18,04,2024

28 Shtator Dita e Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Ferizajt.

Must Read

Ferizaj gjatë gjithë historisë ka qenë një vend ku janë zhvilluar shumë ngjarje me rëndësi historike për shtetin Shqiptar. Ferizaj ka qenë vatër e luftimeve të përgjakshme, kuvendeve kombëtare, lëvizjeve ilegale kombëtare, demonstratave e protestave popullore, kundër pushtuesve të huaj.

Janë të njohura luftërat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendet e Mëdha Kombëtare të viteve 1908-1912, Kryengritja e Ferizajt, demonstratat të viteve 1968, 1981 dhe 1989 etj.
Gjatë viteve 1995-1996 kur vazhdonte shtypja e terrori mbi popullin shqiptar, shqiptarët u binden se vetëm rezistenca e armatosur do ta ndryshonte gjendjen e rënduar.Gjatë prillit të vitit 1996 u ndërmorën disa sulme kundër personelit të sigurisë serbe në disa pjesë të Kosovës, sulmet u morën përsipër nga një organizatë e panjohur në atë kohë e quajtur “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
UÇK doli publikisht në skenë më 28 Nëntor 1997, në Llaushë të Drenicës, me rastin e varrimit të mësuesit, Halit Geci, i vrarë nga forcat paramilitare serbe.Nga kjo ditë, formacionet e saja ushtarake do të zgjeroheshin me të madhe në tërë Kosovën.Edhe në Ferizaj u formuan formacionet e UÇK-së.
Aksioni I parë ushtarak i UÇK-së në Ferizaj e rrethin, ishte sulmi kundër postbllokut të policisë serbe në Gerlic (Gurëz) në udhëheqjen e Rexhep Bislimit, dëshmor i kombit.
Më 16 korrik 1998 në vendin e quajtur, Bashkimi i dy Lumenjëve, ra heroikisht dëshmori I parë I komunës së Ferizajt, Nazmi Uksmaili, kurse më 18 korrik 1998, forcat e UÇK-së u pozicionuan në fshatin Jezerc, me komandant Imri Ilazi-FERRI. Kjo datë shënon edhe fillimin e luftës në komunën e Ferizajt. Në Jezerc u zhvilluan luftime të pandërprera që nga dita e parë, por dallohen luftimet e zhvilluara gjatë ofenzives së forcave serbe të 26.27 e 28 shtatorit 1998, në këto luftime ranë heroikisht 9 luftëtar të lirisë: vëllezërit Gursel e Bajram Sylejmani, Sejdi Sejdiu, Kemal Hetemi, Bashkim Vishi, Nazmi Terziu, Sali Baliu, Arsim Zeqiri dhe Lulzim Guta. Kjo betejë me të drejt mori emrin, Epopeja e Jezercit. Në luftimet anekënd Kosovës ranë heroikisht edhe këta luftëtar të komunës së Ferizajt:Abdiselam Ahmeti, Agim Matoshi, Ahmet Hoxha, Ahmet Kaçiku, Ali Ivaja, Arsim Bega, Arsim Rexhepi,Astrit Bytyqi, Bekim Osmani, Besim Fazliu,Besim Qarri, Besim Rexhepi, Bilall Shala, Cen Dugolli, Enver Topalli, Driton Islami, Elhami Hasani, Fatmir Kërçeli, Florim Maliqi, Gëzim Sahiti, Hajriz Muhadini, Hasan Çerkini, Hysni Kajtazi, Imri Halili, Kadrush Ilazi, Liman Rekaj, Lutfi Haxhidema, Mejdi Xhaferi, Muhamet Kabashi, Naim Beka, Nazim Bakiu, Njazi Bajraktari, Qamil Osmani, Ramadan Rexhepi, Ramadan Salihu, Ramiz Uksmaili, Ramush Shatrolli, Rexhepi Bislimi, Rexhepi Demiri, Sadik Bega, Sali Berisha, Vezir Jashari, Zahir Neziri, Zejnullah Zejna, Faton Vehbiu, Fatmir Ratkoceri dhe Uran Tinova. Gjithashtu në luftërat çlirimtare kombëtare në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, kanë rënë dëshmorë këta luftëtarë të komunës së Ferizajt: Ismet Aliu, Afrim Kalanica, Brahim Ademi dhe Hyrë Emini. Forcat serbe, gjatë luftës vranë e masakruan 116 banorë të Ferizajt, përfshir edhe gra dhe fëmijë.Pas luftës heroike të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s, shteti kriminal serb kapituloi. Ndërsa më 12 Qershor 1999, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe trupat e NATO-s hynë në Ferizaj, duke shënuar fundin e pushtimit serb. Gjaku i Dëshmorëve të Kombit, do të jetë frymëzim për gjeneratat e reja, të cilat do të edukohen duke respektuar vlerat e luftës së UÇK-së, si mënyra më e mirë për ta çmuar idealin e shenjtë të sakrificës dhe lirisë. Dhe të mbeten këto përvjetore si një apel, që institucionet tona të bëjnë më shumë për familjet e dëshmorëve, familjet e invalidëve, familjet e veteranëve, sepse fal gjakut të dëshmorëve dhe gjymtyrëve të invalidëve ne po jetojmë sot të lirë.

Shkruan Amir Rexhepi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img