24,04,2024

16 dëshmorë të Komunës së Kaçanikut dekorohen me Urdhërin “ Hero i Kosovës” nga Presidenti Hashim Thaçi në ditën e dëshmorëve

Must Read

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Kaçanikut, janë organizuar një mori aktivitetesh për shënimin 10 gushtit- Ditës së dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Aktiviteti kryesor është mbajtur në Pallatin e Kulturës “Xheladin Kurtaj”, përmes një akademie përkujtimore, ku janë përkujtuar dëshmorët e Komunës së Kaçanikut. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se 10 gushti mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase me 10 gusht 1998, dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht Komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj.

“10 Gushti i vitit 1998, mbetet një ditë historike për Komunën e Kaçanikut, ngase po në këtë ditë, dolën krismat e para çlirimtare në anën e Kaçanikut, ku edhe ranë heroikisht Komandant Agim Bajrami, me bashkëluftëtarët Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, për tu bërë pjesë e përjetshme e historisë. Po kjo ditë, sot portretizon ditën e përkujtimit të dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve në Komunën e Kaçanikut, të cilët na sollën lirinë, e vetes i falën përjetësinë e atdhedashurisë. Kjo ditë, na kthen kujtesën tonë historike, duke kaluar kështu 21 vite, për të kujtuar ngjarjen që më së miri skalit emrat e gjithë dëshmorëve të anës së Kaçanikut, që kishin së bashku një qëllim: lirinë e atdheut të tyre, e që ishin të bindur se liria kishte vlerë më shumë se jeta e tyre. Janë ata që me vizionin, këmbëngulësinë, vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës, ata që me filozofinë dhe orientimin e drejtë arritën mbështetjen dhe përkrahjen e botës demokratike” tha mes tjerash Kryetari Ilazi. Ndërkohë Këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, Ismajl Syla, përcolli vendimin e Presidentit për dekorimin e 16 dëshmorëve të Komunës së Kaçanikut me urdhrin më të lartë shtetëror “ Hero i Kosovës ”:


Avdylgafur Luma, Bashkim Vishi, Besnik Begunca, Fadil Qaka, Hetem Hasaj, Izahir Troni, Milaim Loku, Muhamet Zeneli, Murat Lika, Nazim Terziu, Nazmi Osmani, Osman Luma, , Xheladin Kurtaj, Mejdi Dalloshi, Reshat Shehu dhe Tefik Raka.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të luftës foli Hajrush Kurtaj ish Zëvendës Komandant i brigadës 162 “Agim Bajrami” i cili tha se në këtë ditë kujtojmë betejat e përgjakura, por heroike, ndërsa me pietet përkulemi para veprës së Agimit, Gjeladinit, Besnikut dhe gjithë dëshmorëve të tjerë. Në emër të familjeve të dëshmorëve te pranishmit i përshëndeti dhe falënderoi për pjesëmarrje vajza e dëshmorit Besnik Begunca- Eljesa.

Për nderë të këtij përvjetori jubilarë u shfaq edhe një program i pasur kulturo artistik. 
Para se të filloj akademia, janë bërë homazhe pranë monumentit të Komandantit Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve Besnik Begunca e Xheladin Kurtaj, në fshatin Gabrricë, në kompleksin memorial te varrezat e dëshmorëve, homazhe pranë shtatoreve të Komandantëve Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi dhe busteve të veprimtarëve të çështjes kombëtare Idriz Seferi, Sali Bajra dhe Ismajl Raka.

Po në këtë ditë, u shpalos edhe pllaka përkujtimore e dëshmorëve të fshatit Kovaqec Ekrem Ahmetaj, Komandant Izahir Troni, Raif Koraqi dhe Mynyr Thaçi, e cila pllakë u zbulua nga familjarët e dëshmorëve si dhe nga Kryetari Besim Ilazi.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img