24,04,2024

KRONOLOGJI E RAPORTEVE BE-KOSOVË

Must Read

Meqenëse politikat e Bashkimit Evropian në vitet e 90-ta kishin për synim shpërbërjen e Jugosllavisë, ata në parim bënë një ndarje diskriminuese brenda popujve që ishin të rrethuar në kufinjtë e ish RSFJ-së.

Komisioni i Arbitrazhit i cili udhëhiqej nga francezi Robert Badinter, nuk pranoi kërkesën e Kosovës për tu ndarë nga Jugosllavia, pas miratimit të Deklaratës së Pavarësisë më 2 korrik 1990, edhe pse për vendet e tjera të ish-Jugosllavisë të cilat synonin ndarjen, kishte mendim krejtësisht ndryshe.

Meqenëse ky Komision pati një ndikim të veqantë në historikun e zhvillimeve të kësaj pjese të Evropës, penalizimi i Kosovës nga e drejta e ndarjes qoi të dytët në një rrugë më të gjatë.

Duke ndjekur një kronologji të veprimeve, mund të themi që Bashkimi Evropian ka kthyer vëmendjen në Ballkanin Perëndimorë tek pas luftës së Kosovës, me krijimin e Paktit të Stabilitetit, gjë që nënkupton përpjekjen e parë serioze për të zëvendësuar politikën e mëparshme.

Në vitin 2000 në Samitin e Zagrebit e më pas edhe në vitin 2003 në Samitin e Selanikut u konfirmua dhe ri-konfirmua perspektiva evropiane e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimorë.

Kosova kishte bërë hapa të rëndësishëm në përmbushje të kritereve të kërkuara nga BE-ja me ç’rast Raporti i Studimit të Fizibilitetit i vitit 2012 hapi rrugën për nënshkrimin e MSA-së e cila rezultoi me nënshkrimin e saj tek në vitin 2015.

Janë gjithësej dhjetë (10) vite që Kosova është e obliguar për ta zbatuar MSA-në, ndërsa BE-ja në vazhdimësi e bënë monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim dhe bënë raporte të vazhdueshme të progresit.

Bazuar në këtë, Kosova duhet të fokusohet në zhvillim ekonomik për të krijuar vende të punës dhe për të bërë një ekonomi konkurruese edhe pse antarësimi i plotë në BE nuk mund të ndodhë pa njohjen e pesë (5) vendeve të Bashkimit Evropian të cilat ende hezitojnë ta njohin Kosovën.

Në raport me mos-njohjet ndaj Kosovës, deri më tani nuk është bërë ndonjë trysni nga Institucionet e BE-së përveq Parlamentit i cili jo me shumë ngulm, herë pas here ka kërkuar nga ato që të ndërrojnë qëndrimet. Kjo e vë BE-në në një pozicion neutral ndaj Kosovës dhe Serbisë e cila me veprime apo mos-veprime të ndryshme, për raste të caktuara, nuk ka dashur ta “hidhëroj” Kosovën e aq më pak Serbinë.

Në një deklaratë mediatike, Komisioneri Evropian për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, kishte deklaruar: “Kjo është edhe përparësi, sepse kjo na mundëson që ne të jemi lehtësuesi më i mirë i mundshëm i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke qenë neutral. Kosovarëve u themi se pavarësia e tyre është punë e kryer, sepse shumica e madhe e vendeve anëtare e kanë njohur, ndërsa serbëve u themi se pese shtetet e BE-së nuk e njohin Kosovën, prandaj jemi neutralë ndaj statusit”.

Në marrëveshjen e MSA-së në mes të Kosovës dhe BE-së, neni 11 thotë që: “Dialogu politik në mes të palëve nënshkruese ka për qëllim promovimin e pjesëmarrjes së Kosovës në komunitetin ndërkombëtar demokratik, me vërejtjen nëse rrethanat objektive e lejojnë këtë gjë”.

Krahas kësaj, në vend të termit “integrime evropiane” siç përdoret për vendet e rajonit, për Kosovën vazhdimisht përdoret termi “perspektivë evropiane”, që përkufizon një hapsirë më të gjerë dhe me këtë formë mund të paragjykojmë që Kosova nuk trajtohet në mënyrë të barabartë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë po lëvizin përpara, megjithëse Kosova për arsye të “pa-shpjegueshme” po pengohet edhe në disa pika në të cilat i ka përmbushur kriteret. Poashtu vlenë të potencohet që interesi i BE-së për tu zgjeruar është në minimum dhe ideja për ta mbajtur gjallë frymën e zgjerimit është vetëm nga frika e destabilizimit.

Në bazë të kësaj, Marrëveshja për Stabilizim Asocim është një sfidë në vete sikurse për vendin tonë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian për shkak të kapaciteteve implementuese, por edhe për pengesat e mos-njohjes së Kosovës si shtet.

Kosova në mënyrën më profesionale duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë nga kjo marrëveshje për të ngritur kapacitetet e përgjithshme, me ç’rast do ta bëntë atë më konkurruese dhe do të ishte më e përafruar në pozicionin për ta marrur statusin kandidat për antarësim. Ajo njëkohësisht duhet të insistoj që me ofrimin e rezulateve të bindë shtetet të cilat nuk e kanë njohur ende dhe në një moment medoemos të sfidojë BE-në duke dorëzuar kërkesën për antarësim.

Rrjedhimisht, ofensiva institucionale e Kosovës në këtë kohë, besojmë fuqishëm që do të rezultojë me të arritura konkrete sepse duke insistuar që të përfaqësohemi në mënyrë të barabartë në tryeza ndërkombëtare, posedohen të gjitha mundësitë reale për tu promovuar dhe për të thithur programe në kuadër të zhvillimit të vendit.

Elbasan Osmani

Master i Politikave të Bashkimit Evropian

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img