Editorial

Kisha katolike në Ferizaj ‘Engjëlli i Rojës” nuk duhet të rrënohet


Publikuar më:


Ferizaj njihet si qyteti më i ri në Kosovë, por shikuar nga aspekti i trashëgimisë kulturore, rrethina e saj e pasur, na e thotë të kundërtën. Brenda qytetit të Ferizajt janë të evidentuara dhe të regjistruara në databazën zyrtare në mbrojtje të përkohshme disa monumente, ku njëra nga këto është edhe kisha katolike “Engjëlli i Rojës” që shikuar historikisht ka luajtur një rol kyç si në kohën e paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj, duke ofruar asistencë tek banorët lokalë me barna, ushqime, përkujdesje etj, përmes organizatës humanitare bamirëse “Nëna Terezë”, që vepronte edhe në Ferizaj. Së fundmi, nëpër mediat lokale të shkruara dhe elektronike, qarkullon se kisha katolike “Engjëlli i Rojës” nuk i plotëson kushtet për shërbime rituale dhe duke bërë një përllogaritje për restaurimin e kishës katolike, kostoja e saj është më e lartë se sa të ndërtohet një kishë e re – sipas klerit kishtar Don Viktor Sopi,

Konsideroj se kisha katolike në Ferizaj nuk duhet të rrënohet, është objekt fetar, i cili pasuron listën e objekteve të trashëgimisë kulturore në qytetin tonë.  Do të ishte gabimi më i madh i mundshëm që qyteti ynë të lejoj rrënimin e kësaj kishe, e cila ka një histori të pastër në kohëra të ndryshme, jo vetëm që ka shërbyer si objekt për ceremonitë fetare, mirëpo ka shërbyer edhe për çështje kombëtare dhe mbi të gjitha në ndihmë të familjeve në nevojë. Është shumë me rëndësi për qytetin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore në përgjithësi, që kisha në fjalë të ruhet në formën ekzistuese. Duke marrë parasysh dëmtimet nëpër muret e kishës, që rrezikojnë mbajtjen e ritualeve fetare, duhet të hulumtohet gjetja e mjeteve materiale, të bëhet restaurimi i saj dhe të rikthehet në funksion të shërbesave fetare të komunitetit katolik.

Kisha katolike “Engjëlli i Rojës” është ndërtuar në vitin 1927,  ndoshta do të ishte e rrugës, që udhëheqësit fetarë katolikë, por edhe institucionet përgjegjëse, të fillojnë një iniciativë të kërkojnë donacione nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ose nga ndonjë organizatë tjetër që të restaurohet, por  assesi të rrënohet. Ndoshta, ne si qytetarë të Ferizajt nuk duhet të lejojmë që edhe pak ato objekte të vlerave tona të trashëgimisë kulturore t’i lejojmë të rrënohen apo të dëmtohen.

Ky është shqetësim i imi, për faktin se edhe në të kaluarën kishim disa objekte të rëndësishme  të trashëgimisë kulturore, të cilat posedonte qyteti ynë në të kaluarën (shkolla fillore “Tefik Çanga” , shtëpia e vjetër e “Gogëve”), të cilat nuk janë më, janë rrënuar. Andaj,  shpresoj që ky shkrim i imi të mos kuptohet për qëllime tjera, por ky është vetëm shqetësim në aspektin profesional, që të ruhen objektet të cilat kanë rëndësi për shoqërinë, kulturën, trashëgiminë kulturore dhe  të cilat janë vlerë identitare për qytetin tonë – Ferizajn.

Mendoj që çështjet e ndjeshme të identitetit tonë historik dhe fetar, duhet t’i paraprijë një debat shoqëror gjithëpërfshirës me ekspertët të natyrës së trashëgimisë kulturore!.

Benjamin Hashani

(Autori vijon studimet Master në Trashëgimi Kulturore dhe Menaxhim të Turizmit)

Comments
To Top