Lajme

Grevë në arsim më 14 shkurt


Publikuar më:


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës e Kosovës, gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme ka vendosur të shkojnë në grevë për mos zbatimin e marrëveshjes të nënshkruar mes kryetarit të SBASHK-ut dhe kryeministrit Ramush Haradinaj e kryeparlamentari, Kadri Veseli.

85 % e anëtarësisë së SBASHK-ut kanë mbështetur veprimet sindikale të prezantuara nga kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj lidhur me mos realizim të pikës që parasheh që brenda vitit 2017 do të procedohet në Kuvend të Kosovës projektligji i hartuar nga MASHT-i lidhur me statusin e punëtorëve të arsimit për vitet e 90’ta.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka propozuar që më datën 14 shkurt, ditën e mërkurë në orën e parë të mbahet grevë, gjë që është miratuar nga Këshilli Drejtues, siç është miratuar edhe greva prej 2 orë mësimi më 20 shkurt. Kjo e dyta vetëm nëse deri me këtë datë nuk reflekton Qeveria.

“Të fillojmë me veprime të përshkallëzuar sindikale, dhe atë të mërkurën më 14 shkurt fillojmë me grevën 1 orëshe, greva 1 orëshe nënkupton grevë në orën e parë në mësimin e para ditës dhe grevë në orën e parë në ndërrimin e pas ditës….

Nëse Qeveria nuk reflekton dhe ligji nuk hiqet nga bllokimi që është tani për tani dhe nuk shkon në Qeverinë e Kosovës dhe në media dhe në masën të thuhet se erdhi në qeveri dhe po shkon në parlament, atëherë iu propozoj që të aprovoni edhe këtë veprimin e dytë që më datën 20 shkurt e martë të shkojmë me përshkallëzimin e dytë, dy orë grevë dhe atë dy orët e para të mësimit të paradites dhe dy orët e para të ndërrimit të pas ditës”, u shpreh ai.

Jasharaj ka kërkuar mirëkuptim nga nxënësit dhe prindërit pasi sipas tij këto veprime po ndermirën për historinë e arsimit shqiptar në vitet e 1990-ta.

E për të marrë këto vendime sindikale SBASHK-u, kishte dërguar lista për nënshkrime në të gjitha institucionet shkollore.

Ai po ashtu ka deklaruar se veprime tjera do të bëhen të ditura pas kongresit i cili do të mblidhet më 24 shkurt, ku do të nxjerrin një rezolutë se si do të veprojnë lidhur me mos zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar më 5 qershor 2017.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se nëse qeveria nuk reflekton drejtë kërkesave të tyre ata do të vazhdojnë me greva edhe me ditë.

“Nëse qeveria nuk reflekton në mos për të tjerat kërkesa për ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit të shtetit të Republikës së Kosovës do të vazhdojmë me greva, qoftë nevoja edhe me ditë, muaj e të tjera sepse po them ua kemi borxh kolegëve që kemi punuar me ta e nuk janë më në mesin tonë“, tha ai.

Jasharaj lidhur me zbatimin e plotë të Kontratës së Re të arsimit, tha se për të gjitha komunat ku nuk po zbatohet janë duke i dërguar lëndët në gjykata.

“Ne jemi të pakënaqur sepse Qeveria e tha se do e mbështes SBASHK-un në realizim e kontratës pa pasur nevojë për gjykata, por pasi që kemi komuna që po e realizojmë, ne për mos shkua në greva edhe për këtë çështje e kemi zgjedhur një rrugë tjetër përmes gjykatave dhe gjykatat po e thonë verdiktin e tyre dhe ne do t’i fitojmë të gjitha lëndët që i kemi në gjykatë”, tha ai.

Sipas Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë përveç çerdheve, më 14 shkurt në grevë janë të përfshira të gjitha shkollat fillore, të mesme dhe universitet publike të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) dhe koalicioni qeverisës aktual PDK-AAK-NISMA përfshinë këto pika:

1.Angazhimi për përmirësim të gjendjës së përgjithshme në sektorin e arsimit dhe që arsimit të jetë prioritet kyç i Qeverisë

2.Me fitoren e koalicionit PDK-AAK-NISMA në zgjedhje, qeveria e re do të angazhohet dhe do të mundësojë zbatimin e plotë të Kontratës së Re të arsimit, të nënshkruar më 18 prill 2017.

3:Brenda viti 2017 do të procedohet në Kuvend projektligji i hartuar nga MASHT-i lidhur me statusin e punëtorëve të arsimit për vitet e 90’ta.

4.Ligji i punës do të ndryshojë dhe do të përkrahen propozimet e SBASHK-ut për ndryshimin e këtij ligji.

5.Në ligjin e pagave do të pëfshihen propozimi konkret i SBASHK-ut dhe MASHT-it lidhur me sektorin e arsimit.

6.Të ketë debat me sindikatat kur pëgatitet projektligji për buxhetin dhe të përfillen idetë dhe kërkesat e drejta të përfaqëçuesve sindikal.

To Top