Lajme

Familja nga Prishtina ankohet se kanalizimi i fqinjit ia helmoi fëmijën


Publikuar më:


Mungesa e rrjetit të kanalizimit është bërë problem për familjen Kadriu nga Prishtina. Në mungesë të një investimi të tillë, 10 anëtarët e kësaj familjeje duhet të përballen tash e dy vjet me kundërmimin dhe rrezikun që paraqet puseta në oborrin e tyre, raporton KTV.

Kjo familje jeton në rrugën “Ibrahim Fehmiu”, në lagjen “Kodra e Trimave”, në kryeqytet dhe përskaj shtëpisë po u rrjedh kanalizimi i fqinjit të tyre me ujëra të zeza.

Zonja e shtëpisë thotë se nipi i saj është infektuar nga kjo pusetë, për çka ka kërkuar ndihmë në emergjencë, ku sipas saj, mjekët kanë konstatuar se shkak i infektimit janë ujërat e zeza.

Zonja Kadriu thotë se nuk ka lënë derë pa trokitur për të kërkuar zgjidhje si në Komunë, ashtu edhe në polici, megjithatë deri tash, sipas saj, askush nuk ka ndërmarrë asgjë.

Por, zyrtarë të Inspektoratit komunal thonë se përgjegjës për rrjetin e kanalizimit është Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Nga ana tjetër, Kompania e Ujësjellësit përgjegjësinë e heq nga vetja, duke thënë se i takon komunës së Prishtinës.

Comments
To Top