Ferizaj

Ferizaj, qyteti i “qejfit”, prin me numrin e moteleve


Publikuar më:


Rrugët e Kosovës janë mbushur me motele. Madje, në shumë prej qyteteve ato janë hapur edhe ngjitur me njëra-tjetrën. Në tërë vendin, janë të regjistruara gjithsej 182 motele, ku janë të punësuar 707 punëtorë. Qyteti që prin me numrin e moteleve mbetet Ferizaj me 31 të tilla, pasuar nga Prishtina dhe Prizreni. Ndërkohë, në Polici thonë se këto motele kontrollohen, derisa në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë nuk janë të sigurtë për këtë, shkruan Gazeta Express.
Se Ferizaj është qytet i “qejfit”, këtë e dëshmon edhe numri i madh i moteleve që funksionojnë në këtë qytet. Për nga motelet, Ferizaj i lë pas shumë qytete, përfshirë edhe kryeqytetin.

Vetëm në këtë komunë funksionojnë 31 motele. Së paku aq janë të regjistruara si biznese.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, i kanë thënë Gazetës Express se në tërë vendin funksionojnë 182 motele, në të cilat janë të punësuar 707 punëtorë. Shumica e tyre meshkuj.

Ushtruesja e detyrës së udhëheqëses së Divizionit të Turizmit në MTI, Lumturie Gashi-Geci deklaron se të gjitha motelet bashkë kanë rreth 2 mijë dhoma me rreth 3 mijë shtretër.

“Sipas regjistrimit për kapacitetet akomoduese i realizuar nge ASK, me iniciativën tonë dhe me përkrahjen financiare nga projekti PPSE/Sëisscontact, në vitin 2016, në Republikën e Kosoves rezultonë se funksiojnë 182 motele,me 2170dhoma, me 2916 shtretër,707 punëtorë,(171 femra)”, thuhet në përgjigjet e MTI’së drejtuar Gazetës Express.

Në bazë të statistikave që posedon kjo Ministri, qyteti që ka më së shumti motele është Ferizaj, pasuar nga Prishtina, Prizreni e Lipjani. Ndërsa, më së paku motele po del të ketë Kamenica, Podujeva, Hani i Elezit e Fushë Kosova.

“Sipas këtij regjistrimi, motelet janë të shpërndara sipas komunave si në vijim: Drenas 5; Ferizaj 31; Fushë Kosovë 1; Gjakovë 2; Gjilan 10; Graqanicë 8; Han i Elezit, 1; Istog 6; Junik 1; Kaçanik 3; Kamenica 1; Klinë 8; Lipjan 10; Malisheve 3; Mitrovice 7; Novo Berd 2; Obiliq 3; Pejë 9; Podujevë 1; Prishtinë 14; Prizren 12; Rahovec 6; Ranillug 1; Shterpce 7; Shtimje 5; Skenderaj 2; Suharekë 4; Vitia 4; Vushtrri 2; Zubin Potok 1; Zveçan 2”, ka thënë Gashi.

Por, se a kontrollohen këto motele, në këtë ministri nuk kanë informacion. Derisa thonë se legjislacioni në fuqi nuk parasheh mbylljen e moteleve për mos përmbushjen e kushteve për ushtrimin e veprimtarisë në këto struktura akomoduese.

Ndërkohë, në Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës, deklarojnë se ata kryejnë kontrolle të banesave, lokaleve e bizneseve afariste në pajtueshmëri me Kodin e Procedurës Penale. Derisa thonë se këto kontrolle kryhen në koordinim dhe me leje të organeve të drejtësisë.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për Turizëm të Kosovës, moteli përkufizohet si objekt i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera.

“Moteli – objekti i destinuar kryesisht për pushim dhe ndalim të personave të motorizuar, për furnizim me ushqim, pije si dhe shërbime tjera. Objektet ndërtohen jashtë qendrave të banuara, pranë rrugëve automobilistike dhe ofrojnë këto shërbime shtesë pos vendosjes”./Gazeta Express

To Top