29,03,2024

Grabitjet me armë

Must Read

Shkruan: Shkelzen Marevci

Kur është fjala për krimin të gjithë pajtohemi se, krimi është i shtrirë në çdo vend e cep të botës. Mirëpo, njëra pika që ndan kriminologët, kriminalistët e mendimtarët që merren me parandalimin e krimit është mënyra apo qasja që kemi ndaj krimit në përgjithësi e në veçanti krimit të tipit ‘’Grabitje me armë’’.

Ky lloj i krimit, ku më shumë e ku më pak, ka ndodhur dhe vazhdon të ndodh në shumë vende të botës që shquhen me metodat dhe teknikat e sofistikuara parandaluese. Pra, nga ky lloj krimi nuk është imunë asnjë shtet i  botës, pa dallim avancimit të metodave apo teknikave parandaluese, e aq më pak shteti i Kosovës.

Për t’u bërë dukuri ky lloj krimi, ekzistojnë disa faktor, përpos shumë faktorëve të tjerë, unë do të shkoqis disa prej tyre, që janë:

  1. Politikbërje pa moral
  2. Kriza ekonomike
  3. Shtimi i përdoruesve të drogave
  4. Mungesa e bashkëpunimit qytetar-organe gjegjëse (Polici, AKI, etj.)

Politikbërja pa moral: Një problem serioz që ka kapluar këtë vend është pikërisht politkbërja pa moral, apo mospërfillja e asnjë kriteri etik në aktivitet politike. Në një situatë të tillë, në të cilën të rinjtë shohin e dëgjojnë thuajse në baza ditore për korrupsionin dhe përfitimet e shpejta të disa politikanëve të këtij vendi, është jashtëzakonisht e vështirë të mbahen nën kontrollin moral disa nga të rinjtë. Sepse, derisa brenda strukturave të partive politike dhe në disa poste të larta shtetërore ka individ të cilët politikën e shohin si mundësi të vetme për të shtuar pasurinë e tyre e jo për të kontribuar në të mirën e shoqërisë, duke mos përfillur asnjë kriter moral, kjo situatë ngacmon anën kriminale të të rinjve më shumë se çdo gjë tjetër, ngase ata shohin e dëgjojnë sesi keqpërdoret pasuria publike nga personat me kostume dhe tek ta lind pyetja e logjikshme, ‘’pse veprat e tyre nuk qenkan kriminale, ndërsa veprat tona po’’, apo ‘’disa politikanë munden të përfitojnë në kurrizin e qytetarëve, ndërsa ne jo’’. Pra, ky faktor është njëri nga faktorët që nxit vepra kriminale të tipit ‘’Grabitje me armë’’.

Kriza ekonomike: Natyrisht që një pjesë e grabitësve e kanë filluar hajdutërinë ngaqë nuk kanë pasur gjendje ekonomike stabile. Është një thënie popullore, e cila thotë: ‘’varfëria të dërgon në derën e hasmit’’. Disa nga grabitësit, nga hallet ekonomike të tyre, kanë zgjedhur një metodë më të vështirë për nga rrezikshmëria, por më krenare për nga sedra, pra në vend se të kërkojnë një vend pune apo që ta shtrinë dorën për lypur lëmoshë, të tillët, ngaqë në trurin e tyre ekziston predispozita kriminale, ata kanë përzgjedhur që të jenë grabitës qoftë dhe me armë e duke vrarë.

Shtimi i përdoruesve të narkotikëve: Shumë nga vjedhjet që ndodhin aktualisht në botë, ndodhin pikërisht për shkak të nevojës së krijuar nga vartësia e narkotikëve. Shumë të rinj, grabitjet për herë të parë i kanë filluar pasi që kanë krijuar vartësi nga drogat. Tek një narkoman, i cili është në gjendje krize nga mungesa e futjes së drogës në gjakun e tij, shtohet çdo dëshirë, qoftë edhe për të vrarë, vetëm e vetëm që ta shuaj zjarrin e ndezur përbrenda gjakut të tij të shkaktuar nga mungesa e futjes së drogës në gjak.

Mungesa e bashkëpunimit qytetar-organe gjegjëse (Polici, AKI, etj.): Përderisa ekziston krimi në shoqëri ekzistojnë edhe informacionet për atë krim. Shumë nga krimet që kanë mbetur të pazbuluara sot, janë pikërisht ngase qytetarët nuk duan të denoncojnë rastet kriminale. Është e pamundur të ndodh një krim dhe mos të jetë të paktën një njeri që posedon informacion lidhje me atë krim. Mirëpo, arsyen e mos denoncimeve duhet kërkuar në prishjen e raportit bashkëpunues ndërmjet qytetarëve dhe organeve gjegjëse.

Prandaj, nëse dëshirojmë që shoqëria jonë të jetoj në një ambient më të sigurt, duhet që:

  1. Politikbërësit të kenë nivelin e duhur moral dhe të jenë më të preokupuar për shoqërinë e shtetin, sesa për vetën e tyre.
  2. Të punohet më shumë që vendi të ketë ekonomi dhe mirëqenie sociale më të kënaqshme.
  3. Të merret seriozisht çështja e dukurisë së drogave, pra të punohet sa më shumë në parandalimin e kësaj dukurie, ngase sa më shumë përhapet kjo dukuri aq më shumë do të shtohet kriminaliteti.

Të gjenden metoda për përmirësimin e raporteve ndërmjet qytetarëve, Policisë, AKI-së, etj., ngase vetëm kështu kthejmë besimin e humbur të qytetarëve në institucionet e lartcekura

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img