzistencës “la raison d’etre”- e politikës është liria, dhe se kjo liri provohet së pari kryesisht në fushën e
veprimit” .
Hannah Arendt i ka disa arsye të lidhjes së politikës me lirinë, duke u nisur nga e para se liria nuk është një fenomen i vullnetit. Dhe së dyti, liria nuk është një zgjedhje midis dy sendesh të dhëna, që është e përcaktuar prej një motivi. Pra, duke e përjashtuar lirinë si pjesë e vullnetit, Arendt e hedh poshtë mendimin e Kantit dhe në anën tjetër hedhë poshtë mendimin se liria është një lidhje shkak-pasojë.
“Veprimi për të qenë i lirë, duhet të jetë i çliruar prej çdo lloj interesi nga njëra anë, si dhe prej objektivit të fiksuar si rrjedhojë e parashikueshme, nga ana tjetër” .
Pra, sipas Hannah Arendt veprimi i lirë nuk vjen prej intelektit e as prej vullnetit por është diçka tjetër që e mundëson lirinë. Ajo çka e mundëson lirinë, Arendt i quan parime, të cilat nuk veprojnë brenda nesh siç veprojnë qëllimet, por frymëzohen nga jashtë.

Sipas saj, parimi frymëzues shfaqet tek akti në kryerje e sipër, ku meritat e gjykimit e humbin vlerën e tyre dhe forca urdhëruese e vullnetit fillon të shterohet.” Në dallim prej qëllimit të vet, parimi i një veprimi mund të përsëritet herë pas here: Ai është i pashtershëm dhe, ndryshe prej motiveve të tij, vlera e parimit është universale, ajo nuk kushtëzohet prej ndonjë individi apo grupi të veçantë” .
Pra, Hannah Arendt, realizimin e parimeve e sheh te mundur vetëm nëpërmjet veprimit në kuadër të shoqërisë njerëzore, ku ekzistenca e parimeve kthehet në diçka të dukshme e të pranishme për sa kohë zgjatë edhe veprimi. Parime të tilla Arendt i quan si: nderi ose lavdia, dëshira për barazi etj.


Për ta zbërthyer më shumë mendimin e Hannah Arendt për lirinë, do ta marr një shembull që ka të bëjë me barazinë: Nëse në lagjën tonë janë disa familje të varfra, atëherë dëshira jonë për barazi në ndihmën ndaj atyre familjeve nuk varet e as nuk shtyhet nga dikush tjetër, por është një parim i përgjithshëm i barazisë, i cili manifestohet me veprim dhe bëhet i dukshëm.

Sipas Hannah Arendt, liria shfaqet në botë sa herë parime të tilla bëhen aktuale. “Individët janë të lirë-si qenie të pajisura me dhuntinë ë lirisë, për sa kohë ata veprojnë, por as përpara dhe a mbrapa këtij momenti. Të jeshë i lirë dhe të veprosh janë e njëjta gjë” .
Ajo me këtë nënkupton shfaqjen e disa momenteve në të cilat njeriu duhet të dijë të veprojë dhe të jetë i pandikuar gjatë veprimit. Veprimin e pandikuar e qartëson kur e bënë dallimin në mes të arteve të bukura dhe arteve krijuese material- artet e bukura, të cilat realizojnë veprimet vetë përkundër arteve materiale të cilat i marrin produktet e gashtme.

Pra Arendt, veprimin e liri i cili e mundëson lirinë, e krahason me veprën artistike të cilën e krijon artisti, i cili është i pandikuar dhe i pavarur.
Hannah Arendt thotë se nuk është e mundur që të ekzistojë liria sipas mendimit të lashtë grek, i cili thotë se liria ekziston në vullnetin e individit, në të cilin krijohet luftë me vullnetin e individit.

Kjo këtë luftë në mes të vullnetit e quan monstruozitet, ku njeriu e urdhëron vetën dhe nuk i nënshtrohet, që hyn në monstruozitetin e tipit të binomit “unë dua dhe unë nuk dua”.
Arendt me këtë lloj monstruoziteti paraqet mendimin metafizik mbi lirinë, që e fut lirinë në vullnetin e lirë. Ajo thotë se brenda vullnetit krijohet luftë, si pasojë e mungesës së dukshme të lirisë, në fushën e veprimit. “Vetëm aty ku forma unë-dua dhe unë-mundëm përputhen mund të ekzistojë liria” .
Hannah Arendt i rikthehet edhe një herë periudhës së antikitetit; traditës së saj politike dhe asaj parafilozofike për të shpjeguar se si është e mundur të ekzistojë një liri që nuk është atribut i vullnetit, por një aneks i veprimit konkret në veçanti edhe atij të përgjithshëm.
Ajo i merr dy folje në gjuhën e traditës greke dhe latine për të shpjeguar konceptin e lirisë, të cilat janë: “arqhin”-të fillosh, të udhëheqësh dhe të sundosh, dhe “prattin”-të çosh diçka deri në fund.

Ndërsa foljet korrespoduese në latinisht janë: “agere”- me vënë diçka në lëvizje dhe “gerer”-që do të thotë pranim dhe mbështetje e vazhdimësisë së veprave të shkruara, rezultat i të cilave janë ato që quhen “res gestae”- bëma dhe ngjarje historike.
“ Fjala greke “arshin” e cila nënkupton fillimin, udhëheqjen, sundimin apo drejtimin, dhe, cilësi spikatëse të individit të lirë, dëshmon për një përvojë në të cilën qenia e lirë dhe aftësia për të filluar diçka te re përputhen së bashku” .

Hannah Arendt duke theksuar se liria përjetohet vetëm nëpërmjet spontanitetit, e merr një shembull me disa ish sundimtar, ku sipas saj vetëm me ta fillon diçka e re, të cilët janë të çliruar nga nevojat e jetës, që nuk sundonin sepse ishin në mesin e sundimtarëve, dhe e ndjenin nevojën e njëri-tjetrit për të filluar diçka të re. Hannnah Arendt me
këtë tregon se si liria fitohet përmes veprimit të përbashkët, ku pajtohen të gjithë së bashku për të filluar diçka të re, të cilën e çojnë deri në fund.

Pra, këtu vërehet rëndësia e veprimit të përbashkët, ku nuk ka sundimtar, por vetëm iniciator për të filluar diçka te re, e cila mund të
çohet deri në fund vetëm bashkarisht.
Duke u mbështetur në atë që paraqitem gjatë shtjellimit, Hannah Arendt është kritikuese ndaj mendimeve që kanë dhënë gjatë historisë për lirinë. Së pari, ndaj mendimit shkak-pasojë, me të cilin, sipas saj nuk është i mundur që të kemi liri, për arsye se nuk është e mundur që të njihen të
gjitha shkaqet e pasojave.

Mirëpo, Arendt vjen në përfundim se nuk është e mundur të njihen të
gjitha shkaqet e pasojave, sepse janë të panumërta, dhe në anën tjetër nuk është e mundur që të njihen shkaqet për arsye se natyra e njeriut është e tillë që nuk mund të njihet nga të tjerët.
Gjithashtu mund të vijmë në një përfundim lidhur me arsyen e kritikës ndaj mendimit metafizik të Kantit për lirinë që i bënë Arendt. Arsye kryesore është së ai e fut lirinë në vullnetin e lirë, ku sipas saj liria duhet të nxirret në jetën e përditshme dhe të bëhet e prekshme.


Hannah Arendt lirinë e krahason më veprimin, dhe për këtë arsye politikën e konsideron si një fushë ku liria është paraqitur si një fakt i jetës së përditshme.
Nga ajo që u shtjellua më lartë mund të vijmë në përfundim së Hannah Arendt lirinë mundohet ta paraqesë si diçka të prekshme, ku sipas saj kjo është e mundshme vetëm atëherë kur veprimi është i lirë dhe është i pandikuar dhe pa asnjë interes, thjeshtë është një parim i përgjithshëm.

Ilir Ejupi (Autori i shkrimit)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img