29,03,2024

Qeveria me plan B për Brezovicën

Must Read

Opsioni i parë është që ky projekt të trajtohet me ligjin për investimet të huaja, ndërsa opsioni dytë është që të shkohet me procedura të rregullta të prokurimit, të cilat do të jenë shumë më të shkurtuara se herën e parë. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami.

Ndërsa biznesmeni dhe deputeti, Ramiz Kelmendi ka deklaruar se me atë metodë ka qenë e ditur që do të dështojë ky projekt.

Ky është projekti i dytë pas PTK-së, që kompanitë e shpallura fituese dështojnë.

“Do të jetë një strategji e cila do t’i prezantohet kryeministrit dhe kabinetit qeveritarë dhe bashkërisht do të marrim vendim se çka më tutje. Janë dy opsione, opsioni i parë është ligji për investim strategjike, i cili presim që të kaloj, meqenëse nuk ka pasur kuorum sërish do të kthehet në kuvend dhe opsioni i dytë është procedurat të rregullta të prokurimit, të cilat do të kenë shumë më të shkurtra se herën e parë. Për shkak se tani kemi vendimin e Kuvendit, kemi vendimin e Qeverisë, kemi një proces të shpronësimit i cili ka përfunduar po nuk është ekzekutuar, po të gjitha vendimet e shpronësimit janë në fuqi”, tha Bajrami.

Qeveria paraprakisht ka edhe planin B. Ky projekt ka dështuar vetëm sa i përket prokurimit por jo si projekt në tërësi, ka thënë Bajrmai, sipas së cilës, ka shumë kompani të interesuara për Brezovicën.

“Ne jemi duke punuar në planin B për Brezovicën. Ka dështuar vetëm prokurimi si proces, Brezovicës gjatë kësaj kohe iu ka bërë shumë reklamë pozitive. Siç e dini kanë shkruar mediat botërore që Brezovica është perla e Ballkanit. Ka shumë kompani të cilat janë të interesuara për Brezovicën. Ne shumë shpejtë do të dalim me një plan, strategji të cilën po e diskutojmë, sepse siç e dini është një aset strategjik dhe nuk është një ministër, i cili merr vendim se si të shkoj”, tha Bajrami.

Ndërsa, Fatmir Rexhepi, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se do të kërkojnë nga MTI-ja, arsyet pse ky projekt ka dështuar dhe t’i informojë se çfarë do të bëhet më tutje.

“Unë mendoj si anëtar i Komisionit se do të ishte mirë së pari që ministria përkatëse e cila e ka drejtuar në kohën e fundit të vije në Komision apo Komisioni ta trajtoj, gjerësisht fillimin dhe mbarimin e këtij projekti. Të ketë informatë të kompletuar dhe mbi bazën e kësaj informate pastaj të shohim pse, ku dhe si dështoj ky projekt. A ishte fillimi i saj mbi hapa të gabuar, apo kishte diçka tjetër brenda kësaj ecurie të këtij projekti strategjik”, tha Rexhepi.

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, njëherit pronar i kompanisë “ETC”, Ramiz Kelmendi tha për KosovaPress se është mirë që të miratohet Ligji për investimet të huaja, i cili i hap rrugën privatizimit dhe do t’i plotësojë kërkesat e investitorëve të huaj, por gjithashtu me këtë ligj të trajtohet edhe Brezovica.

“Ne në Parlamentin e Kosovës jemi duke prit të miratohet Ligji mbi investime strategjike, të cilën po mendoj që ka nevojë edhe më shumë për ta punuar në mënyrë që ky ligj t’i plotësojë të gjitha kërkesat e mëdha dhe nevojat që kanë investitorët e jashtëm që të jeni konkurrent me shtete e regjionit. Ne kemi pas rastin edhe tek Brezovica, është një projekt madhor për të cilin sigurisht Qeveria e Republikës së Kosovës ka shpresuar që të ketë disa investime të drejtpërdrejta, por me procesin e fillimit të këtij lloji të investimit të Brezovicës ka qenë pak e ditur që ky projekt do të dështoj për arsye se investimet kanë qenë shumë të mëdha, numri i të punësuarve ka qenë tepër i stërmadhuar. Praktikisht edhe në premtimet e tyre, ata nuk e kanë paraparë një punësim direkt në Qendrën e Brezovicës, por duke i përfshirë punësimet indirekte që ata mund të ndikojnë në rritjen e shërbimeve të sektorëve të tjerë. Ka qenë pak jashtëzakonisht i frymë dhe si i tillë ka qenë i parapa që do të dështoj “, tha Kelmendi.

Konsorciumi francez “MDP Consulting -Compagie des Alpes”, ka dështuar t’i sigurojë 163 milionë euro për fazën e parë të investimeve në Qendrën e skijimit Brezovica. Përveç, ofertës financiare, partnerët kanë kërkuar ndryshimin e aseteve të cilat sipas ministres kanë qenë të papranuara dhe si pasojë e kësaj është shkëputur kontrata.

“Më 31 maj kemi marrë një ofertë e cila në fakt nuk ka qenë ofertë financiare, ka qenë prapë një kërkesë për ndryshim të strukturës së aksionarëve edhe për një afat shtesë për mobilizim të mjeteve, sepse thjeshtë nuk ka pasur mundësi prapë konsorciumi francez që t’i mobilizoj mjetet. Si rezultat i kësaj mosmobilizimi i mjeteve, sipas termave të kontratës ka shkuar deri tek shkëputja e kontratës, të cilën ne si komitet ndërministror kemi marrë vendim që nuk janë plotësuar kushtet e kontratës dhe e kemi shkëput kontratën”, tha Bajrami.

Projekti i Brezovicës është përdorur për marketing politik edhe në kohën e qeverisë së kaluar, nga ish-kryeministri i Kosovës, tani president i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai kishte deklaruar në mbledhjen e qeverisë në mars të vitit 2014-të, se ky projekt do të hap 4000 vende të punës dhe do të investohen rreth 400 milionë euro.

“Projekti i Brezovicës në këtë vizion zë një vend të rëndësishëm, sepse në vend skijim me këtë natyrë kaq të bukur, do ta vë Kosovën në hartën botërore të vendeve për t’u vizituar. Rëndësia që i është dhënë këtij projekti, mund të shihet dhe nga përkrahja e gjithëmbarshme e shoqërisë kosovare. Projekti për zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, është filluar nga Qeveria e Kosovës dhe është klasifikuar si projekt me rëndësi kombëtare. Qeveria e Kosovës ka përkrahur unanimisht të gjitha hapat ligjor që kërkohen për realizimin e këtij projekti. Me fillimin e projektit të Brezovicës, në Kosovë do të hapen 4 mijë vende të reja të punës. Duke iu falënderuar për besimin tuaj, unë iu bëjë thirrje që të investoni në shtetin më të ri në Evropë. Kosova është shtet i ri, por i mundësive të mëdha”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ndërsa, pas shitjes kishte shkruar në facebook se “një nga projektet më të rëndësishme të ekonomisë kosovare u finalizua në mënyrë të përkryer. Komiteti Ndërministror pranoi rekomandimin e ekspertëve të USAID për ofertën më të mirë dhe një konzorcium francez me ofertën prej 410 milionë euro, morri vlerësimin pozitiv. Ky investim do të shndërron Kosovën në qendër të turizmit dimëror, duke hapur 3,000 vende të reja të punës. Mbi 35 kilometra pista skijimi do të ndërtohen që në fazën e parë, 7 skiliftë por edhe pajisje për turizëm veror si akuaparku”.

Dështimi i Brezovicës është konsideruar nga Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), si grusht i rëndë për ekonominë, pasi ky dështimi ndikon në imazhin e vendit.

Ky është projekti i dytë pas PTK-së, që kompanitë e shpallura fituese dështojnë t’i përmbushin kushtet e kontratës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img