25,04,2024

Delawie: SHBA-të do të qëndrojnë krah jush, por ju duhet vet t’i prini fatit tuaj

Must Read

olitikanë, biznesmenë, gazetarë dhe tjerë kanë qenë sot në mbrëmje mysafirë të ambasadorit të SHBA-ve, Greg Delawie. Ai hapi dyert e Ambasadës e cila gjendet në lagjen “Dragodan”, për të pritur të ftuarit në ndejën që ka organizuar për nder të Ditës së Pavarësisë së shtetit të tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur Pavarësinë më 4 korrik të vitit 1776.

Delawie gjatë fjalimit të tij ka folur për përpjekjet e kombit amerikan për pavarësinë e shtetit të tyre.

Sipas tij, edhe SHBA-të, sikurse Kosova, tetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë kanë pasur vështirësi – si në financa, si për ta përkufizuar dhe zbatuar jashtë vendit politikën e jashtme.

Delawie tha se këtë po e bëjnë edhe sot dhe se në një bashkësi të larmishme gjithnjë do të ketë dallime dhe mospajtime dhe se ato nuk duhet të ndalojnë një Qeveri që të ecë përpara në interesin e përbashkët të kombit.

“Kështu, tetë vjet pas pavarësisë në Kosovë, me plagët e historisë ende të freskëta, duhet ta mbajmë mend se të kesh qeveri të lirë, të pavarur dhe demokratike me të vërtetë është edhe privilegj edhe përgjegjësi. Madje edhe kur një grup i vogël i politikanëve është i dhunshëm dhe përçarës. Madje edhe kur të tjerët vendosin se mosveprimi është politikisht më i rehatshëm se sa përballja me çështjet e vështira dhe të rëndësishme. Madje edhe kur popullata humb besimin në qeverinë e vet, politikanët duhet ta mbajnë në mend atë privilegj dhe përgjegjësi dhe të punojnë me mund për ta kthyer besimin e qytetarëve, të cilët janë punëdhënësit e tyre. Duhet t’i përqafojmë sfidat dhe mundësitë-mundësitë për të udhëhequr dhe mundësitë për të punuar, për ta ndërtuar të ardhmen më të ndritur”, tha Delawie.

Ambasadori i shtetit më të fuqishëm në botë lavdëroi punën e Qeverisë, ndërsa kritikoi ata politikanë që sipas tij kanë qëllime vetjake, politike, financiare duke i nxitur siç tha ai “që t’i rishqyrtojnë prioritetet e tyre”.

Delawie tha se këtu ka ende punë për të bërë, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe korrupsionit e që ai tha se ka shenja të përparimit.

Në, fund Delawie premtoi se SHBA gjithnjë do të jenë pranë Kosovës.

“Kosova duhet të ecë përpara për interesin e përbashkët të popullit të saj. SHBA do të qëndrojnë krah jush, por ju duhet vet t’i prini fatit tuaj”, tha Delawie.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, ministra të Qeverisë, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, nga Nisma Jakup Krasniqi, përfaqësues të besimit katolik dhe mysliman etj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img