27,04,2024

20 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

Must Read

Sot me 24 mars bëhen 20 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ish-Jugosllavisë. Fushata, që i dha fund luftës në Kosovë, zgjati 78 ditë.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton, raporton “Epoka e re”.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për ta detyruar Serbinë që t’i ndërpriste ofensivat brutale dhe masakrat mbi popullsinë civile në Kosovë, ish-sekretari i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999 kishte urdhëruar fillimin e sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe. 

“Edhe sot kur i kujtojmë këto ditë, dy dekada pas, e kemi të freskët gëzimin e madh që përjetuam në ato momente tejet të vështira për popullin tonë. Kjo ishte pikënisje e ndalimit të gjenocidit dhe rikthim i shpresës sonë për liri e pavarësi. UÇK-ja në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, e detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviqit”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Thaçi ka theksuar se intervenimi i NATO-s, i cili ndaloi spastrimin etnik, na obligon edhe më shumë që me përkushtim të shtuar institucional dhe politik t’i ruajmë dhe t’i garantojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë.

“Republika e Kosovës është dhe do të jetë përherë atdhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj”, ka shkruar Thaçi.

“Populli i Kosovës, NATO-s të prirë nga Amerika i është përjetë mirënjohës. Nuk ka mik më të mirë sesa ai që të gjendet në ditët e vështira. Për ne ditë më të vështira për jetën tonë nuk kemi pasur sesa në atë kohë. Miku më i mirë për ne, i përjetshëm, është NATO, janë vendet e NATO-s, si në këtë rast Mbretëria e Bashkuar, vendet tjera, NATO e prirë nga Amerika”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë homazheve që ka bërë te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë dhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën gjatë shërbimit në Kosovë, në shënim të 24 Marsit, 20 vjetorit të ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se më 24 mars të vitit 1999, forcat e NATO-s nisën fushatën e bombardimeve mbi caqet serbe për t’i dhënë fund dhunës, masakrave dhe spastrimit etnik që po bëheshin mbi qytetarët e Kosovës nga forcat serbe. 

“Ndërhyrja e NATO-s nga ajri i hapi rrugë çlirimit të vendit dhe i dha fund gjenocidit serb mbi qytetarët e Kosovës. Në prag të 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata ushtarë që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë”, ka shkruar Limaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img