29,03,2024

E mitura nuk sillte shumë para nga lypja, e ëma e torturonte

Must Read

Rastet e shumta të dhunës apo të shfrytëzimit të fëmijëve në shtëpi, në shkollë apo në institucionet e përkujdesjes ditët e fundit janë kthyer në një temë të nxehtë. Por nuk janë vetëm administratorë apo punonjës të kopshteve privatë, që dhunojnë të miturit por në polici janë shtuar rastet kur prindërit dhunojnë fëmijët. Një rast i tillë është regjistruar në Tiranë, ku nëna M. Rami ka dhunuar disa muaj më parë fizikisht dhe psikologjikisht vajzën e saj të mitur vetëm 5 vjeçe. Dhe të mendosh se cila është arsyeja e kësaj ngjarjeje. Gjithçka mes nënë e bijë ka ndodhur për shkak të vështirësive ekonomike që paraqitej në familjen e tyre. Gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës është mësuar se Rami e nxirrte vajzën e saj të mitur nëpër rrugët e kryeqytetit për të lypur.

Vajza e vogël e gjendur nën urdhrat e të ëmës vazhdonte dilte nëpër rrugë për të mbledhur sadopak të holla për familjen, por sërisht nuk e kënaqte mamanë e saj pasi nuk arrinte të mblidhte shuma të mëdha. E gjendur në këtë situatë, e ëma M. Rami kur vajza nuk i sillte shuma të majme në shtëpi e rrihte atë mizorisht pa iu dhembshur. Madje Rami nuk mendohej dy herë që ta rrihte të bijën edhe në rrugë, në sy të të gjithë kalimtarëve. Por, fatmirësisht veprimet e nënës dhunuese një ditë kanë rënë në sytë e policisë, të cilët ia kanë hequr vajzën nga duart për të fundit herë mamasë dhe duke i vënë më pas prangat e për ta mbyllur në qeli. Vajza është mbajtur për disa kohë nën shoqërinë e psikologes për shkak të traumave që i ishin shkaktuar nga dhuna fizike e psikologjike e përditshme nga nëna e saj, duke u transferuar më pas në shtëpi të fëmijëve në kryeqytet.

Gjykata

Pas arrestimit, çështja e dhunës ndaj të miturës ka përfunduar në Gjykatën e Tiranës, aty ku nëna do të jepte llogari mbi dhunën e përdorur ndaj fëmijës së saj. M. Rami ka pranuar para gjykatës që të ketë ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj, por duke pretenduar se ata ishin një familje e varfër ndaj dhe arrinin deri në këto ekstreme. Po ashtu, në praninë e një psikologeje mësohet se në Gjykatë ka dhënë deklaratën e saj edhe vajza e dhunuar nga nëna, e cila ka deklaruar çdo rast të saj të dhunimit. Sipas gjykatës, vajza e mitur ka deklaruar se nuk është dhunuar vetëm një herë nga nëna e saj, por në çdo ditë të mundshme kudo që ajo do të gjendej, qoftë në rrugë apo në shtëpi. Pas ngjarjes së ndodhur vajza është dërguar në shtëpinë e fëmijëve, aty ku po merr përkujdesje dhe të bëjë një jetë pak më normale nga ajo që bënte rrugëve kur qëndronte me nënën e saj. Familja Rami sipas deklaratës së të pandehurës jeton në Tiranë por në kushte shumë të vështira ekonomike.

Sipas saj, vështirësia për të blerë bukën apo ndonjë ushqim tjetër e detyronte të nxirrte vajzën në rrugët e Tiranës për të lypur para dhe në momentin kur vajza nuk kishte mbledhur mjaftueshëm ajo e dhunonte pasi mendonte se si do të blinte ushqimet. Po ashtu, ajo ka deklaruar se e ka kryer këtë veprim duke mos e ditur se po kryente një vepër penale, pasi në fund të fundit ishte fëmija i saj dhe mund t’i bënte çfarë të donte. Tre ditë më parë, Gjykata e Tiranës e ka dënuar shtetasen M. Rami me dy vite burg, ndërsa fillimisht Prokuroria kishte kërkuar dënimin e saj me pesë vite burg nën akuzën e “Dhunimi i të miturve”. Rami ka shfaqur pendesë në gjykatë mbi dhunën e ushtruar ndaj vajzës së saj, por më kot pasi vajza është larguar për t’u strehuar në shtëpinë e fëmijës. Kjo e fundit mësohet se do të vuajë dënimin e saj në burgun e grave. /Shekulli

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img