20,04,2024

Dy panatyrshmëritë politike që na përfaqësuan!

Must Read

Petrit Musolli

Nga Petrit Musolli

Kritika dhe argumenti kryesor i opozitës dhe përkrahësve të pakompromis të saj, ishte se koalicioni  i pushtetit ishte një bashkim i panatyrshëm dhe i ndërtuar mbi interesa personale! Me gjyku pa paragjykime, e racionalisht, Opozita e Bashkuar doli po aq e panatyrshme dhe e ndërtume, po ashtu, mbi ambicie personale – sa edhe koalicioni qeveritar!

E vërteta e pakontestueshme e përçamjes së opozitës është mosmarrëveshja rreth ndarjes së posteve personale mes liderëve të subjekteve përbërëse të Opozitës së Bashkuar. Prandaj, edhe akuzat e ndërsjella, sot, janë të përqendruara në emra individësh. Dhe, jo, cili koncept politik ishte më argumentues!

Opozitën nuk e çoi në ndarje e ‘armiqësim’ konflikti, apo dallimi mes koncepteve kubiane e perëndimore, por (paqt si loti) mospajtimi rreth ndarjes së një pushteti, edhe ashtu fiktiv!

Dhe, sot, akuzat e tyre mes vete janë të parëndësishme, kundrejt shpjegimit se sa e (pa)natyrshme ishte Opozita e Bashkuar! Sepse, kjo opozitë, kishte target sulmi panatyrshmërinë e koalicionit qeverisës! Që ky koalcion nuk përfaqësonte idetë dhe interesat e elektorateve respektive, por ato të liderëve partiak. Kurse, në anën tjetër, bashkimi opozitar u shemb si kulla prej letrave, nga një mosmarrëveshje banale për rehabilitim personash, në një pushtet fiktiv!

Të paktën publikisht, nuk ka asnjë informacion apo deklarim për mospajtime rreth harmonizimit të pikëpamjeve qeverisëse të opozitës apo programeve e koncepteve politike. Sepse, prej fillimi, Opozita e Bashkuar nuk ka pasur një kauzë politike/qeverisëse, prandaj ka manipuluar me emocionin nacionalist si kauzë dhe drejtim opozitar. Një kauzë që rrezikonte themelet e shtetit… vetëm, sepse, opozita nuk mund të ndërtonte një alternativë si ofertë politike!

Nëse opozita do të ishte prej fillimi e sinqertë, dhe për parim t’i kishte ofertat alternative dhe jo rehabilitimet politike të liderëve, nuk do të kishte arsye të shpërbëhej kaq lehtësisht. Për shembull, do të mund të binin në ujdi për dy oferta (alternative) politike, të propozuara nga dyja palët, në këtë rast AAK dhe Vetëvendosje. Pastaj, t’i vënë në votim brenda elektoratit të vet për të marrë pëlqimin përfundimtar për përcaktimin alternativ!

Por, edhe opozita, sikurse kritikonte koalicionin qeverisës, shmangu deklarimin e interesit të elektoratit të vet, për interesa personale të udhëheqësve partiak! Sikur e gjithë iniciativa për alternativë politike të ishte e sinqertë dhe për interes publik, debatin do ta zhvillonin publikisht. Sepse, më me rëndësi sesa janë pajtuar opozita për një alternativë, është se për çfarë alternative janë pajtuar.

Dhe, edhe sot, nuk e dimë cila ka qenë përmbajtja dhe koncepti i alternativës së tyre, pos strukturës hierarkike për ndarje pushteti! Përpos, ndarjes proporcionale të pushtetit (fiktiv) nuk ka një sqarim rreth konceptit e platformës politike, për të cilën janë ose nuk janë pajtuar ta përfaqësojnë! Nuk ka debat rreth pikave programore të pajtueshme e papajtueshme, pos një debati akuziv banal e tejet personal!

Nëse subjektet tona politike janë të gatuara kësisoj, të ndjekin interesat personale dhe të manipulojnë publikun për interesa personale, shoqnia civile e përfshime në këtë ‘kauzë alternative’ nuk ish dashtë të zgjedh heshtjen në këtë debat, sot. Ose, opozita duhet të bëjë publike emrat e preferuar, ndoshta edhe të bashkëbiseduar, të pjesëtarëve të shoqnisë civile, për listën e tyre zgjedhore, të paraparë në Alternativë.

Edhe ata duhet të përfshihen në këtë debat, nëse kanë qenë pjesë e debatit për krijimin e kësaj oferte alteranitve. Të sqarojnë se cili ka qenë qëndrimi dhe ndikimi i tyre në krijimin e Alternativës dhe gjetjes së një alternative për të mos dështuar Alternativa?! Meqenëse janë paraparë të jenë pjesë e saj, me siguri kanë qenë edhe pjesëmarrës në debatimin për krijimin dhe funksionimin e saj!

Nëse është e kundërta, prap, duhet të sqarojnë (për opinionin) se si janë pajtuar të bëhen përfaqësues të një organizimi (politik) pa qenë pjesë e kontribues në organizimin e tij!? Cili, atëherë, do të ishte roli i tyre, si shoqni civile, në një organizim e ide politike të diktuar, kryekëput, nga subjektet politike?! Çfarë disponimi e vullneti politik do të përfaqësonin në atë alternativë politike?! Ose, thënë më sakt, disponimin dhe vullnetin e kujt do ta përfaqësonin?!

Nëse në atë alternativë politike është paraparë edhe përfaqësimi nga figura apo organizata të caktuara të shoqnisë civile, atëherë, logjikisht, nënkuptohet edhe pjesëmarrja e tyre aktive në konstruktimin e atij organizimi! Përndryshe, ato vende të rezervuara, do të ishin vetëm dekor manipulativ për të kamufluar interesat e vërteta të tri subjekteve opozitare për ndarje pushteti dhe jo një fronti të proklamuar qytetarë.

Mirëpo, debati i zhvilluar e zhvendosur vetëm mes tri subjekteve politike, përbërëse të Opozitës së Bashkuar, tregon se ajo pjesë e shoqnisë civile, ka pranuar vetëm të jetë përfituese e një organizimi politik që premtonte pushtet, sesa kontribuese e siqnertë dhe përfaqësuese e interesit për çfarë ka qenë e thirrur.

Sepse, Opozita e Bashkuar, gjithë kohës ka manipuluar me shoqninë civile, për me krijue idenë e një “kryengritje qytetare”, përtej interesave partiake. E që epilogu tregoi të kundërtën. Zbuloi të vërtetën, që sot zor po e pranojmë dhe po mundohemi me imagjinu fajtorë. E vërteta e thjeshtë, ndoshta, është se si shoqni prodhojmë vetëm paradokse dhe jetojmë në kontradikta.

Sepse, nëse sot, kemi kuptuar se alternativa ka qenë po aq e panatyrshme (sipas të njëjtit perceptim), sa edhe koalicioni i pushtetit, nuk duhet zhgënjyer! Panatyrshmëria e zbulueme e Opozitës, është një lehtësim i madh! Është, ndoshta, edhe një trokitje në vetëdije!.. Të ndërtojmë idenë e krijimit të një alternative mbi parimet e një kulture politike që reprezenton vizion politik të nënshtruem ndaj një debati publik. Një vizioni politik që i dorëzohet votës së informueme, dhe jo asaj të manipulueme!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img