27,04,2024

Gecaj: VV-ja solli gjuhën e urrejtjes, dhunës e molotovit

Must Read

Bajram-Gecaj-645x358

Këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për gjuhën e ashpër politike që ka ardhur në shprehje së fundi në skenën politike kosovare. Duke iu referuar reagimeve të VV-së pas një pyetje të LDK-së lidhur me Albin Kurtin, Gecaj thekson se krejt dhuna verbale e në forma tjera në Kosovë është rezultat i VV-së.

“Lëvizja Vetëvendosje qenka irrituar se LDK-ja para tri ditësh i qenka drejtuar me tri pyetje lidhur me ish-liderin e saj kontrovers dhe pak më gjerë. Në fakt, sipas një thënie popullore, “pyetje të gabuara nuk ka”.

Por, ndihem i obliguar të them se është pikërisht VV-ja ajo që e ka futur në komunikimin publik e politik në Kosovë gjuhën e urrejtjes, të dhunës, të molotovit, të sharjes e të ofendimit, dhe të etiketimeve nga më të ulëtat. Dhe tash, “pronarët e dijes, të vërtetës, e të gjithçka tjetër” në Kosovë, po bëjnë atë të cilën e bëjnë zakonisht, pra po luajnë rolin e viktimës.

Të gjithë e dinë kush janë njerëzit që filluan dhunën në Kuvend, që ia rrëmbyen mikrofonin ish kryeparlamentarit Krasniqi, që sulmuan e linçuan analistët Matoshi, Buzhala etj, që s’lanë gjë pa thënë për kryeministrin, ish-zëvendëskryeministrin, që më herët iu ngjitën emra nga më të ulëtit liderit të AAK-së e të Nismës, hodhën vezë e sulmuan me shumëçka zyrtarët publik e familjarët e tyre.

Të gjithë e dinë kush filloi me etiketat e “koalicionit të Rashkës”, me fjalë të llojit “argatë të Vuqiçit e të Millosheviqit”, “Esat Pasha”, ofenduan ambasadorë evropianë duke i quajtur të dehur, e shumë e shumë naivitete të këtij lloji, duke shkuar madje edhe deri në atë pikë sa që thanë pa fije dileme se shqiptarët nuk e duan Amerikën…

Andaj, diskursi i tillë më shumë se agresiv është rezultat dhe produkt ekskluziv i “vizionit të VV-së”, që dorën në zemër i detyroi edhe njerëzit më të përmbajtur ta quanin neveritës.

Apeli im është që VV të shmanget nga gjuha morbide, e bazuar në falsifikime siç ishte rasti i konferencës së të dielës së Konjufcës, e plotë sulme të tjera verbale e fizike kundër njerëzve të këtij vendi.

Skena politike në Kosovë më herët, për më shumë se 10 vjet, me gjithë mospajtimet dhe problemet e natyrave ndonjëherë edhe shumë të rënda ndërmjet partive të ndryshme politike, prapëseprapë kishte mbajtur një nivel të kënaqshëm të komunikimit dhe të korrektësisë politike”, thekson Gecaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img