Ferizaj

Gani Xhemajli – Mësimdhënësi model që u ndoq nga mijëra nxënës në mësimet online gjatë pandemisë


Publikuar më:


Shembujt e mësimdhënësve të angazhuar gjatë pandëmisë së virusit COVID-19 kudo në Kosovë, janë të shumtë, mirëpo mësimdhënës të caktuar gjatë gjithë procesit kur shkollat ishin të zbrazta e mësimi mbahej në distancë, bëjnë dallim.

I tillë është edhe mësimdhënësi i lëndës së fizikës, Gani Xhemajli, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Fizicientëve në Ferizaj, i cili u prit sot në zyrën e tij nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu. Mirënjohës për punën e jashtëzakonshme që ka zhvilluar mësimdhënësi Xhemajli u shpreh i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Ai tha se shembujt e tillë duhet të shërbëjnë si modele në mesin e mësimdhënësve që mbi të gjitha spikasin përkushtimin, dashurinë dhe vullnetin e pashoq për të mbjellë dijen tek nxënësit.

Në anën tjetër, mësimdhënësi i fizikës, Gani Xhemajli tha se gjatë gjithë jetës së tij profesionale, ka pasur një dhe vetëm një qëllim, atë të avancimit dhe konkretizimit të dijeve të nxënësve në fushën e fizikës. Madje, shpeshherë, përveç donacioneve të shumta që ka arritur të nxjerr për kabinetin e fizikës në shkollën ku është mësimdhënës, shkollën fillore “Jeronim de Rada” në Ferizaj, ai dha edhe nga financat vetanake për të ngritur një kabinet të mirëfilltë fizike në këtë shkollë.

Mësimdhënësi Xhemajli ndër të tjera vuri theksin tek suksesi që ka shoqëruar punën e tij gjatë mësimit online, ku mijëra nxënës nga gjithë vendi, përmes platformave elektronike kanë arritur të ndjekin mësimet nga ligjërimet e praktika online që ka zhvilluar gjatë periudhës së parë të pandemisë.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu duke njohur e qenë mirënjohës për këtë sukses domethënës, u zotua për mbështetjen e kurdohershme për kuadro të tilla që kanë vizionin e përparimit të mësimdhënies në Komunën tonë.

To Top