Ferizaj

AKP konfirmon kthimin e pronave në menaxhimin e saj, në pronësi të Komunës


Publikuar më:


Se zhvillimi ekonomik lokal kërkon hapësira të përshtatshme dhe infrastrukturë të kompletuar është tashmë një fakt, për të cilin qeverisja Aliu ka mobilizuar gjithë levën institucionale për të siguruar kushte të favorshme për shtrirjen e projekteve strategjike, rrjedhimisht nxitjen e një klime të re zhvillimi ekonomik në komunën tonë.

Për këtë qëllim dhe një varg çështjesh të tjera, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me Nënkryetarin e Komunës, Naim Ferati, drejtorin e Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu dhe drejtorin e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Sabri Murseli pritën drejtorin menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj i cili shoqërohej edhe nga drejtorët e njësive tjera të kësaj agjencie, Petrit Ibraj, Mehmet Berisha dhe Labinot Smajlaj.

Fokusi kryesor në të cilën u orientua biseda në këtë takim ishte avancimi i bashkëpunimit mes Komunës së Ferizajt dhe AKP-së, veçanërisht në çështjen e kthimit të pronave të menaxhuara nga kjo e fundit, në pronësi të Komunës, për të cilën u bë e ditur se ditëve në vijim do të nënshkruhet edhe një memorandum për përshpejtimin e procedurave mes palëve, sipas edhe vendimit të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me këtë çështje.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se Komuna e Ferizajt është mëse e interesuar që të orientoj projektet investimore në hapësirat që shumë shpejt do të kalojnë nga menaxhimi i AKP-së në pronësi të Komunës së Ferizajt. Ai shtoi se administrata e tij është e gatshme dhe ka bërë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim, në konkretizim të kësaj nisme nga Kryeministri Haradinaj dhe se pritet epilogu i shpejt i kësaj teme.

Drejtori Menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Valon Tolaj tha se referuar vendimit të Kryeministrit Haradinaj, institucioni që drejton do të ekonomizoj kohën për të nisur procedurat përkatëse përmes së cilave komunave do t’i kthehen në pronësi, pronat e menaxhuara nga AKP, me qëllim rritjen e ndikimit të kësaj nisme në zhvillimin ekonomik lokal si dhe realizimin e projekteve zhvillimore, infrastrukturore e të tjera me rëndësi vitale për komunat, në këtë rast për Komunën e Ferizajt.

Gjatë takimit, u dakordua që ditëve në vijim do të nënshkruhet edhe Memorandumi i Bashkëpunimit për përshpejtimin e procedurave në këtë drejtim si dhe avancimin e ndërveprimit mes dy institucioneve në fushë kompetencën e përcaktuar me legjislacionin në fuqi.

To Top