28,03,2024

Dekan nuk është personi që rri ulur në karrige të butë

Must Read

Pavarësisht prej sfidave mjaft të vështira që ka pasur deri më tash në jetë, duke pasur vullnet për jetën dhe punën e duke pasur besimin e bashkëpunëtorëve dhe përkrahjen e tyre, sot është dekane e Fakultetit të Filologjisë. Është një grua që s’e sheh ulur asnjëherë kur i shkon për vizitë në fakultet. Nëse nuk e sheh në korridor, në ndonjë sallë me punëtorët e administratës të Filologjisë teksa vëzhgon punën e tyre dhe i ndihmon edhe fizikisht, as kur e viziton në zyrën e saj në fakultet nuk e gjen të ulur. Thotë se dekani nuk zgjedhet për të ndenjur ulur në karrige të butë, por se është një nga profesorët që duhet t’i organizojë punët në fakultet. Kaq përkushtim për menaxhimin e punëve të fakultetit ka edhe në shkencë. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore ndërkombëtare dhe ka publikuar dhjetëra punime shkencore po në revista ndërkombëtare. Ka publikuar edhe disa libra nga fusha e gjuhësisë. S’do të ndalet të shkruajë e të publikojë as tash, por më pak sesa që ishte pa detyrën e dekanes. Flet për “Epokën e re”, në këtë numër festiv të gazetës, Lindita Rugova, e cila jep këtë mesazh për vitin e ardhshëm: “Ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe t’i mbështesim vlerat e vërteta, qoftë akademike, qoftë njerëzore! Më shumë njerëzillëk dhe më pak urrejtje e smirë!”.

“Epoka e re”: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” i ka 13 fakultete në Prishtinë. 11 fakultete i udhëheqin profesorët, kurse dy i udhëheqin dy profesoresha. Dekane, si e menaxhoni punën në Fakultetin e Filologjisë?
L. Rugova: Mendoj se shumë më mirë do t’i kishim punët edhe si shoqëri po t’u kishim lënë më shumë hapësirë femrave të zonja në postet menaxhuese. Pa pretenduar që këtë epitet t’ia jap vetes sepse ende është herët të flitet për këtë punë, unë besoj shumë në këmbëngulësinë dhe në vetëmohimin e femrave tona kur u jepet një përgjegjësi e re, jo sa për ta fituar epitetin e Barbi kukullave, siç ndodh nganjëherë, pa bërë asgjë dhe vetëm duke marrë “poza”. Askush nuk mund të ketë sukses në udhëheqjen e një institucioni në qoftë se nuk e ka edhe përkrahjen e njerëzve përreth, të atyre pa të cilët nuk frymon një institucion i tillë, në rastin konkret të personelit mësimdhënës, administrativ dhe të vet studentëve. Unë mendoj se njeriu duhet ta konsiderojë të shenjtë profesionin ose detyrën e përditshme që e ka sepse nëse punët nuk bëhen me shpirt, më mirë të mos bëhen fare. Është si ajo amvisja që burrit të lodhur që sapo është kthyer nga puna ia kthen drekën dhe atij i pëlqen shumë, e pyet se çfarë recete kishte përdorur dhe kjo fillon t’ia shpjegojë hollësitë e përgatitjes së gjellës e ai në fund ia kthen: Më duket se pati edhe pak zemër në të! Gabimet dhe mosdija edhe mund të pranohen, por mospuna dhe papërgjegjësia assesi!

Shumë, shumë punë…

“Epoka e re”: Çfarë punë keni bërë deri tash në infrastrukturën e objektit të fakultetit dhe çfarë prisni të bëni?
L. Rugova: Objekti i Fakultetit të Filologjisë është një nga më të vjetrit në UP, prandaj kërkon shumë riparim dhe rindërtime të vazhdueshme. Kishim një mundësi (donacion) që ta riparonim kulmin që po rrjedh, por na dolën telashe me fizibilitetin e objektit. Një pjesë e madhe e hapësirës në bodrum na rrezikohet nga uji. Vazhdimisht kam kërkuar mjete financiare për të. Shpresoj që gjatë vitit 2017 të mund t’i fus në projektet kapitale që do të financohen nga universiteti ose nga ndonjë donacion i agjencive ndërkombëtare.
Bashkë me personelin e IT-së e kemi të gatshëm një projekt për përmirësimin e rrjetit të rrymës elektrike dhe të internetit në hapësirat e fakultetit ngaqë kemi probleme sa herë që bie shi apo frynë erë. Shpresojmë ta gjejmë një donator ngaqë buxheti shpeshherë nuk po premton shumë. Ndërtesa e vjetër “han” para e rezultati nuk shihet askund. Shtoja kësaj edhe cilësinë shpeshherë të dobët të punimeve që bëhen ngaqë gjithmonë fitues janë ata që japin ofertë më të lirë – kështu ligji e kërkon. Universiteti i Prishtinës është i centralizuar dhe ne si fakultet nuk kemi xhirollogari tonën. Gjithçka shkon përmes zyrave qendrore. Pa marrë parasysh këto telashe, nga semestri i ardhshëm do t’i kemi nja 15 projektorë dhe laptopë më shumë nëpër salla të mësimit dhe do të përpiqemi që nëpërmjet avancimit të teknologjisë të ndikojmë edhe në ngritjen e metodologjisë së mësimdhënies.
Do të përpiqemi, por nuk varet vetëm nga ne, që gjatë tremujorit të parë të sigurojmë vendkalime në shkallët e objektit edhe për personat me aftësi të kufizuara, tashmë i kemi caktuar edhe kërkesat për një agjenci zhvillimore që ofron mbështetje për këtë kategori dhe shpresojmë të na përkrahin. Sivjet në buxhetin tonë të vogël e kam paraparë edhe furnizimin minimal të një laboratori ku do të realizoheshin hulumtime në fushë të fonetikës dhe të dialektologjisë, për të gjitha departamentet. Shpresoj t’ia dalim me këtë projekt sepse studentët tash e sa vite këtë punë e bëjnë nëpër shtëpitë e tyre dhe krijimi i një hapësire të tillë do ta motivonte punën ekipore dhe konsultimet më të shpeshta me mësimdhënësit dhe mentorët e tyre.
Nga viti i ardhshëm akademik kemi planifikuar ta organizojmë pa ndonjë implikim financiar një qendër vullnetare për këshillim, e cila do të mbështetej kryesisht nga koordinatori për zhvillim akademik i fakultetit dhe nga studentët e viteve të larta. Kjo qendër do të jetë si një pikë reference dhe një pikë orientimi për shumë studentë fillestarë dhe për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për mënyrën e organizimit të studimeve në fakultet, për programet që ofrohen, për të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të mësimdhënësve etj.

“Epoka e re”: Disa kolegë po ju lavdërojnë për punën që po bëni në fakultet. Më kanë thënë, se tash, më shumë se asnjëherë tjetër, ka gjallëri dhe rregull në Filologji. Çfarë keni bërë mirë në këtë fakultet që jua kanë thënë edhe kolegët?
L. Rugova: Që nga viti 2009, kur e fillova punën si prodekane për mësim, kam qenë vazhdimisht e zënë me punën e akreditimit të programeve të studimit. Ishte një periudhë e vështirë kur UP-ja sapo kishte filluar t’i nënshtrohej procesit të vlerësimit ndërkombëtar. Unë kisha përvojë ndërkombëtare të angazhimit në zbatimin e procesit të Bolonjës dhe të të gjitha aktiviteteve që lidheshin me ngritjen dhe zhvillimin e cilësisë. Isha trajnuar nga ekspertët më të mirë evropianë në këtë fushë. Kisha marrë pjesë në shumë vizita studimore lidhur me këtë proces dhe e fillova një punë në fakultet që askush nuk e kishte bërë para meje. Gjithçka e organizova vetë dhe mund të them se patëm sukses. Për shtatë vjet me radhë i kam udhëhequr shumë punë të tilla, kam përpiluar raporte mijëra faqesh për dy mandate me radhë dhe kam marr pjesë aktive edhe në organizimin e Seminarit të Albanologjisë, e kam demitizuar postin e prodekanit dhe të dekanit: dekan nuk është personi që rri ulur në karrige të butë dhe vetëm jep urdhra. Dekani për mua është vetëm një nga profesorët që i organizon punët në fakultet, por edhe vetë merr pjesë aktive në realizimin e tyre. Mund ta kem gabim, por në institucionet publike siç është UP-ja, të jesh dekan apo prodekan shpeshherë nënkupton të jesh argat i të tjerëve.

“Epoka e re”: Cilat janë kërkesat më të shpeshta të studentëve të këtij fakulteti që deponohen në arkiv, në dekanat?
L. Rugova: Kërkesat më të shpeshta kanë të bëjnë me lejimin e vazhdimit të studimeve, punë kjo e Komisionit të Studimeve në nivel të fakultetit. Ka edhe kërkesa për ndërrim të programit të studimeve ose kërkesa për shkruarje të rekomandimeve për studime jashtë vendit. Po përpiqem t’ua shpjegoj studentëve vazhdimisht se kërkesat bëhen me shkrim dhe protokollohen në arkiv, jo drejtpërdrejt në dekanat.

Të jesh në krye të një institucioni për mua është nder dhe përgjegjësi

“Epoka e re”: Për çfarë do ta mbani mend këtë vit akademik dhe detyrën e tashme tuajën në krye të Filologjisë?
L. Rugova: Nëse për diçka shumë pozitive do ta mbaj mend këtë vit akademik, janë marrëveshjet e bashkëpunimit ndëruniversitar që i kam iniciuar, që i kam mbështetur personalisht dhe pothuajse gjysmën e tyre tashmë i kam vënë në veprim. Është fjala për marrëveshjet Erasmus + me universitete shumë prestigjioze evropiane (Praga, Kopenhaga, Berlini, Napoli, Venecia, Torunji, Poznanji etj.) për shkëmbim profesorësh dhe studentësh. Bashkëpunimet e tilla po dëshmojnë se studentët tanë që përzgjidhen dhe shkojnë në këto universitete kanë krijuar një emër të mirë dhe janë tri raste kur u kanë ofruar punë si asistentë të profesorëve në universitetet nikoqire (në Varshavë dhe në Riga). Gjithashtu, asnjëherë më parë Fakulteti i Filologjisë nuk ka pasur më shumë studentë mysafirë, siç ka tani, nga Polonia kryesisht, nga Çekia, gjatë vitit 2017 do të kemi edhe nga vendet e tjera me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Më e rëndësishmja, kreditë që i fitojnë në UP, do t’u njihen në vendet e tyre.

“Epoka e re”: Na flisni shumë shkurt për tre ’36-tët: Demaçin, Kadarenë dhe Qosjen?
L. Rugova: Çfarë të thuhet më shumë se atë që e kanë thënë dhe e thonë veprat e tyre. Ato janë treguesi më i mirë i vlerës së tyre.

Kohët e fundit, shumë rrallë në teatër

“Epoka e re”: Sa shpesh shkoni në teatër?
L. Rugova: Kohët e fundit, shumë rrallë. E përcjell repertorin dhe i dëgjoj e lexoj kritikat për shfaqjet, i përcjelli vazhdimisht rubrikat e kulturës, por nuk kam kohë të shkoj dhe më vjen keq për këtë. Herën e fundit që shkova, më zuri gjumi në shfaqje ngaqë isha shumë e lodhur dhe shfaqja ishte shumë e mërzitshme. Kam pasur problemet e mia shëndetësore meqë tash e pesë vjet jam ballafaquar me sëmundjen e kancerit dhe, ta them të drejtën, kam shumë nevojë të dal dhe të argëtohem, ta harroj sëmundjen dhe të merrem me diçka plotësisht ndryshe nga ajo që e bëj çdo ditë. Janë fëmijët dhe familja ime ata që shpeshherë ma diktojnë ritmin e jetës pas orarit të punës. Ndonëse kjo puna jonë nuk ka orar, 24/7!

“Epoka e re”: Libri i fundit që po e lexoni?
L. Rugova: I fundit është një roman norvegjez që ma ka dhuruar mikja ime e ngushtë, profesoresha e letërsisë frënge, Nerimane Kamberi. Flet për historinë e një gruaje të fuqishme të shekullit 19, e ngjashme me historitë e sotme tonat.

“Epoka e re”: Çfarë po shkruani?
L. Rugova: Një përmbledhje punimesh nga fusha e sintaksës. Qëllimi im është ta përfundoj gjatë vitit dhe për momentin jam duke e përmbyllur një kërkim shkencor për një konferencë të gjuhësisë që do të mbahet në janar në Universitetin e Humboltit në Berlin. Konferencat shkencore, sidomos ato ndërkombëtare, janë arenat ku dalin në pah cilësitë dhe të metat e studiuesve, ku dallohen studiuesit e mirë nga ata më pak të mirë. Mendoj se në disa vitet e fundit disa studiues të Kosovës kanë dëshmuar cilësi në konferenca të tilla. Pikërisht për këtë shkak i kushtoj shumë rëndësi pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare.

“Epoka e re”: Çfarë do të botoni në 2017-n?
L. Rugova: Shpresoj se botohen punimet që i janë nënshtruar recensionit ndërkombëtar në disa revista shkencore ndërkombëtare. Me gjithë këtë vëllim punësh administrative që kam në fakultet, nuk besoj se mund t’ia dal me të gjitha ëndrrat dhe dëshirat e mia profesionale.

“Epoka e re”: Urimi dhe dëshira juaj për këtë fundvit dhe fillimvit?
L. Rugova: Ta duam më shumë njëri-tjetrin dhe t’i mbështesim vlerat e vërteta, qoftë akademike, qoftë njerëzore! Më shumë njerëzillëk dhe më pak urrejtje e smirë!

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img