Editorial

Shtatëmbëdhjetë vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës


Publikuar më:


KOSOVA, BLLACA, KOSOVA…   

Kosova, vazhdimisht ka qenë në shënjestër jugosllave. Më e ashpër qe ajo serbe, pa i përjashtuar edhe të tjerat. Në mbarim të 1989-ës, regjimi millosheviqian na e hoqi atë trohë autonomie që e kishim. Në këtë vit, Kosova hyri në një krizë të thellë politike, ekonomike, shëndetësore e sidomos arsimore. Kjo e fundit arriti të qëndrojë paralel me administratën okupuese serbe. U krijuan disa ngjarje të rëndësishme. Si përherë, krijuesit janë të parët që e ndiejnë peshën okupuese të mohimit të të drejtave universale të njeriut. Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Intelektualëve të Kosovës, krijoi një lëvizje gjithëpërfshirëse, më vonë e shndërruar në subjekt politik, të quajtur Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila kundërshtoi paqësisht këtë regjim, deri në mbushje të kupës, kur filluan të krijohen grupet guerile shqiptare të Kosovës. Fillimvitet e 90-ta, ashpërsojnë edhe më tej marrëdhëniet edhe ashtu të këqija me Jugosllavinë, kur miratohet Deklarata Kushtetuese e Kosovës, më 2 Korrik 1990, e cila nuk mbetet me kaq, por pas dy muajsh delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, në Kaçanik, më 7 Shtator 1990 shpallën Kosovën Republikë. Ky akt e tronditi Serbinë, duke vazhduar ndjekjen e delegatëve. Në mungesë të zënies së tyre, armata e mbetur e Jugosllavisë, nisi të vrasë ushtarët shqiptarë, të cilës baballarët ua kishin besuar fëmijët. Vrasje me arsyetime të paarsyeshme: “Ka bërë vetëvrasje!” i kthente ushtarët shqiptarë në kufoma. Këtu shkëputet përfundimisht mbijetesa shqiptare me çdo institucion jugosllav, duke na dëbuar edhe nga e drejta e arsimimit në objektet shkollore. Na dëbuan nga puna, nga e drejta e mjekimit, e fjalës etj. Në çdo udhëkryq u krijuan punkte të rrepta policore. Shqiptarët rriheshin arsye e paarsye. Serbët lokalë u mobilizuar kundër nesh, që i kishim mbajtur me bukë dhe filluan të na vrisnin. Kundërshtuam paqësisht në çdo formë: rrihnim teneqe, ndiznim qirinj, bartëm edhe kufomë të improvizuar e çka nuk bëmë tjetër, por asgjë nuk pati sukses, derisa nuk krisi arma. Kupa u mbush, kur në oborrin e shkollës e vranë mësuesin Halit Geci, në nëntor të 1997-ës. Po në ditën e varrimit të tij, më 27 nëntor të atij viti, doli publikisht grupi gueril i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku lufta merr zjarr, se durimit paqësor i erdhi fundi. Kjo e ashpërsoi edhe më tej ushtrinë dhe policinë serbe për të bërë kërdi në popullin shqiptar të Kosovës, pa zgjedhur moshë, gjini e besim, vetëm pse jemi shqiptarë. Fillmviti ‘98, nis me masakrat e tmerrshme në Qirez e Likoshan, në Prekaz etj. Janari i 99-ës, ngriu gjakun shqiptar Te Prroni Bebushit në Reçak. Ngriu botën, la pa frymë edhe ambasadorin e OSBE-së, z. Uiliam Uokerin, i cili e alarmoi dhe e ndërkombëtarizoi këtë trishtim çnjerëzor të policisë dhe të ushtrisë serbe në popullatën e pafajshme civile e të pambrojtur shqiptare të Kosovës. U bë edhe loja me kufoma. Sot e asaj dite është ende një varr i hapur i një gruaje reçakase, që nuk iu kthye kufoma.

Njëzet e katër marsi 1999, kalli mbeturinën jugosllave, që kishte mbetur nga serbo-malazezët, kur Aleanca Veriatlantike bombardoi caqet policore dhe ushtarke serbe, duke e ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga kjo barbari serbe. Krahas bombardimeve të NATO-s, vazhdonin edhe masakrat serbe, të cilat tërhoqën vëmendjen e ndërkombëtarëve, në mesin e të cilave vlen të përmenden masakrat në dy puset e Kotlinës së Kaçanikut, ku kufomat identifikoheshin me çelësat e shtëpive, me punëdoret e jelekëve të leshit, që nënat dhe gratë ua kishin punuar djemve e burrave të tyre etj.

Po si e përshkroi gjenerali, Uesli Klarku (Wesli Clark) mbrëmjen e 24 marsit 1999, citojmë: “Nga Uashingtoni më thirrën në orën 17 e 31 minuta. Ishte kryesuesi i shtabit të bashkuar Henri Shelton, i cili përcolli urdhrin përfundimtar. -Ves, tha ai, ke urdhër, nisja! Mund ta paramendoja situatën, aeroplanët B52 të vetmuar në lartësi, Tomahawkat, raketat taktike të flotës detare për sulme në tokë. Ishte ky një sulm i sinkronizuar. Do ta verbonim ushtrinë jugosllave, duke nxjerrë jashtë loje radarët e saj dhe duke i gjymtuar ata me shkatërrimin e sistemeve të raketave kundërajrore. Pak pas orës 19 më telefonuan nga shtabi qendror në Napoli. Raktet u lansuan”.

Edhe presidenti amerikan Bill Clinton, atë ditë, më 24 mars ’99, e dëshmoi këtë.

Citojmë: “Sot forcat tona ju bashkuan aleatëve të NATO-s në sulmet ajrore serbe përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Kemi vepruar me vendosmëri për disa arsye. Kemi vepruar për të shpëtuar mijëra njerëz në Kosovë nga ofensiva ushtarake për të parandaluar një luftë më të gjerë, kemi reaguar me aleatët tanë për paqen, duke vepruar tani, ne mbrojmë vlerat dhe interesat tona si dhe shtyjmë përpara çështjen e paqes. Sllobodan Millosheviqi, i njëjti lider që filloi luftën në Bosnjë dhe Kroaci, i hoqi Kosovës autonominë që kishte, ua mohoi të drejtën për të folur gjuhën e tyre, ua mohoi shkollat dhe formësimin e jetës së përditshme”, përfundon fjala e Klintonit.

Ishte ky operacioni i parë i NATO-s në historinë e saj 50 vjeçare, kundër një shteti sovran. Një sulm, që nisi pa miratimin e plotë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por për të cilin SHBA-të dhe aleatët perëndimore ishin të vendosur.

Edhe kjo nuk mjaftonte për okupatorin serb. Filloi fshesën e pastrimit etnik shqiptar. U hapën dy pista kombëtare të dëbimit me dhunë të shqiptarëve, ashtu siç thoshte Vojisllav Shesheli, se shqiptarët duhet dëbuar jashtë Kosovës. Dhe, vërtet ashtu edhe na dëbuan, pa zgjedhur mjete,  formë, moshë, gjini, që qëndronim në plëngjet tona etnike-historike shqiptare. Kjo ishte fshesa e fundit okupuese serbe për pastrimin etnik shqiptar, pas shumë elaborateve të hershme për shpërnguljen e shqiptarëve.

Bllaca historike shqiptare, ku jemi sot dhe Kukësi shqiptar, qenë dy stacionet kombëtare të dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova, prej nga shkapërderdheshim nëpër vende të ndryshme, po ashtu shqiptare, pastaj edhe me vija ajrore në Evropë dhe botë.

BLLACA – BUKA, BUJTINA, BUJARIA E LUFTAVE ÇLIRIMTARE SHQIPTARE

Ojkonimi Bllacë e Shkupit, ka një histori më të gjatë dhe më të hershme se 17 vjet më parë, pra, qysh më 1944, kur në këtë katund janë masakruar qindra djem bllacjanë nga brigadat partizane.

Tani, shumëkush e ka dëgjuar emrin Bllacë, por nuk e ka ditur ku është. Shumëkush ka kaluar nëpër Bllacë, por nuk e ka ditur që është aty. Shumëkush e rikaloi Bllacën, shumëkush e mësoi Bllacën, askush nuk do ta harrojë Bllacën. E po Bllaca e djeshme dhe e sotme e Shkupit është një histori e vjetër e karvanit shqiptar, që nuk e kemi ditur. Tani e mësuam, e përjetuam dhe kurrë mos u përsërittë. Bllacën e mësoi edhe bota, edhe ai në Kinën e largët në Tibet, se ku është Bllaca. Ku është Bllaca është shqiptari. Bllaca sinonim shqiptar!

Pjesëmarrës të nderuar, të ndjenjës dhe të shpirtit të dëbuar me dhunë nga Kosova, Bllaca e Shkupit, e karvanit të shqiptarisë është ojkonim etnik shqiptar në truallin e Iliridës, është edhe varr etnik, por edhe shpresë etnike. Në historinë e derisotme kombëtare shqiptare në Kosovë (me sa dimë) përbën varrin më masiv para 72 vjetësh, pa e harruar atë një vit pas – Masakrën e Tivarit. Në vjeshtën e 1944-ës janë pushkatuar e masakruar 111 shqiptarë bllacjanë, që në popull njihet si Masakra e Bllacës.

Këtë e kishin bërë po ata që e bënë edhe para shtatëmbëdhjetë vjetësh në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar. Edhe karvani i djeshëm në Bllacë ishte me varre, ishte me plagë, ishte me gjak, ishte me lot e me çka nuk ishte, ku të gjithë jemi personazhe e kryepersonazhe të një roli. Secili që ra nëpër Bllacë, ka libër të veçantë më të madh se ky shkrim imi që po e lexoj sot. Kemi ditar më të ngjeshur. Kemi shkruar që më parë nuk keni ditur, duke i larë: kush me gjak, kush me lot, kush me kërbaç, kush me shamje, kush me dhunim, kush?!…

Dhe u vendosëm në trojet e lashta tona prej plëngjeve tona. Prapë te vëllezërit prej vëllezërve, te motrat prej motrave, por vetëm për Atdhe – Mëmëdhe Kosovën prapë e kemi! Dhe Iliridën – Shqipërinë Lindore!

Ky shkrim imi është vetëm një shkronjë shqiptare, është një udhëtim i përbashkët në kohë me shqiptarët e një korridori që po na hapej, i binarëve të zezë. Secili prej nesh kemi fotografi të posaçme që nuk duam ta shohim, sikur na është mërzitur vetvetja. Kemi kujtime rrëqethëse, plagë që kullojnë, lot që s’ndalen, kërkim për të pagjetur etj.

Ende na tingëllojnë trishtueshëm pasthirrmat e nënave: -O shpirt! Oj zemër! Loçka e nënës! – klithma trishtuese me varre në shtëpi, me varre më vete. Janë po ashtu klithma fëmijësh, që lindën për ta përmbushur shpirtin e këputur të nënave, zemrat e tyre, loçkat e tyre.

  • Lavdi UÇK-së! – janë edhe urimet. Urime krushqish dasmorë që po nusëroheshin e dhëndëroheshin për lirinë e Kosovës.

MARRËVESHJA E KUMANOVËS

Përgjatë 78 ditëve të sulmeve ajrore, Serbia intensifikoi sulmet ndaj UÇK-së dhe civilëve shqiptarë, qindra mijëra refugjatë shqiptarë përjetuan dramën e eksodit në Maqedoni e Shqipëri. Në kushte të rënda jetese nëpër kampe, tashmë të shfaqura si pamje, që ishin në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Refugjatët kosovarë të vetmen shpresë e kishin tashmë tek aeroplanët ushtarakë të NATO-s, të cilët po i vazhdonin sulmet. Gjithçka përfundoi në fillim të qershorit 1999, kur Millosheviqi nënshkroi kapitullimin e tij. Pranoi Marrëveshjen e Kumanovës për t’u hapur rruga e miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E në këtë muaj, forcat tokësore të NATO-s hynë në Kosovë për të filluar ruajtjen e paqes.

Edhe pak ditë është 17-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes ushtarake në Kumanovë, ku i dhanë fund luftës serbe në Kosovë, si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe. Me këtë marrëveshje, Serbia detyrohej të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja e Kumanovës është bërë ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 9 qershor 1999, duke hyr në fuqi, më 11 qershor të po atij viti. Ky dokument është nënshkruar ndërmjet Mishel Xheksonit (Michael Jackson), komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefit të Shtabit të Armatës së Serbisë, gjeneralit Nebojsha Pavkoviqit, i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë për krime lufte dhe gjenocid. Në këtë marrëveshje, ndër të tjera parashihej:

– që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat militare, duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilët e armatosur, paramilitarët, forcat ajrore, gardat kombëtare, policinë kufitare, rezervistët, policinë ushtarake, shërbimet informative, MUP-in, policinë lokale, speciale, antirebelistët, antiterroristët dhe çdo grup i përcaktuar nga KFOR-i;

– u caktua një zonë sigurie ajrore prej 25 kilometrash përtej kufirit të Kosovës, si dhe

– një zonë tjetër 5 kilometërshe përtej kufirit me RFJ-në, që ushtria nuk guxonte të vendoste armatimet e rënda, përveç ushtarëve kufitarë.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve 78 ditëshe të NATO-s, si dhe pas përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 15 mijë njerëz janë vrarë ose zhdukur dhe mbi një milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale, po ashtu kanë qenë masive.

Më 10 qershor 1999, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, z. Havier Solana, kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Më 12 qershor 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e parë të këmbësorisë së NATO-s, ku edhe ka nisur largimi i forcave serbe.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një kohë.

Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

LËSHIMET E MARRËVESHJES SË KUMANOVËS

Mbledhja e 4011-të, e cila u mbajt, më 10 qershor 1999, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ku doli Rezoluta 1244, për të cilën pajtoheshin Sebia dhe Rusia, sepse kjo Rezolutë ia garantonte Serbisë sovranitetin mbi Kosovën, ku decidivisht thuhet:
„Duke riafirmuar detyrimin e të gjitha Shteteve Anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe të Shteteve të tjera në rajon, të theksuara në Aktin Final të Helsinkit dhe aneksin2“.
Sipas një interviste të Komandantit të KFOR-it, z. Michael Jackson dhënë radios Evropa e Lirë, thuhet:

“Në kohën e bisedimeve për Marrëveshjen e Kumanovës nuk është përmendur asnjëherë Mitrovica. Jam i sigurt, se nuk kemi folur për Mitrovicën në veçanti gjatë atyre negociatave”,  mbaron citati i një pjesë të intervistës, dhënë më 9 janar 2009.

Pra, edhe sot, pas 17 vjet lirie, Mitrovica ka mbetur “mollë sherri” për Kosovën, duke e ndarë qytetin në dysh.

Vendosja e një administrate të përkohëshme për Kosovën, si pjesë e pranisë civile ndërkombëtare, nën të cilën populli i Kosovës do të gëzojë një autonomi substanciale brenda RFJ-së, e cila do të vendoset nga KS i KB. Administrata e përkohëshme do të ofrojë një administrim kalimtar, duke vendosur dhe vlerësuar një zhvillim të institucioneve të përkohshme, demokratike vetëqeverisëse, për të siguruar kushtet për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës.

-Me këtë rezolutë, e cila ishte miratuar nga KB bëri që Serbia të sigurojë sovranitetin mbi Kosovë dhe pikërisht e lejoj firmosjen e kësaj Marrëveshje e cila parashihte që të gjitha kompetencat të transferohen në autoritetin ndërkombëtar, që do të jetë përgjegjëse për sigurimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Nga kjo luftë, edhe sot, ende janë pasojat e afro 1700 personave të pagjetur, të marrë rob nga pushtuesi serb, ku familjarët nuk dinë eshtrat e tyre, për të pasur një varr, për të vënë një lule a për të kujtuar ndonjëherë…

Pas 9 vitesh të kësaj marrëveshjeje, më 17 Shkurt 2008, Kosova u shpall juridikisht shtet i pavarur e demokratik, e cila vazhdon të funksionojë jokënaqshëm…

Legjenda, Dëbi

Comments
To Top