26,04,2024

Ferizaj me 8 deputetë në Kuvendin e Kosovës

Must Read

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor. E, në përbërjen e legjislaturës së re do të ketë më shumë deputetë nga Ferizaj të cilët për herë të parë do të marrin pozitën e deputetit.

Ndër ta është asamblisti i Kuvendit të Ferizajt nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti, i cili për herë të parë i hyri kësaj gare dhe arriti të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.

Haliti, ish-pjesëtar i UÇK-së, ndërsa pas luftës aktiv në jetën politike, thotë se i ka hyrë kësaj rruge me misione të qarta, ku në fokus do të ketë zërin e qytetarit.

”Në Kosovë ka shumë gjëra që duhet ndryshuar, jemi dëshmitarë që deri më tani shteti nuk ka funksionuar në asnjë hallkë të tij, kemi pasur dështime të mëdha në të gjitha sferat duke filluar nga arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, drejtësia,  po ashtu në aspektin urbanistik e mjedisor ka pasur shumë fusha ku shteti i Kosovës ka dështuar në një formë që ta luaj rolin e vet me çka që ne do të angazhohemi edhe si deputetë  që këto kauza të marrin drejtim dhe t’i hapim rrugë zhvillimit  të vendit. Unë po mendoj që do të jem zëri i tyre dhe të gjitha ato padrejtësi ose projekte që kanë çaluar edhe për Ferizajn e gjithë Kosovën besoj që do të jemi zëri i tyre dhe do t’i shtyejmë këto agjenda”, tha Haliti.

Përveç Halitit, për herë të parë deputet u zgjodh edhe një pjesëtar tjetër i UÇK-së nga ky qytet. Është ky Gazmend Bytyçi nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ishte pjesë e Asamblesë komunale në legjislaturën e kaluar, ndërsa aktualisht është udhëheqës i ndërmarrjes publike ”Stacioni i Autobusëve” në këtë qytet. Edhe Bytyçi thotë se do të jap kontributin e tij në fusha ku ka përvojë.

“Kauza më e madhe e këtij vendi është që të punohet mbarë dhe mirë, Kuvendi i Kosovës ka nevojë që të ndryshoj, të jetë një Kuvend më punëtor më i përgjegjshëm, nuk mendoj që legjislaturat e kaluara kanë qenë në nivelin që ka kërkuar qytetari ynë, por në nivelin që janë zhvillimet e përgjithshme të shoqërisë sonë. Çdo deputet duhet të dijë cili është misioni, kauza dhe për çfarë e kanë deleguar qytetarët.  Besimi është elementi më i rëndësishëm dhe kjo është ajo çka duhet të bëj ky Kuvend që ta kthej besimin tek qytetari, sepse besimi ka humbur që një kohë të gjatë, prandaj duhet të kemi një legjislaturë të  përgjegjshme dhe punëtore. Ka shumë fusha që unë do të jap kontributin tim si në fushën e sigurisë, një kontribut që dëshiroj ta jap është edhe në fushën e kulturës dhe vlerave të luftës“, tha Bytyçi.

Halitit do t’i mungoj Asambleja komunale, ndërsa Bytyçit udhëheqja. Që të dy urojnë që pasardhësit e tyre të ndjekin rrugën që këta po e lënë në gjysmë në këtë qytet.

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për mua si individ në Asamblenë komunale, po ashtu edhe në ekzekutivin e Ferizajt, mendoj që kam përfituar jashtëzakonisht shumë dhe sot e njoh Ferizajn shumë më mirë, kjo përvojë do të më shërbej edhe në të ardhmen sepse e di se çka ka nevojë Ferizaj dhe ku ka nevojë. Do të më mungoj Asambleja komunale dhe angazhimi im aty, por po besoj që edhe nga niveli qëndror mundësitë do të jenë më të mëdha të kontribuoj për Ferizajn. Parimet nuk do t’i ndërroj, do të vazhdoj t’i mbaj ato parime“, tha Haliti.

“Në momentin e dorëheqjes së drejtorit duhet të fillojnë procedurat për rekrutimin e një drejtori të ri dhe kushdo që vie unë i uroj suksese. Mision i saj apo i tij do të jetë zhvendosja e stacionit  të autobusëve nga ai vend, sepse ëhstë pengesë për qytetin, edhe kjo është pjesë e asaj që unë do të angazhohem si deputet që ta fus në kode buxhetore, në kuadër të kësaj pavarësisht se kush jemi duhet të punojmë dhe të angazhohemi për Ferizajn e  të përkrahim projektet për Ferizajn“, tha Bytyçi.

Në listën përfundimtare të publikuar nga KQZ-ja  janë 8 kandidatë nga Ferizaj që kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për të marrë postin e deputetit. Nga  Lëvizja Vetëvendosje është Hekuran Murati, Haki Abazi, Valon Ramadani, Dimal Basha dhe Enver Haliti, kurse nga PDK-ja, Elmi Reçica, Bajrush Xhemaili dhe Gazmend Bytyçi.  E, në këtë listë nuk figuron asnjë emër i kandidatëve nga LDK-ja e Ferizajt përkundër që ky subjekt në nivel vendi në këto zgjedhje doli i dyti, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img