24,04,2024

Ferizaj përballet me braktisjen e mësimit nga nxënësit

Must Read

Komuna e Ferizajt edhe gjatë këtij viti shkollor po vazhdon të përballet me braktisje të nxënësve nga shkollat fillore dhe ato të mesme. Më së shumti braktisje po ndodhin për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Ndërkohë, drejtoria Komunale e Arsimit ka aktivizuar ekipe për parandalim të këtij fenomeni.

Institucionet arsimore në Ferizaj edhe sivjet po përballen me braktisjen e mësimit nga nxënësit, ndërkohë që Komuna ka aktivizuar ekipe për parandalim e kësaj dukurie. Me dhjetëra nxënës kanë lënë shkollën, një fenomen ky që ka ndodhur më shumë në shkolla fillore, por së fundi ka përfshirë edhe shkollat e mesme.

Në Shkollën e Mesme Profesionale “Zenel Hajdini” gjatë këtij viti shkollor e kanë braktisur mësimin gjithsej 17 nxënës.

“Këtu arsyet janë të ndryshme, sidomos në shkollat profesionale mund të ndodh që si arsye janë edhe punësimet e tyre sepse ata ndërkohë gjejnë punë, por edhe për shkak të kushteve ekonomike vendosin të vazhdojnë punën për ta ndihmuar familjen”, ka thënë drejtori i kësaj shkolle, Abdullah Imeri.

Ndërkaq, Zejnepe Hysenaj, kryetare e Këshillit të Prindërve në nivel komunal, ka përmendur si arsye kushtet e rënda ekonomike dhe numrin e madh të familjeve me asistencë sociale, por edhe largimin e tyre nga Kosova.

“Shqetësuese mbetet si çdo herë, sidomos në arsimin fillor, për arsye se te niveli 2-6-9 aty kemi më shumë braktisje për arsye të ndryshme, por së fundi e kemi edhe shqetësimin për shkak të bashkimeve familjare, që konsiderohet një lloj braktisje pasi që nuk kemi ndonjë raport kthyes nga shtetet ku ata shkojnë”, ka thënë ajo.

Afrim Llabjani, drejtor i arsimit në Komunën e Ferizajt, ka thënë se braktisja e nxënësve është e shpeshtë edhe te komuniteti pakicë, megjithëse komuna i ka pajisur ata nxënës me çanta dhe materiale tjera shkollore

“Në kuadër të pranimit të donacioneve të ndryshme qoftë me llaptopë, iPad dhe pajisje të tjera teknologjike, ne jemi munduar dhe fokusuar që t’i shpërndajmë pikërisht te këto kategori, të cilat janë më të rrezikuara dhe në mënyrë që mos t’u japim shans për ta braktisur shkollën”, është shprehur Llabjani.

Sipas Llabjanit, pas intervenimit të ekipeve për parandalim një pjesë e nxënësve tashmë i janë rikthyer mësimit, mirëpo ky fenomen mbetet shqetësues dhe përsëritet çdo vit shkollor.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img