25,04,2024

Mbahet Konferencë për Prioritetet e Presidencës së Mbretërisë së Holandës në Këshillin e Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në Kosovë

Must Read

Prishtinë, 11 maj 2016 – Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Kosovë mbajtën sot Konferencën për Prioritetet e Presidencës së Mbretërisë së Holandës në Këshillin e Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Po ashtu u diskutua edhe për prioritetet e Presidencës në ardhje në Këshillin e BE-së që do ta merr Republika e Sllovakisë.

Në hapje të kësaj konference ministri i Integrimit Evropian z. Bekim Çollaku ka theksuar se duke ju falënderuar mbështetjes së institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, jemi dëshmitar të një transformimi pozitiv në të gjitha vendet dhe shoqëritë e Ballkanit Perëndimor.

Ministri Çollaku ka nënvizuar se Kosova do të ketë në fokus zbatimin e reformave të parapara në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

“Në këtë drejtim, ju siguroj se institucionet e vendit do të shfrytëzojnë MSA-në si platformë për të përgatitur vendin për hapin e radhës në procesin e integrimit evropian. Qëllim ynë është të bëjmë aplikimin dhe të marrim statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda këtij mandati të institucioneve të BE-së. Jam i bindur se nëse arrijmë të mbajmë ritmin e reformave dhe kursin evropian të vendit, me mbështetjen e qytetarëve të vendit në njërën anë dhe Institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së në anën tjetër, do të arrijmë këtë qëllim”, ka thënë ministri Çollaku.

Ndërkaq ambasadorja e Holandës në Kosovë znj. Gerrie Willems, ka nënvizuar se Holanda ka qenë dhe do të mbetet partnere e Kosovës në rrugën evropiane si dhe do të mbetet e fokusuar në Ballkanin Perëndimor.

“Ne fokusohemi në respektimin e vlerave të BE-së, si respektimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale. Implementimi i MSA-së do të jetë një shtytje e Kosovës drejt përafrimit në BE. Përkushtimi, plotësia dhe zbatimi i reformave janë elemente të rëndësishme drejt afrimit në BE. Ajo çfarë është thelbësore në këtë proces është edhe komunikimi me qytetarët”, konstatoi Willems.

Në këtë konferencë u diskutua edhe për prioritetet e Presidencës në ardhje në Këshillin e BE-së që do ta merr Republika e Sllovakisë nga 1 korriku.

Për të diskutuar lidhur me këtë çështje në panel ishte shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë z. Lubomir Batary.

“Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për arritjet e rëndësishme së fundmi në rrugëtimin drejt Evropës. Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA) hyri në fuqi më 1 prill dhe vetëm disa ditë më parë Komisioni Evropian erdhi me rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave. Mirëpo, ky nuk është fundi, por vetëm fillimi i një faze të re, fazës së implementimit, e cila kërkon për hapa dhe përpjekje tjera. E vlerësoj shumë që veçanërisht implementimi i MSA-së është momentalisht në fokus të shumë akterëve qeveritar dhe jo-qeveritar. BE-ja dhe shtetet anëtare, përfshirë dhe Sllovakia, janë të gatshme të ndihmojnë në këtë proces”, ka thënë z. Batary.

Pjesë e panelit diskutues në këtë konferencë ishin edhe z. Samuel Zhbogar, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë si dhe znj. Njomza Emini, kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Shënohet Dita e Shkollës dhe përurohet Salla e Sporteve në shkollën “Astrit Bytyqi”në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është bërë shënimi i Ditës së Shkollës “Astrit Bytyqi” si dhe u përurua Salla e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img