20,04,2024

MBI PASOJAT E MUNDSHME TË TITO-IZMIT VUÇIQ-IAN…!?

Must Read

Shkruan: Besim ZYMBERI

Titoja, në vitin 1948, ishte prishur me Stalinin. Një prej arsyeve ishte, krenaria egoiste Tito-iste, që nuk do të lejonte të dukej sikur ishte një vegël e Stalinit. Ishte edhe e kuptueshme, pasi që Tito kishte trashëguar një Jugosllavi të përmasave që do t’i mundësonte të dukej një lider kreativ, i fuqishëm dhe përcaktues në rrjedha të mëtejme të definimit të botës, përfshirë edhe rendet e reja shoqërore.

Përtej krenarisë, Titoizmi ishte një ndërmarrje e guximshme dhe shumë dinake politike, e mbështetur nga idealet pansllaviste sovjetike-ruse. Jugosllavia e Titos, ishte në esencë një projekt rus, që arriti ta mashtrojë Perëndimin e fuqishëm, edhe në vijë gjeopolitike, edhe në vijë gjeokulturore.

Serbët, e shfrytëzuan më së miri Jugosllavinë për të siguruar hegjemoni politike brenda saj dhe kundër popujve tjerë. Serbët, nuk do të dëshironin emër tjetër për shtetin ku do ta ushqenin hegjemonizmin e tyre, përpos si-Jugosllavi! Ishte kjo mënyra më efikase që të kamuflonin idenë e tyre, e cila, me një emër tjetër, do të ishte lehtë e kundërshtueshme dhe e refuzueshme.

Nëpërmjet Jugosllavisë, serbët u faktorizuan. Nuk është aspak e rastësishme që serbët, edhe pas vdekjes së Jugosllavisë së Titos, nuk dëshironin që shtetit të tyre të mbetur t’ia ndërronin emrin. Dëshironin t’i shfrytëzonin benefitet politike të fituara nga “jugosllavizimi” i tyre…!

Nëpërmjet serbëve si-jugosllavë, rusët, krijuan një ofertë sociale, politike dhe ideologjike, mjaftë joshëse edhe për Perëndimin.
Nëpërmjet serbëve si-jugosllavë, rusët krijuan Lëvizjen e të Painkuadruarve, si grupin më të madh politik pas OKB-së. Nëpërmjet serbëve si-jugosllavë, rusët armatosën për dhjetëra vite vendet e Lindjes së Mesme veçanërisht, për t’i përgatitur për luftë kundër Perëndimit. Kjo edhe ndodhi pas vitit 1990. Nëpërmjet Jugosllavisë dhe rolit të saj përcaktues te vendet e Botës së Tretë, rusët ia dolën ta kompromitonin në masë të madhe “kapitalizmin kolonialist  Euro-Atlantik”!. Sepse, Jugosllavia, deklarativisht, nuk ishte në blloqe ushtarake, ishte e hapur ndaj të dyja hemisferave gjeopolitike etj etj…!?

Këtë trashëgimi politike e kulturore, është munduar ta shfrytëzojë Serbia. Nuk mund të thuhet se nuk ka pasur efekte në këtë drejtim. Vetëm në rastin e Kosovës, është ndikimi serb si trashëgimtar  jugosllavizmit, që nuk lejon shumicën dërmuese të vendeve të Lëvizjes së të Painkuadruarve ta njohin Kosovën. Ishin pikërisht shumica e vendeve të painkuadruara, të cilat ndikuan që plot 139 shtete, edhe zyrtarisht ta dënonin: “Agresionin e NATO-s kundër Jugosllavisë (viti 1999)!

Çfarë po ndodh sot…?

Serbia po synohet të ri-vizatohet si një model konstruktiv i politikës ndërkombëtare!?

Nga viti 2000 e deri në vitin 212, në krye të Serbisë, ishin kryetarë profile si, Koshtunica e Tadiqi, që kishin dalë nga opozitarizmi antimillosheviçian. Por, as Tadiqi madje, nuk arriti të profilizohet si një mekanizëm edhe ideologjik i përfaqësimit të qytetarisë proevropiane të synuar serbe. Parti qytetare serbe, si ajo e Çedomir Jovanoviçit, Çanakut, Koraçit e tj, u margjinalizuan, ose u zhdukën fare nga skena politike serbe. U riforcuan prapë radikalët e Sheshelit, të reinkarnuar në progresistë të Vuçiqit e Nikoliçit, u riforcua prapë partia e Millosheviçit dhe në pushtet, në zgjedhjet e fundit,  rihyri edhe vet Shesheli!

Pyetja që duhet të shtrohet është: pse Perëndimi i fuqishëm minimizoi mbështetjen për profilet e tipit të Tadiqit, Jovanoviçit, Çanakut, Koraçit etj, si mostra të shkëputura serbe nga idea e hegjemonizmit si mentalitet shekullor? E kundërta e kësaj, pse Perëndimi vizaton një figurë të moderuar tek profilet patologjike të Vuçiqit e Nikoliçit? Apo, pse Perëndimi flijon drejtësinë si esencë e thellësi, duke liruar një kriminel të tipit të Sheshelit, në emër të forcimit të pushtetit të Vuqiqit e Nikoliçit…?

Përgjigjen, kam frikë se duhet ta kërkojmë tek logjika Tito-iste e manovrimit të sotëm serb.

Vuçiq, duket se është duke reinkarnuar me mjeshtëri një model Tito-ist të ofertës politikë për Perëndimin. Në esencë, mund të flasim për vazhdimësi të këtij modeli.

Mënjanimi i Tadiqit, Jovanoviçit, Çanakut etj, si figura  properëndimore serbe, nga politika kreative e nivelit të pare, nuk flet për zëvendësimin e një  cilësie serbe,  me një model më “efikas”, të gjetur tek Vuçiqi. Fatkeqësisht, nëpërmjet pranimit të Tito-izmit Vuçiq-ian, si një ideologji atraktive për Perëndimin, e në veçanti për Bashkimin Evropian, po pranohet në të vërtetë, fuqia ndikuese dhe përbiruese e Rusisë sot në Evropë!

Njësoj si me Titon dikur, Rusia tani po mundohet të bëhet pjesë ndikuese në politikat evropiane, nëpërmjet profilit serb të një Tito-izmi Vuçiqian. Një ndikim i tillë i pretenduar rus, do ta dobësonte në synim SHBA-në veçanërisht, dhe do të indoktrinonte me konfuzitet më lehtë pastaj vendet egoiste evropiane, të cilat ende vuajnë nga format e nacionalizmit krekosës e mosdurues në nivel të ndërsjellë.

Vuçiq, profilizohet si një lider proevropian. i gatshëm që ta fusë Serbinë në Bashkimin Evropian. Por, refuzues, sidomos nëpërmjet Nikoliç-Grobarit, që Serbia të anëtarësohet në NATO!

Pse një Serbi e cila pranon të futet në BE, nuk dëshiron të futet në NATO…?

Sepse, futja e Serbisë në BE, do ta justifikonte deri në një masë vetë gjeografinë serbe. Por në masën kryesore, do ta forconte rolin e Rusisë aty. Ndërsa, nëpërmjet refuzimit për NATO-n, Serbia do të synojë të përdoret nga Rusia që të imponojë një rreshtim të ri brenda Evropës në veçanti, dhe, në përgjithësi brenda botës së fuqishme Euro-Atlantike. Krejt kjo, duke e dobësuar SHBA-në! Pastaj, Serbia është garanti më i madh i ruajtjes së frymës panortodokse brenda Evropës!

Titoi-zmi Vuçiq-ian, është në veprim. Nuk ka të bëjë fare me një emër të përveçëm që quhet, Aleksandar Vuçiq!

Ka të bëjë me një model afatmesëm, si krijim i politikës ruse, për rritjen e ndikimit të saj në Evropë. Rusët e dinë, se në Evropë, nuk ndikojnë shumë nëpërmjet identifikimit të qartë të satelitëve të tyre, në rastin konkret, të Serbisë. Dinakërisht, rusët e kanë kuptuar se mund të rrisin ndikimin e tyre në Evropë, nëse ja arrijnë që të instalojnë një ideologji, të projektuar nga vet ata, por që në sytë e botës, do të duket sikur është autentike dhe e pa ndikuar. Nëse Tito ja kishte arritur që ta linte një përshtypje të tillë, prova e radhës është –Titoizmi Vuçiq-ian serb. Perëndimi duhet të bëjë kujdes të madh në këtë drejtim. Të vetmit që mund ta kompromitojnë këtë ide-projekt gjeopolitik rus, janë shqiptarët. Por, shqiptarët e një kualiteti të ri agresiv politik, e jo shqiptarët që duket sheshazi që nuk mund të ecin tutje përtej sugjerimeve të nivelit të ambasadave. Model duhet të merret sjellja e Republikës së Shqipërisë në vitet: 1948, 1960, 1968 dhe 1978, momente këto kur u dëshmua guximi shtetëror dhe nacional në marrje të vendimeve, të cilat shquheshin për autenticitet e vendosmëri!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img