Lajme

Familjarët nuk flasin pse ndodhi vrasja dhe vetëvrasja


Publikuar më:


Një 28-vjeçar nga Ferizaj ka vrarë gruan e tij dhe pastaj veten. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së mërkurës.

Çifti kishte një djalë 6 –vjeçar. Familja e pikëlluar thellë nuk e komenton vrasjen, por një person që njihte çiftin thotë se dorasi ishte në depresion kohëve të fundit.

Për familjen Bajrami nga Ferizaj orët e para të ditës së mërkurë ishin të kobshme, raporton KTV.

Djali H. Bajrami, 28-vjeçar, në dhomën e gjumit kishte qëlluar me armë zjarri gruan e tij F. Omuri, 27 -vjeçare, dhe pas pak qëllon edhe veten me një plumb.

Arma me të cilën u krye vrasja dhe vetëvrasja ishte e kalibrit AK – 47, që njihet si kallashnikov.

Familjarët nuk kanë dashur të flasin për shkaqet që nxitën këtë akt të djalit të tyre.

Prapa kamerës thonë se krejt kjo tragjedi ka ndodhur mes çiftit në një ambient të mbyllur dhe pa dijeninë e tyre.

Një i afërm i kësaj familjeje, dorasin e ka përshkruar si djalë shumë të urtë e të sjellshëm deri kohëve të fundit.

Megjithatë, thotë se kohëve të fundit ai kishte rënë në depresion të thellë. Ishte i papunë, pa perspektivë dhe shumë i dëshpëruar pas kthimit nga perëndimi, ku kishte migruar vitin e kaluar.

Sipas të afërmit, depresioni edhe mund të ketë qenë shkaku kryesor i vrasjes dhe vetëvrasjes.

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, të cilët edhe konstatuan vdekjen e çiftit.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat, si dhe është gjetur dhe konfiskuar arma, me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

Ky çift ka lënë pas djalin e tyre 6-vjeçar.

Comments
To Top