29,03,2024

Miratohet raporti për punë një vjeçare të kryetarit Svarqa

Must Read

Kuvendi  i Komunës së Ferizajt,  ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën janë diskutuar shumë pika të rendit të ditës, por më e rëndësishmja ndër to ishte raporti i ekzekutivit për punën një vjeçare.

Në ekspozeun e tij, i pari i Ferizajt Muharrem Svarqa, tha se në këtë raport janë përfshirë të gjitha punët e bëra gjatë vitit të kaluar dhe duke numëruar sukseset e e drejtorive një nga një pohoi se raportin e shoqërojnë elemente pozitive me rritje të të hyrave dhe zvogëlim të shpenzimeve.

“Gjatë vitit 2015, si kryetar Komune, kam realizuar 22 takime zyrtare me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga kryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat. Po ashtu kam zhvilluar edhe shumë takime jozyrtare me ministritë e Qeverisë së Kosovës. Kam pasur takime me ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë, si me ambasadoren gjermane, ambasadorin amerikan, zyrën civilo-ushtarake të ambasadës amerikane, ambasadorin e Britanisë së Madhe, ambasadorin e Maqedonisë, ambasadoren e Zvicrës etj. Kam pasur edhe vizita ndërshtetërore siç janë vizita e Qeverisë së Maltës dhe Jordanisë dhe përfaqësues të komunës së Llozanës. Kam pasur rreth 45 takime me organizata të huja si me: misionin e BE-se në Kosovë, OSBE-në, CDF-në, GIZ-in, AZHR- Lindje, Organizatën ARDA, UNDP-në, me afaristë gjermanë, me afaristë turq, me afaristë indianë, USAID-in amerikan, KFOR-in, Unitas Energji, Kompaninë austriake për ujera te zeza OSTAP, Organizatën HELP, ESC Internacional, Shtrabak, Bechtel Enka, organizatën gjermane CSSP, organizatën amerikane “Korpusi i Paqes” etj”, ka thënë kryetari Svarqa, duke shtuar se po ashtu ka pasur takime të rëndësishme edhe me zyrtarë të institucioneve të pavarura, organizata joqeveritare, e shumë e shumë takime të tjera më rëndësi.

Ai ka përmendur se gjatë vitit që lamë pas janë mbajtur edhe 11 seanca të Kuvendit Komunal, 8 mbledhje te Këshillit të Sigurisë në Bashkësi si dhe rreth 50 takime me qytetarë, përfshirë takimet e rregulla çdo te enjte, si dhe takimet për buxhet qe janë mbajtur nëpër fshatra.

“Gjatë vitit 2015 Komuna e Ferizajt ka vazhduar me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Administrata ka përmirësuar efikasitetin, duke ofruar shërbime të shpejta dhe korrekte. Janë ndërtuar dy zyra të ofiqarisë, të cilat e kanë përmirësuar mundësinë e efikasitetit të shërbimeve. Kemi ulur shpenzimet e telefonisë fikse për gati 27 për qind, kemi ulur shpenzimet e mirëmbajtjes së automjeteve zyrtare për gati 50 për qind, kemi shënuar ulje në shpenzimin karburanteve për 8.77 për qind. Në fushën e zhvillimit ekonomik dhe turizmit janë bërë hapa të rëndësishëm për promovimin e turizmit, duke publikuar udhëzuesin për vizitorë, hartat turistike etj., ndërsa bizneseve u janë dhënë prona komunale për ngritjen e kapaciteteve të tyre, janë hartuar koncept-biznese të reja, ka filluar ndërtimi i qendrës së përpunimit të drurit etj”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai më tutje ka theksuar se rëndësi të madhe i është kushtuar edhe sferës së arsimit dhe kulturës në përgjithësi.

“Në arsimin e komunës së Ferizajt gjatë vitit të kaluar është shënuar përmirësim i lehtë i suksesit për shkollat e mesme të ulëta si dhe përmirësim i suksesit në testin e arritshmërisë për të njëjtat grupmosha. Kurse në shkollat e mesme të larta, suksesi ka shënuar rënie të lehtë edhe për kalueshmërinë, edhe në testin e maturës. Edhe gjatë vitit të kaluar në Komunën e Ferizajt janë mbajtur dhjetëra veprimtari kulturore e sportive, festivale, koncerte, gara, manifestime të rregullta dhe të rastit”,ka nënvizuar Svarqa.

Në këtë ekspoze kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se edhe shërbimet shëndetësore janë përmirësuar, ndërsa është punuar për zgjerimin e hapësirave në këtë fushë.
“Kujdes i veçantë është treguar për sigurimin e banimit për qytetarët e pastrehë, duke dhënë banesa në pronësi të Komunës, ose duke ndërtuar shtëpi të reja”, tha ai.

U tha po ashtu se gjatë vitit të kaluar kujdes mjaft i madh i është kushtuar edhe fushës së bujqësisë, ku fermerët ferizajas kanë përfituar mjaft shumë nga komuna.

“Fermerët e Komunës së Ferizajt janë mbështetur vitin e kaluar me serra, lopë qumështore, me makina mjelëse, koshere për bletë etj. Janë subvencionuar prodhuesit e grurit, ngritja e pemishteve dhe ujitja e tyre me sisteme funksionale, me qëllim të punësimit dhe vetëpunësimit të popullatës së papunë”, tha kryetari Svarqa.

U bë e ditur se rëndësi të veçantë i është kushtuar transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve komunalë, ku drejtorët e drejtorive kanë raportuar çdo tre muaj për ecuritë qeverisëse, ndërsa kryetari dhe zyrtarët e Komunës u janë përgjigjur interesimeve të mediave, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve.

Nga ana tjetër përfaqësues të pozitës, kanë lavdëruar punën e kryetarit Svarqa, duke theksuar se vitit 2015 ka qenë një vit i sukseseve të mëdha të Komunës së Ferizajt.

Po ashtu në këtë mbledhje të Kuvendit të Komunës, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i është përgjigjur interesimit të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, por çdo gjë e cila ju interesonte atyre.

Gjatë ditës Kuvendi po ashtu diskutoi lidhur me kompensimit material të shoqatave të dalë nga lufta,për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit katërpalëshe si dhe për disa ndërrim destinomi të disa tokave nga ato bujqësore në tokë ndërtimore. Këshilltarët komunalë në mbledhjen e sotme po ashtu morën një vendim për realizimin e një vizite në qytetin e Shkodrës.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img