Editorial

Edhe po deshe të vdesësh, mbase nuk mundesh!


Publikuar më:


Shkelzen Marevci

Virusi Korona ka ndikuar që sot më shumë se kurrë krijesa njeri të mendojë e të frikësohet nga vdekja. Por, a duhet të ndihemi kaq të frikësuar, apo, thënë ndryshe, përse aktualisht mendojmë se jemi më të rrezikuar nga vdekja sesa para shfaqjes së virusit Korona dhe a është e vërtetë kjo gjë?

Jo, absolutisht. Vdekja nuk ndodh kur të duash ti a  dikush tjetër. Nuk mund të të vrasë çfarëdo virusi, as kanceri, as ataku kardiak e as ndonjë sëmundje tjetër, çfarëdo qoftë ajo. Madje sa e sa njerëz duan të vetëvriten, por jo të gjithë mund ta kryejnë “me sukses” një akt të tillë, pavarësisht dëshirës së tyre, sepse për të dalë nga kjo botë nuk vendosim ne. Dalja nga kjo botë është rregull i vendosur nga Ai që na ka dhënë jetën. Ne nuk duhet të biem pre të intrigave djallëzore se vdekja është në dorën tonë, ngase një mashtrim i tillë bart pasoja aq të rënda për ne, saqë na dëmton tej mase raportin me Krijuesin e Shpëtimtarin tonë (Zotin). Ti vdes vetëm atëherë kur të vjen çasti (dakiku) i saj e që është i përcaktuat nga Ai që të krijoi. Ndryshe, nuk do të mund të shpjegohej pse nga shumë njerëz që infektohen nga viruse të njëjta vdekjeprurëse, vetëm disa vdesin e të tjerët shpëtojnë?! Si shpjegohet ndryshe që shumë njerëz sëmuren nga kanceri dhe disa vdesin e disa shpëtojnë?! Apo, si shpjegohet që aq shumë infarkte kardiake marrin njerëzit dhe vetëm disa nga ta vdesin e të tjerët shpëtojnë?! Po, vërtet shpëtojnë. Dhe, madje, ne disa i njohim, i dimë me emra, shoqërohemi e ndoshta kemi në familje prej tyre.

Po kjo tjetra dhe më interesantja: si shpjegohet fakti që disa njerëz, që gjatë gjithë jetës kanë gëzuar shëndet të mirë, vdesin papritmas, pra, vdesin pa ndonjë sëmundje paraprake?!

O njerëz, të jetojmë të qetë e me mendime pozitive për aq sa e kemi të shkruar të jetojmë, kjo është gjëja e vetme që na duhet, sepse, të kemi frikë histerike nga vdekja nuk i bie asgjë tjetër përpos që të jetojmë të trishtuar qoftë edhe se jetojmë njëqind vjet. E, të jetosh një jetë të tërë në gjendje të llahtarshme është më e rëndë sesa të vdesësh njëqind herë, është e tmerrshme, apo, si thoni ju?!

Prandaj, vdekjen ta kujtojmë vetëm në kontekst kur duhet ta përmirësojmë veten tonë, që të na ndihmojë/këshillojë të largohemi nga punët e mbrapshta, që konsistojnë në lakmi patologjike e kurrsesi, o njerëz, të mos jetojmë me frikën e vdekjes e të përjetojmë orë e çast ankth e trishtim e të përfundojmë, Zoti na ruajt, të çmendur nga frika e vdekjes dhe t’i humbasim çastet e lumtura që Zoti i krijoji për njerëzimin. Pikërisht frika e tepërt mund të bëhet shkaktari i humbjes së atyre momenteve të lumtura. E pse?! Pse duhet të frikësohemi nga vdekja, kur vdekja është origjina jonë. Para se të vinim në këtë botë, ne nuk ekzistonim këtu. Jetën e kemi dhuratë nga Zoti dhe është nga dhuratat më të bukura që kemi, sepse gëzojmë shëndet, prindër e fëmijë, motra e vëllezër, pasuri e shoqëri. Por, edhe sëmundja në vetvete ka të mirat e saj, sepse për të sëmurin është pastrim nga të këqijat, ndërsa te të dashurit shton dashurinë. Pra, këto të mira duhet të dimë t’i harmonizojmë dhe rezultat do të jetë lumturia. Një harmoni e mençur e të mirave të Zotit që i posedojmë, lumturinë e garanton qoftë dhe në çastin e vdekjes, sepse e kemi Zotin afër nesh në atë çast.

Duke jetuar jetën racionalisht e në qetësi, lumturia do të përshkojë e do të mbretërojë në jetesën tonë. E, duke jetuar jetën me emocione të paekuilibruara, ashtu vetë ne e bëjmë me vuajtje jetesën tonë.

Zot, shto lumturinë në familjet, shoqëritë dhe në mbarë botën!

To Top