Ferizaj

Agim Aliu hodhi firmën për transparencë të plotë, çdo tender nën llupën e USAID-it


Publikuar më:


Ferizaj është njëra nga komunat kryesore në fokusin e USAID-it për të zhvilluar monitorimin e proceseve të prokurimit publik në plan afatgjatë. Kjo për shkak të rritjes së performancës pozitive dhe progresit të vazhdueshëm të Komunës së Ferizajt në këtë drejtim. Për këtë, sot, në zyrën e tij, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me zyrtarin për marrëdhënie me publikun, Albion Sherifi, pritën përfaqësues e drejtues të programit “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM)”, program i financuar nga USAID.

Ishin Jeton Cana, ekspert për qeverisjen lokale dhe administratë publike në USAID, Afërdita Mekuli – drejtore e projektit të USAID-it, “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM) dhe Agim Salihu – zv.drejtor i projektit të USAID-it, “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM) ata që paraqitën objektivat e këtij programi tek i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Zhvillimi, përsosja dhe aplikimi i modeleve për komuna transparente dhe llogaridhënëse, angazhimi i nivelit qendror në trajtimin e efektivitetit dhe transparencës komunale në kuadër të procesit të prokurimit dhe përmirësimi i monitorimit dhe mbikqyrjes nga shoqëria civile janë objektivat e këtij programi, për të cilat, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu hodhi firmën e tij në letrën e zotimit që është hap i parë drejt marrëveshjes për këtë program mes Komunës së Ferizajt dhe USAID-it, marrëveshje kjo afatgjate që parashihet të zgjas deri në vitin 2022.

Luftimi i korrupsionit, instalimi i praktikave më të mira raportuese, eliminimi i burokracive, digjitalizimi i procedurave, kontrolli në fushën e financave publike, auditim, burime njerëzore, ndëshkimi i zyrtarëve potencialisht të përfshirë në aktivitete të dyshimta prokurimi, si dhe vendosja e një standardi të ri monitorues e llogaridhënës përmes instrumenteve të matjes e kontrollit të proceseve të prokurimit publik janë vetëm disa nga synimet themelore që Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i shpalosi mysafirëve si vizion i qeverisjes së tij në fushën e prokurimit publik.

Qeverisja lokale është e interesuar që të lidh bashkëpunimin në projektin e tillë, kryesor të USAID-it për luftimin e korrupsionit, materializimi i së cilës do të ndodh ditëve në vijim me marrëveshjen e nënshkruar të bashkëpunimit mes partnerëve.

To Top