Ferizaj

Studentët e AAB-së realizuan një Seancë Plenare të improvizuar në Kuvendin e Kosovës


Publikuar më:


Mbi 120 studentët të Fakultetit të Administratës Publike të Kolegjit AAB, të nivelit BA dhe MA, realizuan një Seancë Plenare të improvizuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në kuadër të katër lëndëve: Etika, Komunikimi, Bazat e protokollit, Partitë politike dhe sistemet elektorale dhe Procedurë administrative, me qëllim të zbatimit të njohurive të marra nga lëndët sipas planprogramit mësimor përgjatë një viti akademik në këtë fakultet.

“Projekti në realizim ka për qëllim krijimin e një imazhi më të mirë të politikës në Republikën e Kosovës nga gjeneratat e ardhshme, si dhe punën e vazhdueshme që duhet bërë në krijimin e kushteve sa më të mira në realizimin jo vetëm të objektivave evropiane mirëpo edhe krijimin e një shteti sa më të fortë”, ka thënë dekani i këtij Fakulteti, Petrit Bushi.

Seanca e improvizuar në Kuvendin e Kosovës kishte dy pika të rendit të ditës, të miratuara nga Kryesia e Kuvendit, në marrëveshje me përfaqësuesit e grupeve parlamentare: Raporti i Kryeministrisë së Republikës së Kosovës për 6-mujorin e punës së Qeverisë, dhe pika tjetër, Interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme.

Studentët të cilët ishin pjesë e seancës improvizuese parlamentare caktuan rolet e tyre. Elsa Zyberaj, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rinor Shefkiu, nënkryetar dhe Adelina Berisha nënkryetare, ndërsa kryeministre Mërgime Lanaj, ministër i Punëve të Jashtme, Paris Guri, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar, Bedredin Aliji, përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të Opozitës, Donjeta Sheqiri, deputete e opozitës, Arianisa Ramadani dhe deputet i mazhorancës, Senad Ibishi.

Secili mbajti nga një fjalim sipas minutave të caktuar dhe pikës së parë të rendit të ditës. Ndërsa, në pikën e dytë të rendit të ditës u paraqitën në rolet e tyre, nga grupi parlamentar i opozitës, shefi i grupit parlamentar të opozitës, Shkodran Rexhiqi, deputetja Blinera Veliu, deputetja Njomza Elshani dhe deputetja Kumrije Uka.

Ndërsa, studentët tjerë ishin pjesë e seancës në rolet e deputetëve. Pas improvizimit të kësaj seance, studentët vizituan edhe dy grupet më të mëdha parlamentare, të dy partive politike në pushtet.

Në grupin parlamentar të LDK- së studentët u pritën nga Ismet Beqiri, kryetar, si dhe disa deputetë të kësaj partie, si Anton Quni, Armend Zemja etj,. ndërsa në grupin parlamentar të PDK-së u pritën nga kryetari i grupit, Adem Graboci.

Të pranishëm gjatë improvizimi të seancës ishin edhe një pjesë e stafit akademik të këtij fakulteti si; dekani i këtij fakulteti, Petrit Bushi, prodekani Mentor Lecaj, Donik Sallova, Flamur Gashi, Melihate Tërmkolli, Albulena Brestovci, Arben Gashi dhe Arian Hasani.

Ata vlerësuan se improvizimi i tillë i seancave është një arritje shumë e suksesshme e studentëve, si dhe një përvojë shumë e mirë e tyre.

“Ishte një kënaqësi e veçantë të isha sot në këtë improvizim të seancës plenare. Studentët ishin shumë të përgatitur dhe lanë përshtypje të jashtëzakonshme. Si nga fjalimet ashtu edhe nga pyetjet dhe përgjigjet e tyre”, ka thënë profesori Flamur Gashi.

Ndërsa studentja Mërgime Lanaj ka thënë se realizimi i këtij aktiviteti është një motivim për të por edhe për të gjithë studentët për t’u marrë sa më shumë me studimin e lëmive të politikës, dhe mbi të gjitha të kemi qasje sa më të mirë të politikëbërjes.

Comments
To Top