Lajme

As Qeveria Haradinaj nuk i bëri sigurimet shëndetësore


Publikuar më:


Punëtorët e sektorit publik dhe privat të Kosovës ende vazhdojnë të punojnë pa sigurime shëndetësore.

Nga të gjithë punëtorët që marrin paga nga buxheti i shtetit, për policët po konsiderohet mëse i domosdoshëm. Shteti vazhdon të premtojë këtë sigurim dhe mbledhjen e premiumeve, por një gjë e tillë nuk po ndodhë.

Pavarësisht se ekziston Ligji për Sigurimet Shëndetësore, implementimi i tij po shihet i pamundur për shkak të mungesës së buxhetit. Nuk janë të pakta rastet, kur në krye të detyrës, policët e Kosovës lëndohen, 19 prej tyre edhe e kanë gjetur vdekjen.

Policët po vazhdojnë të kryejnë operacione të rrezikshme, por shëndeti i tyre nuk po sigurohet. Derisa punojnë për sigurinë e vendit, për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që nga paslufta sigurimet shëndetësore po konsiderohen të jenë një domosdoshmëri.

Për këtë, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli thotë për kp se kanë dërguar edhe shkresa drejtuar qeverive, ku kërkohet sigurimi i shëndetit të jetës për policët, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Popullata është e ka të nevojshme sigurimin shëndetësor, çdo pjesë e sektorëve, por sidomos e jona. Sepse vet titulli thotë pjesë e sigurisë, ne jemi për sigurinë e vendit, kjo dëshmon se deri më tani kemi 19 policë të ramë në detyrë, kemi të lënduar me qindra, kemi me sëmundje të ndryshme me qindra dhe pjesëtarët e policisë detyrohen që ato pagesa ato kontrollime t’i bëjnë vetvetiu, nga xhepi i vet. Prandaj është e domosdoshme, mendoj se është edhe e vonuar”, shprehet ai.

Tasholli kërkon që prioritet të jenë sigurimet shëndetësore, e jo rritjet e pagave. Por, derisa sektori publik kërkon që ky ligj të implementohet, ai privat e kundërshton edhe ligjin aktual. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se ligji i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014, ka shumë mangësi. Prandaj, kërkon që fillimisht të bëhet implementimi i plot i Marrëveshjes Kolektive dhe Ligjit të Punës, e pastaj të hyjë në sistemin e pagesave të këtyre premiumeve.

“Përdërisa jemi në gjendjen në të cilën jemi, përderisa ka kompani të cilat nuk ua paguajnë kontributet, nuk paguajnë benificionet tjera ligjore ndaj punëtorëve, ku e paguajnë çështjen e sigurimeve shëndetësore. Ne si sindikatë, në momentin kur të fillojnë me mbledhje, sipas të gjitha gjasave, nuk janë të përgatitur sepse qëllimi ka qenë jo serioz. Ne do të dalim deklerativisht për këtë ligj publikisht, i cili tash për tash është në fuqi, ne jemi kundër tij”, thotë Azemi.

Kreu i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla thotë se të gjitha qeveritë e deritanishme kanë neglizhuar shumë procese. Ai thekson se edhe pas mbledhjes së premiumeve nuk do të jetë e sigurt se ku do të shkojnë ato para, derisa shton se sigurimi shëndetësor nuk do i konvenojë dikujt.

“Shumë kompani të mëdha që nesër do të jenë të obliguara të paguajnë, sigurimet shëndetësore për popullatën, nuk po dëshirojnë të kenë këtë, sepse është një barrë plus. Dhe kjo është një skllavëri për punëtorin në përgjithësi, dhe këta janë lobuesit kryesorë në Kosovë dhe Parlament. Dhe për këtë arsyeje ata i gjenë metodat e veta që ne medium dhe forume të ndryshme, ta kundërshtojnë ligjin”, thekson ai.

Thotë se si federatë kanë bërë presion që të mos politizohet kjo çështje, për çka sipas tij, është mirë të kthehet në problem nacional dhe të fillohet me mbledhjen e premiumeve. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtat e Njeriut, Behgjet Shala thotë se impelementimi i ligjit për sigurimet shëndetësore nuk mund të bëhet, për shkak të mungesës buxhetore.

“Përveç që është i kushtueshëm si duket ka munguar një vullnet politik që të miratohet ky ligj për faktin se çdo kush që do ta miratonte këtë ligj, cdo ministër apo çdo qeveri, do të hynte në probleme serioze për implementimin e këtij ligji. Sepse është ligj mjaft i kushtueshëm dhe buxheti i Kosovës në rrethana aktuale nuk do të mund ta përballonte impelementimin e këtij ligji pa siguruar mjete nga një tjetër burim… Por kështu, siç ka premtuar ministri i ri Ismajli siç ka thënë që është bërë ekipi i ri për zbatimin e këtij ligji, ekipi për mbledhjen e premiumeve, janë bërë disa veprime vetëm për publik ose për ta qetësuar publikun, për t’ia ulur dhimbjet publikut, se sa që është përpjekje serioze”, thotë Shala.

Pavarësisht këtyre, ministri në largim Uran Ismaili zotohet se është duke u punuar në këtë aspekt.

“Sigurimet shëndetësore ju e dini që nuk kanë ekzistuar për një kohë të gjatë dhe çka është me e keqja, nuk është punuar mjaftueshëm që të realizohet një gjë e tillë. …kemi dorëzuar edhe një sistem elektronik ku do të tregohen të gjitha shërbimet që kemi bërë në secilën klinikë dhe më pastaj do të ketë kostime për secilën prej tyre. Pra, jemi duke bërë një lëvizje që nuk ka ndodhë asnjëherë më parë”, thotë Ismaili.

E, anëtari i komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Naser Rugova duke kritikuar Qeverinë Haradinaj, thotë se ministri në largim, Uran Ismaili e ka pasur premtim të vazhdueshëm implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Sipas tij, ky ligj duhet të ndryshohet.

“Me ligjin aktual është zor e realizueshme dhe nuk ka shpresë për qytetarët e Kosovës, për pacientët të shumtë në Kosovë që ky ligj të krijohet fondi për sigurimet shëndetësore. Këtij fakti ia shtojmë edhe vlerësimin e raportit të fundit të progresit të Komisionit Evropian, kur e potencon dhe e nënvizon mos zbatueshmërinë edhe vullnetin politikë për plotësim ndryshimin e këtij ligji që është baza ligjore, pastaj që i hapen alternativat tjera, për masat e tjera. Fatkeqësisht pa u implementu sistemi informativ shëndetësor kjo gjë nuk mund të bëhet”, thotë Rugova.

I njëjti ka kërkuar që të sillet në Kuvend draftligji për plotësim-ndryshim, por thotë se edhe në këtë rast ky ligj nuk do të implementohet deri në vitin 2021. Ministria e Shëndetësisë kishte planifikuar që të nis mbledhjen e premiumeve në janar të vitit 2017, në mënyrë që të nis ndërtimin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, që në fund pritet të përdoret për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme të shëndetësisë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

To Top