Ferizaj

Familja Miftari në hall me skamjen e sëmundjet .Ligji i përjashton nga ndihmat


Publikuar më:


Kriteret e rrepta për ndarjen e banesave të komunës përjashtojnë edhe familje me gjendje shumë të rëndë sociale. Familja Miftari kërkon ndihmën e vullnetmirëve ngase bën një jetë të vështirë në një shtëpi të huaj për të cilën paguan 80 euro qira e 95 i merr si ndihmë sociale.

Familja Miftari nga Zhegra e komunës së Gjilanit ka 8 vjet që ka ardhur të jetoj në një shtëpi të vjetër një fshatin Talinoc të Ferizaj. Ndonëse shtëpia nuk i plotëson as kushtet minimale për banim e zonja shtëpisë Xhevrija thotë se çdo muaj detyrohen të paguajnë nga 80 euro për qiranë e shtëpisë. Skamja dhe sëmundjet e dy fëmijëve e kanë katandisur keq këtë familje të cilët thonë se shpesh u ndodh edhe të mos kenë asnjë ushqim gjatë gjithë ditës.

“Shpesh ndodh që fëmijët e mi nuk kanë as bukë e as asgjë në sofër, burri kur është mirë punon me hekura por rrallë ndodh. Ai nuk e ka gjendjen mirë. Jemi tepër keq dhe shpesh nuk di kah t’ia mbaj . Djali 13 vjet Gentriti as nuk ec e as nuk fol e vajzës po më thonë se duhet t’a këpusin këmbën. Unë nuk di se çka do të bëhet me ne por më rëndë nuk ka kur të shkojë” ankohet kjo banore e fshatit Talinoc.

Kjo nënë me shumë halle thotë se nga skamja s‘ ka mundur as të interesohet për shërimin e  djalit diku jashtë vendit sepse s’ ka pasur asnjë cent as për kontrollë tek mjekët e këtushëm.

foto 3 [71418171]

Komuna me ligj nuk mund t’i bëjë vend

Familja Miftari ka kërkuar nga komuna e Ferizajt njërën nga banesat të cilat do të jepen së shpejti për shfrytëzim, por udhëheqës të komisionit komunal të formuar për këtë çështje pohojnë se banorët përfitues duhet të jenë banorë të këtushëm para vitit 1995.

Si rast social me kushte shumë të vështira kjo familje ka prekur thellë edhe anëtarët e këtij komisioni të cilët bëjnë thirrje që të ndihmojë për banim familjen e cila nuk po mund të plotësojë kriteret e parapara për marrje të banesës.

“Për nga gjendja e vështirë kjo familje  e para ndoshta do të duhej të vendosej në banesat e  komunës, por e kemi të ndaluar që atyre që kanë ardhur këtu para vitit 1995 t’u japim banesa. Na ka prek mjaft rasti por nuk mund të dalim jashtë kritereve” thotë kryesuesi Hashani duke bërë thirrje tek ata që kanë mundësi për të drejtuar ndihmat për familjen Miftari.

Ndërsa një apel për strehim më të mirë dhe pa obligime financiare e bën edhe vetë Xhevrija e cila pohon të jetë një nënë e dërmuar nga skamja dhe sëmundjet e dy fëmijëve të saj.

“Kush ka mundësi bën sevap me naj gjet një shtëpi nuk paguajmë sepse po më digjet zemra kur po duhet me pagu qiranë e me i lënë fëmijët pa ushqim se krejt ndihmat që i marrim është veç 95 euro” thotë me lot në sy Xhevrije Miftari. Kjo familje pohon se nuk as tokë askund prandaj është përjashtuar shpesh edhe nëpër shoqatat ku ka kërkuar ndihmë.

Komisioni për ndarjen e banesave pronë komunale ka pranuar gjithsejtë 254 kërkesa për të dhënë në shfrytëzim 37 banesa. Deri më tani janë vizituar më shumë se 100 familje për t’u verifikuar gjendja e tyre. Ndërsa i gjithë procesi pritet të kryhet deri në muajin shtator ndërsa anëtarë të këtij komisioni janë zotuar se në bazë të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi banesat do t’u takojnë familjeve që janë vërtetë raste të rënda sociale./Tv Liria

Comments
To Top