29,03,2024

Ferizaj, komuna e parë që nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për programin nacional për rininë, kulturën dhe sportin

Must Read

Paraditen e sotme, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani dhe drejtoreshën e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani, kanë pritur në takim, Koordinatorin Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica si dhe zëvendësministrin e arsimit, Azem Guri.

Në këtë takim, që për qëllim kishte shpalosjen e Programit Nacional për Rininë dhe ndarjet e përgjegjësive mes nivelit qendror dhe atij lokal për të përmbushur këto objektiva të parapara në këtë program, Komuna e Ferizajt, u bë komuna e parë në Republikën e Kosovës, që nënshkruan një marrëveshje të tillë, duke dhënë shembullin e agjendës së qartë lokale për të rinjtë dhe politikave vizionare në këtë sektor.
Madje, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se sot është një koincidencë e këndshme, për shkakun se një vit më parë, ishte pikërisht vullneti, angazhimi dhe vizioni i të rinjve që vendosi fatin politik për drejtimin e Komunës së Ferizajt.
“Është komuna e parë që është përzgjedhur që të nënshkruajmë këtë memorandum mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komunës së Ferizajt. Dhe është përzgjedhur po ashtu, në një ditë që është ditë e ndryshimit për Ferizajn sepse një vit më parë kishte ndodhur ndryshimi në Ferizaj dhe një vit më parë, votuesit kryesor që kishin vendosur për ndryshimin ishin pikërisht rinia e Ferizajt dhe ata kur kanë vendosur kishin pasur një arsye, sepse kishin besuar në programin tonë, kishin besuar në gatishmërinë tonë që të kemi një qasje ndryshe, një vullnet ndryshe, dhe mbi të gjitha një angazhim të shtuar drejt asaj që është ëndërr e tyre, drejt asaj që është ëndërr për t’u plotësuar dhe sigurisht se një vit i kaluar, është pjesë e plotësimit të asaj ëndrre. Sepse ju e dini që platforma ime tashmë qeverisëse ishte platformë për rininë dhe në kuadër të saj kishte shumë pika programore që ishin pikërisht për ata dhe kjo ishte arsyeja që ata më mbështetën dhe kjo është arsyeja që sot jemi këtu për të faktuar edhe një marrëveshje, me një përkushtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës se aset ynë kryesor, resursi ynë kryesor, rinia do të trajtohet gjithnjë e më shumë dhe më ndryshe dhe sigurisht se për këtë unë falënderoj Koordinatorin Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, që ka marr këtë detyrë dhe përgjegjësi që pas një kohë të gjatë ka punuar dhe sot kemi ardhur në pikë që pas shpalosjes në Prishtinë të nënshkruajmë në Ferizaj këtë memorandum për të filluar implementimin e këtij programi nacional. Vërtet ne kemi një rini të mrekullueshme, por ajo nuk mund të jetë e tillë, nëse nuk kemi program dhe politika të cilat e ruajnë rininë e mrekullueshme e mbi të gjitha të shëndosh sepse ju e dini, një vit më parë kam folur se si të jetë familja, sesi të ketë projekte konkrete për rini dhe tashmë e dini se i kemi ato pika në kuadër të buxhetit të komunës, ne kemi edhe ligat shkollore, ne po kujdesemi që të kemi siguri në shkolla dhe e dini që do t’i zbatojmë ato pikë për pikë, sepse jemi të vendosur që rinia jonë të jetë krahas rinisë evropiane. Sigurisht se ky program do ta lehtësoj edhe më shumë dhe do të krijoj mundësinë që ata të rinj ” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, tha se është kënaqësi e veçantë bashkëpunimi me një komunë, prijëtare në politikat e të rinjve dhe gjithmonë të gatshme të avancoj ato edhe më shumë. Madje, ai u impresionua me planet e qarta dhe rezultatet e qeverisjes lokale për investime në këto fusha, duke dhënë shembullin e angazhimit e kujdesit institucional për të rinjtë.
“Vërtet, unë nuk e kam ditur krejt agjendën të cilën e shpalosi kryetari, me të dhëna kaq të sakta që ne sot kemi një projekt, program nacional nga Qeveria e Republikës së Kosovës e cila zbret në një komunë, e cila realisht e ka bërë fitoren dhe ka fituar votën e vet përmes agjendës së familjes dhe të rinjve. Programi nacional ka tri shtyllat kryesore, ka diturinë, sportin dhe kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik. Është për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës pa përjashtim, është për të gjithë nxënësit e Komunës së Ferizajt pa përjashtim, as përkatësie gjinore, as përkatësive tjera dhe realisht, së bashku me Kryetarin e Komunës, ashtu siç më premtoi mua, ne do të fillojmë zbatimin e një projekti i cili për herë të parë do t’i ofroj rinisë së Kosovës, hapësirën që atyre realisht i takon. Rinia e ka hapësirën tek nxënia, aktivitetet e ndryshme, edhe ato që janë të parapara me kurrikula dhe ato që janë jashtë kurrikulave. Natyrisht, Ferizaj ka të veçantën e vet të ekspozimit i cili realisht po rritet dhe po zhvillohet jashtëzakonisht shumë. Kjo edhe neve na obligon më shumë që gjithë kjo energji e madhe të kanalizohet nëpër shkolla, ti kemi edhe garat dhe të kemi realisht një ofertë për të gjithë nxënësit pa dallim” tha Koordinatori Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti.
Qëllimi i Programit Nacional për Rininë është nevoja për përmirësimin e cilësisë në arsim, zhvillimin e shkathtësive sportive dhe zhvillimin kulturor. Në këtë aspekt, Programi Nacional për Rininë ka për qëllim krijimin e hapësirës së munguar për të rinjtë, në shërbim të krijimit të mundësive për ta zhvilluar dijen dhe talentin, mundësinë e hapësirave për argëtim dhe kreativitet kulturor e sportiv.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img