20,04,2024

Ferizaj kujton 30-vjetorin e demonstratave të 23 marsit 1989 me nismëtare gratë dhe vajzat e Balajve

Must Read

Ferizaj përkujton dinjitetshëm 30 vjetorin e demonstratës së organizuar më 23 mars 1989 me nismëtare gratë dhe vajzat e Balajve, të cilave iu bashkuan edhe gratë e Neredimes e Ferizajt

30 vjet më parë, gratë dhe vajzat e Balajve, të cilave iu bashkuan edhe gratë e vajzat e Neredimes, Ferizajt e më gjerë, bënë aktin monumental të shembjes së heshtjes e durimit, përballë represionit, shtypjes e robërisë jugosllave. Ato të bashkuara, shembull ndër të rrallë në botë, marshuan nga fshati Balaj drejt qendër së qytetit për të kundërshtuar përpjekjen shtetërore të regjimit në minimin e substancës sonë kombëtare.

Sot, 30 vite pas, me nismën e të parit të Ferizajt, Agim Aliu, u përkujtua kjo ngjarje me peshë të jashtëzakonshme historike dhe e pa ndodhur më parë në mesin e kombit tonë, ku gratë e vajzat nisën, bartën dhe përfunduan me sakrifica të shumta e guxim të pashoq përndjekjen dhe përpjekjet e regjimit për t’i mbyllur gojën, thirrje për liri. 
Qysh në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme, qindra gra e vajza, banorë të fshatit Balaj, ishin grumbulluar në oborrin e shkollës “Pavarësia” për të zbuluar pllakën përkujtimore të titulluar simbolikisht “Guximi i Gruas” që i kushtohet grave e vajzave të këtij fshati dhe Neredimes e Ferizajt për mirënjohjen e vlerësimin ndaj tyre në këtë ngjarje me peshë historike.

Këtë pllakë bronzi të gravuar me shkronja të arta ku janë skalitur fjalët e fjalitë më të merituara për këtë ngjarje, e zbuluan vetë protagonistet e organizatoret e kësaj ngjarje, Sanie Aliu, Hatmane Sallauka, zonjat e fshatit Balaj Kefserja, Hanifja, Minirja, Safetja, Ibadetja, Ganimetja, Lulja, Mevlidja të cilat të bashkuara sikurse 30 vite më parë në Demonstratën e 23 Marsit 1989, të shpalosin këtë pllakë përkujtimore. 
Me duartrokitje të gjatë nga të pranishmit, pjesë e së cilëve pjesëmarrës me peshë institucionale ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, Mexhide Mjaku Topalli, Bilall Sherifi, Labinot Tahiri, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ish Kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, si dhe zëvendësministra, drejtorë komunal, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të Organizatës së Luftës së UÇK-së si dhe anëtarë të Kuvendit të Komunës, u zbulua pllaka përkujtimore e titulluar “Guximi i Gruas” në fshatin Balaj. 


Agjenda e shënimit të këtij manifestimi me rëndësi të jashtëzakonshme historike vijoi me homazhe dhe vendosjen e kurorave të luleve pranë shtatores së Heroinës së Kombit, Hyrë Emini, emrit, sakrificës dhe sublimimit të saj që është shkruar me pashlyeshëm në faqet e përgjakshme të historisë sonë. Tutje, aktiviteti vijoi me shpalosjen e pllakës përkujtimore të emërtuar “Guximi i Gruas” në sheshin “Adem Jashari”, shesh ky që në kurriz ka mbajtur për dekada me rradhë, mijëra këmbë që shtegtonin në rrugën e lirisë, dhjetëra mijëra zëra që kumbonin lirinë. Aty, me ceremoni të veçantë e duartrokitje të pandalshme, tërheqjen e pëlhurës së kuqe për zbulimin e pllakës përkujtimore e bënë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku Topalli, organizatoret e Demonstratave të 23 marsit 1989, Sanie Aliu dhe Hatmane Sallauka si dhe zonjat që dhanë kontribut të veçantë për qytetin tonë.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, kur në sheshin e lirisë, sheshin “Adem Jashari”, ishte me ne edhe Heroi i Kosovës, Rexhep Bislimi, pranë shtatores të të cilit u vendosën kurora lulesh dhe u nderua me homazh jeta, vepra dhe sakrifica e tij për lirinë e Kosovës.

Shënimi i 30 vjetorit të 23 marsit 1989, Demonstratave të Grave vijoi me Akademinë e organizuar në Teatrin “Adriana”. Aty prezent ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili nderoi Ferizajn, nderoi sakrificën e grave dhe vajzave protagoniste të demonstratave si dhe gjithë nënave shqiptare për gjithë sakrificat në vazhdën e rrjedhave historike të popullit tonë.

Pas intonimit të himnit kombëtar dhe të Kosovës, pjesës së interpretuar nga kori dhe orkestra e qytetit, u mbajt një minutë heshtje për të nderuar aktin monumental të realizuar nga protagonistet e kësaj ngjarje si dhe rikujtuar rrugën e gjatë e të përgjakshme të popullit tonë për lirinë. 
Me fjalë, të pranishmëve iu drejtua nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Naim Ferati. Ai para të pranishmëve tha se kjo demonstratë në historinë politike të Kosovës në këtë fundshekullit është e para e këtij lloji dhe përmase e organizuar nga gratë, jehona e së cilës shpërtheu në gjithë Kosovën e vitit 1989.

“Fundi i viteve 80-ta po sillte ngjarje të hovshme e të papritura, që secila ishte më e rëndë se tjetra, se ora historike nuk ishte në anën tonë, kjo tashmë veç sa vinte e bëhej më e qartë. Në vlugun e protestave masovike në tërë Kosovën për mos ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova humbte autonominë e saj dhe pushtetin ekzekutiv në fund të viteve 80-ta, prej të cilave jehonë më të madhe pati greva e minatorëve në Stantërg më 20-28 shkurt 1989, ku Kuvendi i Kosovës në shtetrrethim të hekurt policor e sekret serb miratoi Kushtetutën e re, që më vonë do të marrë emrin “Kushtetuta e tankeve”, me të cilën Kosova humbte atributet politike ekzekutive që i kishte si element konstituiv i Federatës Jugosllave, rrënimi i asaj federate fatkeqe për shqiptarët veç po fillonte në Kosovë. Vetëm një orë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, në Ferizaj u organizua një marsh protestues, që më vonë shndërrohet në demonstratë, që për herë të parë në historinë politike të Kosovës në këtë fundshekull po organizohej nga gratë. Këtij marshi protestues i prinë gratë e fshatit Balaj, e cila u shndërrua në demonstratë të fuqishme duke u mbështetur nga gratë e Neredimes e më vonë nga gra të Ferizajt. Në ballë të demonstratës dominonim pankartat e ngritura lartë që mbanin në duar: “Jetën e japim, Kosovën se japim”, “Kosova nuk pranon ndryshime kushtetuese”, “Nënat tona nuk janë makina, por janë punëtore heroina” si përgjigje ndaj parullës shovene serbe që ishte dëgjuar në shumë mitingje serbe: “Se nënat shqiptare dinë vetëm të lindin fëmijë”. Mijëra gra, që shumë shpejt u grumbulluan, që ishte i vogël sheshi t’i zinte, sepse lajmi mori shpejt dhenë. Ishte e rrethuar nga të gjitha anët me policë serb. Kjo demonstratë pati jehonë në të gjithë Kosovën dhe u përshëndet si akt heroik i grave ferizajase, ku demonstrata vëzhgohej edhe nga shumë media ndërkombëtare, e që më vonë do të dënohen me burg edhe gratë organizatore, kurse të nesërmen pati protesta në të gjitha qytetet e Kosovës, ku ishin të përgjakura dhe u vranë afër 30 civilë të pafajshëm për t’u shpallur gjendje e jashtëzakonshme në tërë Kosovën. Andaj, tri dekada më pas jemi këtu për të përkujtuar këtë akt tejet heroik të grave ferizajase që u quajt “Demonstrata e grave të Balajve”, për të përkujtuar guximin e tyre për t’u vënë në ballë të protestave në kërkim të mbrojtjes së shtetësisë dhe lirisë për Kosovën, në ato kushte ç ‘njerëzore dhe dhunës sistematike që ushtrohej në të gjitha mënyrat mbi shqiptarët e Kosovës gati një shekull. Institucionet tona qendrore dhe lokale në këtë vit jubilar të 30 vjetorit të kësaj ngjarje historike të shënuar të paprecedent deri atëherë, në shenjë respekti e mirënjohje për këtë heroizëm të treguar nga gratë ferizajase kanë vendosur dy pllaka përkujtimore të emërtuara si “Guximi i gruas”, njërën në fshatin Balaj aty ku filloi gjithçka dhe u nis kjo demonstratë dhe një pllakë përkujtimore në sheshin para Komunës së Ferizajt, aty ku edhe shpalosën kërkesat e tyre legjitime. Qyteti i Ferizajt si qyteti më i ri në Kosovë, por jo i ri dhe i fundit për nga ngjarjet e shumta që kanë ngjarë historikisht në të, tash e tutje do ta këtë në zemër të qytetit edhe pllakën përkujtimore të skalitur me shkronja të arta heroizmin e grave të Balajve dhe të gjithë Ferizajt. E menduar mire e gjatë, s’ka si të mos ndihesh krenar kur në sheshin e qytetit që mbanë emrin e Komandantit legjendar Adem Jashari, përballë shtatores së Heroit të Kombit, Rexhep Bislimi kemi vendosur edhe pllakën përkujtimore të Demonstratave të 23 marsit të vitit 1989, e njohur ndër popullin tonë si “Demonstrata e grave të Balajve”. Ky trinom i mbamendjes sonë kolektive: shesh-shtatore-pllakë përkujtimore që paraqet më së miri historinë tonë të lavdishme, është dëshmia më e mirë që na tregon rrugën me shumë peripeci nëpër të cilën ka kaluar populli ynë për të ardhur deri në këtë ditë që jemi sot, njëkohësisht duke ju treguar brezave që janë dhe që do të vijnë, se ky popull nga të gjitha shtresat e deshi lirinë pamasë dhe e pagoi me çdo çmim, se ne jemi këtu falë sakrificave të shumë grave dhe burrave që e deshën lirinë dhe Kosovën më shumë se veten, që këtij dheu i dhanë gjithçka dhe asgjë nuk i morën!. Historianët dhe kronikanët e kohës, duhet të bëjmë më tepër që kjo ngjarje historike të marrë vendin e merituar, ngaqë deri më sot për të është shkruar fare pak, e që ndikimi i kësaj protesta të para 30 viteve ishte i madh. Kërkesave të këtyre grave demonstruese në mbrojtje të shtetësisë së Kosovës duhet t’i kemi prijatare në punën e çdoditshme që bëjmë” tha i nënkryetari i Ferizajt, Naim Ferati. 
Këtë ngjarje me prezencën e tij dhe fjalën drejtuar të pranishëmve e nderoi edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai tha se edhe ky manifestim që po mbahet në Ferizaj është pjesë e historisë së vetmohimit dhe krenarisë kombëtare.

“Derisa aspirata jonë kombëtare ishte avancimi i statusit politik dhe atëherë të mangët të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave, Serbia të njejtën kohë kërkonte me çdo kusht që ta heqte edhe atë copë autonomie të cilët e gëzonin shqiptarët me Kushtetutën e vitit 1974, pas 30 vjetësh shtypje e diskriminimi në Jugosllavinë komuniste. Po fillonte përballja e madhe e Kosovës me Serbinë dhe e gjithë Kosova ishte në këtë moment gati të ngrihej, të rezistonte dhe ndër të parat që u ngritën ishin nënat kosovare. U ngritët edhe ju, gratë e fshatit Balaj me guxim e ndjenjë sakrifice për t’i thënë jo, agresionit serb mbi Kosovën. Demonstrata juaj ishte shkëndija e parë e një zgjimi masiv kobmëtare në Kosovë, kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese. Zëri juaj, i grave të fshatit Balaj, u përhap gjithandej Kosovës, në çdo qytet e fshat të saj, tek të rinjtë e të moshuarit, tek punëtorët e intelektualët, minatorët e studentët, prandaj sot derisa kujtojmë ato ditë guximi e rezistence, ndihemi krenar për faktin se ëndrra e atyre heroinave të Kosovës, për Kosovën e lirë sot është bërë realitet. Mundi dhe sakrifica e burrave dhe grave të Kosovës qëndron në themele të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, Republikës së Kosovës. Njëkohësisht qëndron si një kujtesë kolektive e cila na frymëzon për të ardhmen, duke na shërbyer si shembull sesi luftohet për liri, sesi shpresa për të ardhmen kapërcen çdo pengesë e rrezik me të cilën na bie të përballemi” tha i pari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli. 
Në këtë akademi, kujtimet e tyre evokuan edhe dy organizatoret dhe të dënuarat e kësaj demonstrate, Sanie Aliu dhe Hatmane Sallauka.

“Bëhet fjalë për vitet ’88-89, ku nga regjimi i Millosheviçit paralajmëroheshin ndryshimet kushtetuese që për qëllim kishin zhbërjen edhe të asaj pak autonomie të cilën Kosova e kishte fituar në vitin 1974. Kosova me atë autonomi që kishte në kuadër të Jugosllavisë, kishte pozicion jo të barabartë me republikat tjera, prandaj paralajmërimi i ndryshimet kushtetuese për zhbërjen e autonomisë së Kosovës, në fakt nënkuptonte zhbërjen e Kosovës si njësi e veçantë në kuadër të ish Jugosllavisë dhe shkrirjen e saj brenda Republikës së Serbisë. Prandaj edhe duhej ndërmarrë diçka që të dërgohej mesazh i qartë, se shqiptarët nuk do të pranojnë një gjë të tillë. Këto mendime dhe shume tjera ziheshin në kokën time gjatë gjithë kohës, mbase duke qenë 20 vjeçare , e re dhe energjike ishin këto mendime që më shtyen menjëherë të ndërmarr diçka konkrete. Të parët tek të cilat gjeta mirëkuptim dhe mbështetje ishin pjesëtarët e familjes sime, vëllezërit dhe kusherinjtë. Gjatë diskutimit me ta kam shprehur mendimin për të organizuar një demonstratë ku do të marshonin vajzat dhe gratë për të kundërshtuar tendencat e Serbisë ndaj Kosovës. Qëllimi ishte që demonstrata të filloj në fshatin Balaj, nga vajzat dhe gratë dhe të vazhdonte në Ferizaj dhe ashtu ndodhi. Gjatë diskutimit më 22 mars, në shtëpinë time erdhi shoqja ime Hatmane Sallauka. Atë e pyeta për gjendjen në Ferizaj dhe ajo më tregoi se gjendja ishte e tensionuar, madje qyteti ishte mbushur me forca policore. Kuptova se të nesërmen ishte momenti më i përshtatshëm për demonstratë. Pas bisedave me Hatmanen, ramë dakord që së bashku t’i fillojmë përgatitjet. Të njejtën ditë diskutuam detajet e marshit. Së bashku me Hatmanen kemi nisur që t’i ftojmë gratë dhe vajzat e fshatit duke filluar nga lagjja Bozhaj, pothuajse derë më derë deri tek dera e fundit e fshatit Balaj. Kështu deri në orët e vona të mbrëmjes së 22 marsit ne kishim ftuar pothuajse të gjitha gratë e vajzat e fshatit Balaj që nesër të dalim tek Xhamia e fshatit në ora 10:00 të mëngjesit. Natën e 22 marsit, presioni më la pa gjumë, deri në orët e vona të natës, ishte stresuese sepse ishte e nevojshme që demonstrata të ishte masive mirëpo të nesërmen duhet të ishte masive. Unë me nënën time, në mëngjesin e 23 marsit jemi nisur tek Xhamia e fshatit, ku u takuam me Hatmanen dhe nënën e saj, aty së bashku me Hatmanen po diskutonim sesi t’i motivojmë gratë e vajzat e tjera të na bashkëngjiten gjatë rrugës. Fatmirësisht në fshat kemi pasur një grua bujare dhe sypatrembur që asokohe ishte rreth 80 vjeç e cila sot më nuk është në mesin tonë, është fjala për hallën Lebibe” shtoi organizatorja e kësaj demonstrate, Sanie Aliu duke përshkruar tutje me kujtesë brilante çdo detal të kësaj ngjarje. 
Në fjalën e saj para të pranishmëve, e emocionuar, edhe organizatorja tjetër e kësaj demonstrate, zonja Hatmane Sallauka tha se me qëllim e kërkesa të qarta, ishin përcaktuar në veprimin për çlirim. 
“Marrja e autonomisë ishte vazhdimësi e fatkeqësisë që na sillte pushtuesi. Dhuna rritjes, gjendja rëndohej. Pushtuesi donte të na bënte që të mësohemi të jetojmë nën thundrën e tij dhe të na shuante çdo shpresë për të jetuar në vendin tonë. Nga gjendja që mbretëronte asgjë nuk ishte rastësi. Marrja e dhunshme e autonomisë ishte fundi i durimit dhe secili ishte i vetëdijshëm që përveç sakrificës, rrugë tjetër nuk kishte. Në çdo familje, përcaktimi i vetëm ishte veprimi për çlirim. Meqë deri në këtë kohë, pjesëmarrja e femrës në demonstratë numerikisht ishte e vogël, pjesëmarrja masive e femrës shqiptare në vitin 1989 në kundërshtimin e dhunës dhe zhbërjes së autonomisë ishte e një e keqe e papritur për pushtuesin. Në dukje nuk e kishim të lehtë, edhe pse energjitë nuk na mungonin. Ishim të reja, kishim nevojë për këshilla të mirëfillta por edhe të njihnim organizimin. Ishte përgjegjësi e madhe vendimi për të përfshirë të tjerët sepse ndodhnin në prag të papritura që në vete bartnin shumë rreziqe. Nuk ishte e lehtë që përmes teje, dhuna të shkonte në familjen e tjetrit” tha zonja Hatmane Sallauka, njëra ndër organizatoret e kësaj demonstrate, duke shtuar se për bartëset e këtij organizimi, qëllimi dhe kërkesat ishin të qarta.

Akademi kushtuar kësaj ngjarje historike vijoi me referencat për këtë periudhë historike, kontribut në të cilat dhanë historiani Skënder Lutfiu dhe Besim Zymberi.

Me pjesë artistike, të interpretuara nga kori dhe orkestra e qytetit si dhe pjesën e veçantë artistike të përgatitur enkas për këtë ditë, deklamimin e Artistit të Merituar, Mirush Kabashi që emocionoi tej mase të pranishmit në sallë si dhe këngët e interpretuara nga këngëtari i mirënjohur shqiptar Selami Kolonja, u mbyll kjo akademi kushtuar 30 vjetorit të Demonstratave të Grave.

Aktiviteti i fundit përgatitur për të shënuar këtë ngjarje u mbajt në sheshin “Hyrë Emini”, ku artistët pamor ferizajas, kanë përgatitur dhe shpërndarë piktura-dhuratë me motive nga kjo ngjarje për gratë protagoniste të kësaj demonstrate si dhe zonjat që kanë dhënë kontribut të veçantë e meritor për qytetin tonë

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img