19,03,2024

Ahmet (Shaban ) Kaçiku

Must Read


Ahmet (Shaban ) Kaçiku

15.01.1964 – 19.01.1999

           Në shenjë respekti e kujtimi dua të ju uroj ditëlindjen tuaj komandant Ahmet Kaçiku.


Nexhat Shahini

Thuhet se Heronjtë kanë vetëm ditëlindje, pa dyshim se po. E nisa kështu këtë shkrim, pasi që për së gjalli asnjëherë nuk pata mundësi për të uruar ditëlindje, apo për të përgëzuar për sukseset e tua luftarake. Ndihem me fat që pata mundësi të rrugëtoj sa do pak me ty, në rrethana krejt më ndryshe, në rrethana kur kishim dashuri, harmoni e unitet, kishim një ideal, çlirimin e Kosovës.

            Komandant, ti ditë më parë pate ditëlindjen, që nuk munda të ta uroj, apo të të kujtoj, sepse kishim përkujtimin për të masakruarit në Reçak, datë e cila korospondonte me ditëlindjen tënde.

Mbi dy dekada pas rënies tënde Komandant, nga familjar, miq e bashkëluftëtarë, kujtohet kontributi dhe vepra jote, si vepër e cila u ngrit me mundin, djersën dhe gjakun tuaj. Edhe Reçaku kështu të kujton, si një luftëtarë që s’ndalove përpjekjet për ti mbrojtur viktimat e shkaktuara nga forcat paramilitare, ushtarake e policore serbe kundër popullatës së Reçakut. Ti ishe aty për ti mbrojtur të gjallët, për ti mbrojtur të vdekurit, nga fshehja e gjurmëve që po tentonin ta bënin ushtria vrastare serbe. Ti ishe aty, me gjithë qenjën tënde, fizike e shpirtërore, për ta ndjerë reqakasit mbështetjen që po u bëhej nga Luftëtarët e Lirisë.

Ishte pikërisht ditëlindja jote e tridhjetë e pestë (35) që duhej ta festoje, e për dallim nga ditëlindjet e tjera, sot ditëlindja jote po barte gjak e dhimbje për Reçakun dhe vendin në përgjithësi. Lufta jote Komandant dhe e ushtarëve të tu, në mbrojtje të popullit reçakas, ishte domeni kryesorë, i cili i dha mundësi botës përparimtare për ta parë për së afërmi gjenocidin e shkaktuar barbarë, masakrën e cila do ta ndryshoj rrjedhën historike.

Gjatë kësaj periudhe, më shumë se dy dekada, për ty Komandant janë thurur vargje, poema e legjenda, jo të trilluara, por të marruara nga vendi i ngjarjes, të prezantuar nga individ që kishin bashkudhëtuar me ty Komandant, ata me të cilët kishe ndarë të mirën dhe të keqën, kishe ndarë kafshatën e gojës për të vazhduar luftën së bashku, për të qenë më të fort në front me armikun.

Dua ta citoj një monolog nga bashkëluftëtari yt, në librin ,,Karabina e Gjyshit”, pas rënës tënde në Altarin e Lirisë:

Mirëmbrëma, komandant, jam ushtari i Jezercit, që inspektuam Pikën 1 bashkë, ju kujtohet? S’ka shumë kohë kjo punë, para një muaji ishit në Jezercë, ju kujtohet?

Po, ushtar, po, si s’më kujtohet.

Jam roje nderi, komandant, jam qe një orë këtu me ju, jam gatitu dhe s’kam lëvizur as qepallat, trupi po më luhatet nga pak, por e kam nga lodhja, edhe shpina po më dhemb nga ky qëndrim. Me leje, komandant, mund t’ju pyes?

Paj, fol, bre ushtar, se më lodhe.

Pse shkuat mbi Reçak sot………………………………………….!

Në përvjetorin tënd të njëzet e një (21), nuk mundëm për lexuesit pa bërë edhe një shkrim kronologjik të jetës tënde, të veprimtarisë atdhetare, që nuk kurseve as jetën, për të jetuar sot në LIRI.

Ahmet Kaçiku lindi më 15 janar të vitit 1964 në fshatin Biti të komunës së Shtërpcës nga baba Shabani dhe nënë Velimja. Kishte kaluar një femëri të rënd, qoftë në aspektin ekonomik e atë shpirtërore, pasi që babë Shabani e kishte lënë këtë botë shumë herët. Nënë Velimja, heroina e gjithë bashkëluftëtarëve të Ahmetit, ashtu siç e quajnë, e kishte rritur me mundime fëmijët, edhe pse me mungesën fizike të bashkëshortit, ajo ishte munduar me çdo kusht të ishte baba e nënë, që fëmijët e saj të mos e ndjenin mungesën e tij. Nënë Velimja asnjëherë nuk e kishte shuar shpresën për një jetë më të mirë, sepse këtë po e shihte në sytë e djalit të saj, në shtyllën e shtëpisë, në Ahmetin e nënës, që po e rriste për t’ia falur atdheut.

Ahmet Kaçiku shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes. Si një djalë i shkathët, e me energji për të marrë sa më shumë njohuri, ishte i dalluar ndër nxënës, qoftë në edukatë, por edhe në mësime, me sukses të shkëlqyeshëm përfundonte secilin vit.

Në vitin 1978, Ahmeti regjistron shkollën e mesme “Osman Mani” në Firajë. Aty e kreu vitin e parë dhe të dytë, ndërsa dy vjetët vijues i vazhdoi në Ferizaj, në drejtimin matematikor. E ndjente se vendi, populli kishin nevojë për zërin e tij, për përpjekjet që do të bënte me shokët, për të drejta, liri, për jetë më të mirë.

Me rastin e shpërthimit të demonstratave, më 3 prill të vitit 1981, Ahmeti me shokët e shkollës kishte dalë në mënyrë të organizuar në qytetin e Ferizajt. Me gjithë përpjekjet e disa arsimtarëve për t’i penguar nxënësit që të mos dilnin në demonstratë, Ahmeti me shokët e tij ik nga shkolla dhe u bashkohet demonstruesve.

Më 1983, Ahmeti regjistroi shkollën e lartë “Xhevdet Doda” në Prizren, në drejtimin fiziko-matematikor, e po atë vit, në qershor detyrohet të shkojë në shërbimin ushtarak, në Doboj të Bosnjës. Pasi e kreu shërbimin ushtarak në armatën jugosllave, më 1984, Ahmeti, edhe pse i kishte dhënë gjashtë provime në shkollën e lartë pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren, detyrohet t’i ndërpresë studimet për shkak të represionit të policisë serbe. Në vitin 1984, Ahmeti u dënua me dy muaj burg për kundërvajtje politike. Administrate shtetërore, Ahmetin e kishin pikasur si një revolucionarë, i cili në vazhdimësi do të kundërshtoj strukturat serbe të instaluara në Kosovë, për të cilin, mundësin e vetme e shihnin duke e burgosur. Pas kryerjes së burgut, shkon në Perëndim, pasi kishte mundësi të pakta të ushtrimit të veprimtarive, nga ana e pushtuesit serb.

Pas një periudhe të migrimit në Gjermani, Në dhjetor të vitit 1994, kur Ahmeti po kthehej në Kosovë, në kufirin Maqedoni-Kosovë, policia serbe ia merr pasaportën. Si shkas i konfiskimit të pasaportës ishte vizita e tij në Shqipëri dy vjet më herët. Më vonë, për ta mbajtur familjen, Ahmeti u detyrua të punojë punë ndërtimtarie.

Gjysh Bajrami, për t’i brumosur nipat me një edukatë të shëndoshë kombëtare, i tregonte për heroizmat gjatë historisë kundër pushtuesit serb,  e madje e kishte informuar edhe mbi masakrimin që ia kishin bërë axhës së tij. Këto histori e mbanin të drithëruar, e në vazhdimësi i krijonin urrejtje për administratën serbe dhe popullin serb në përgjithësi. E ndjente nevojën e çlirimit të atyre energjive negative, të akumuluara ndër vite, për dhunën e ushtruar serbe kundër popullatës shqiptare, madje në këto përdhosje, në të shumtën e rasteve ishin pjesëmarrës edhe serbët lokal, apo edhe tërthorazi, përmes direktivave të tyre, burgosnin, maltretonin të gjithë ato familje që kishin guximin të mendonin ndryshe. Familja Kaçiku, nga Bitia e Epërme e komunës së Shtërpcës, është e njohur për atdhetarizëm. Gjyshi i Ahmetit, Bajram Kaçiku ishte luftëtar i dalluar në këtë anë, në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në këtë frymë u rritën dhe u edukuan fëmijët e Shaban dhe Velime Kaçikut.

Gjatë vitit 1997, gjendja ekonomike për familjen Kaçiku ishte bërë shumë e rëndë, e sërish Ahmeti emigroi në Perëndim, për të siguruar një jetë më të mirë për nënën, motrat dhe vëllain e tij më të ri. Madje gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, nënë Velimës dhe të tjerëve në shtëpi, ua kishte bërë jetën pak më të lehtë, me parat që dërgonte nga atje.

Me ashpërsimin e gjendjes në Kosovë, sikur shumë bashkatdhetarë të tjerë, mbledhëshin dhe diskutonin mbi gjendjen e rëndë në Kosovë. Me shpërthimin e luftës në vitin 1998, kushtrimit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së iu përgjigj Ahmet Kaçiku. Më 26 qershor të vitit 1998, Ahmet Kaçiku me dhjetëra shokë hyn në Shqipëri. 30 qershor, nisen për në qytetin e Bajram Currit e prej aty në Tropojë. Ahmet Kaçiku së bashku me shokët e tij, po atë natë, hyn në Kosovë, nga drejtimi i Rrasës së Zogut e Pishave të Junikut dhe pas nëntë orë udhëtimi arrin në Junik, prej ku vazhdon rrugën për në Zonën e Pashtrikut.

Ahmetin duke e parë me një shkathtësi të veçantë, me urdhër të komandës, vendoset në fshatin Budakovë, në ndarjen administrative, ndërmjet komunës së Therandës dhe asaj të Shtërpcës. Ahmeti ka vepruar në Pikën e Dardhishtës afër Muhlanit, në lagjen Buzhalë të Budakovës, ku tregoi zotësi ushtarake.

Me formimin e pikës ushtarake në Rokopeq, Ahmeti emërohet komandant toge. Ai, së bashku me dy ushtarë, ngarkohet ta sulmojë antenën, e cila ishte një pikë strategjike e armikut. Ahmet Kaçiku mori pjesë aktive në betejat te Guri i Dellocit, në Vraniç, si dhe në pikat në Dardhishtë, Muhlan, në Qafë të Duhlës e në shumë vende të tjera. Asokohe, Ahmetin e emërojnë zëvendëskomandant të Njësisë Speciale të Zonës Operative të Pashtrikut, e cila vepronte në Budakovë.

Më 12 korrik, ai e vizitoi familjen e tij në fshatin Biti e Epërme dhe pas dy ditësh, nga atje u kthye në front së bashku me motrën Lumnije dhe shumë vendas të tjerë, e ndër ta edhe Nazim Bakiu (Dëshmorë).

Në muajin shtator ai transferohet në Zonën Operative të Neredimës, në Jezercë.

Në fund të muajit nëntor të vitit 1998, me propozimin e Komandës së zonës dhe me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ahmeti emërohet komandant i Brigadës 161.

Pas vendosjes së Komandës së Zonës Operative të UÇK-së në fshatin Mollapolc, Ahmeti kishte udhëhequr dhjetëra beteja e aksione, në të cilat u dallua për strategjinë taktike-ushtarake kundër forcave serbe.

Në fillim të muajit janar të vitit 1999, në këtë zonë UÇK-ja ndërmori shumë aksione ushtarake kundër armikut, duke i shkaktuar humbje njerëzore e materiale.

Të dëshpëruar nga taktizimi profesional i komandantit Ahmet Kaçiku nga humbjet e vazhdueshme në terren, armiku ndërmori fushatë ushtarake kundër pozicioneve të UÇK-së dhe kundër popullatës civile në fshatin Reçak. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, pas një luftimi të ashpër me njësitin e Reçakut, forca të mëdha ushtarako-policore dhe paramilitare serbe arrijnë të futen në fshat, ku masakruan 45 shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra, pleq e të sëmurë.

Po këtë datë ishte ditëlindja e komandant Ahmetit. Atë ditë ai ishte në vijën e frontit në vendin e quajtur Gërkovë, në mbrojtje të pozicioneve. Një ditë më vonë, me ushtarët e tij ndërmori aksionin për mbrojtjen e kufomave, të cilat ishin çuar në xhami të fshatit, në pritje për t’u varrosur. Pas katër ditë luftimesh të ashpra kundër forcave serbe, më 19 janar 1999, komandant Ahmeti Kaçiku bie heroikisht.

Bashkëluftëtarët e Zonës Operative të Neredimës, ceremoninë mortore për komandant Ahmet Kaçiku e zhvilluan me 21 janar të vitit 1999, në Varrezat e Dëshmorëve, në Mollapolc.

Pas luftës, më 28 shtator të vitit 1999, është bërë rivarrimi i eshtrave të tij.

Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj.

            Ahmeti pas vete la nënën, bashkëshorten dhe fëmijët: Arbënoren, Festinën dhe Festinin.  

           Sot në shenjë mirënjohje, në vendin e tij të rënës është ngritur ,,KULLA e LIRIS, në vendin e quajtur Gërkovë mbi Reçak, ndërmjet fshatrave Firajë e Brod, i është zbuluar pllaka përkujtimore, e në qytetin e Ferizajt, për nderim të Heroit, në hyrje të qytetin qëndron e skalitur në bronz shtatorja madhështore e Komandant Ahmet Kaçiku.

Për veprimtarin e tij atdhetare, për heroizmin e tij, për luftën çlirimtare, me 28 Nëntor 2012, me urdhër presidencial Ahmet Shaban Kaçiku shpallet Hero i Kosovës.

Lavdi gjithë Dëshmorëve të Kombit.

Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorit të UÇK-së, Komandant Ahmet Kaçikut

Gjaku i juaj u bëftë udhërrëfyes, dritë e trashëgimtarëve tanë.

Shkruan : Nexhat Shahini

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Voziti me patentë të konfiskuar, gjobitet 25-vjeçari me 300 euro dhe i vazhdohet masa për 6 muaj të tjerë

Është gjobitur një 25-vjeçar në Ferizaj, i cili u zu nga policia duke vozitur kur atij iu kishte ndaluar...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img